Mosreagimi i ZRRE-së, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i drejtohet me një kërkesë urgjente presidentes Osmani

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave ka shprehur shqetësimin e saj të thellë në lidhje me mosreagimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, pas aktgjykimit të datës 29.07.2025, të nxjerrë nga Gjykata Komerciale.
Në reagim thuhet se "Bazuar në pikën 2 dhe 4 të këtij aktgjykimi, ne kemi pritur një veprim konkret nga ana Zyrës së Rregullatorit për Energji, por deri më tani nga kjo e fundit nuk ka pasur një njoftim për hapat e mëtejshëm".
"Kompanitë që nuk kanë nënshkruar kontratë, nuk kanë asnjë informacion se nga kush po furnizohen me energji elektrike dhe kujt duhet t’i përgjigjen në fund të muajit kur t’u vjen fatura. Ne vlerësojmë se pas këtij aktgjykimi, nuk ka më vend për vazhdim të Liberalizimit të Tregut të Energjisë", thuhet në njoftim.
Me këtë rast, DhTIK i është drejtuar edhe njëherë ZRRE-së me kërkesën që pezullojë vendimin për Liberalizim të Tregut të Energjisë dhe të nis menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit.
Gjithashtu thuhet se në mungesë të reagimit nga institucionet përgjegjëse, Dhoma i është drejtuar me një kërkesë urgjente edhe Presidentes, Vjosa Osmani.
"DhTIK qysh nga marsi, kur kemi marrë informatën për nisje të këtij procesi përmes mediave, ne kemi ofruar bashkëpunimin e plotë për të gjitha institucionet, pasi në nuk kemi qenë dhe nuk jemi kundër procesit, por kundër formës së zgjedhur për ta bërë atë".
Ndryshe, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, ka marrë vendim për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që parashihte daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Lajmin e ka bërë të ditur avokatja Blinera Osmani, përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se më 29 korrik 2025, gjykata ka nxjerrë Aktgjykimin KA.nr.301/25, i cili ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme për tregun energjetik. /Telegrafi/






















































