LAJMI I FUNDIT:

Mospastrimi i rrugëve të Prishtinës dhe teorizimet ekonomike

Ristrukturimi i partisë numërikisht më të madhe opozitare po vazhdon paralelisht me bllokimin nga bora dhe akulli të rrugëve dytësore të Prishtinës. E nëse dikujt i intereson të dijë se cilat na qenkan rrugët dytësore të Prishtinës, mjafton t’ua hedhni një shiqim borës dhe akullit nëpër to. E ato nuk do tu dalin pak. Sipas hamendjes sime, diku 70%. Këtë dimër të ftohtë të paktën këtë e mësuam. Se Prishtina ka vetëm dy kategori rrugësh, vetëm parësore dhe dytësore. E thjeshtëzuar shumë kjo nga ekspertët e partisë që udhëheqë me Prishtinën. Sepse, paraqitjet kritike mediatike të grupit të ekspertëve të kësaj partie rreth politikave ekonomike të vendit dhe ristrukturimit të partisë së tyre, po ndodhin paralelisht me moslargimin e borës nga rrugët e Prishtinës. Që paralelisht të bie borë dhe të ristrukturohet një parti, dorën në zemër s’ka asgjë kontadiktore. Në fund të fundit, e para vie nga përëndia dhe e dyta nga njerëzit. Perëndia mund të sjellë borë sa të dojë dhe gjithashtu njerëzit mund t’i ristrukturojnë partitë e tyre sa të duan, si dhe të teorizojnë për politikat ekonomike sa të duan. Deri këtu s’kemi asnjë problem.

Por, problemi i kësaj partie duket se janë rrugët. Si rrugët për ristrukurimin e ndjekur të partisë, rrugët për politikat ekonomike, poashtu edhe rrugët e Prishtinës të papastruara nga bora. E meqenëse udhëheqësit e partisë dhe grupit të ekspertëve në të njëjtën kohë janë qeveritarë të Prishtinës, dy “rrugët” e para kanë fituar prioritet përballë të tretes, pra rrugëve të Prishtinës. Ndërsa për të parat, pra për ristrukturimin dhe teorizimet ekonomike, të njëjtit njerëz paguhen nga elektorati i vet, për të tretën paguhen nga të gjithë taksapaguesit e Prishtinës. Ndërsa për të parat thanë se po ndodhin në të njëjtën kohë, pastrimi i të gjitha rrugëve, thanë se, nuk mund të bëhet në të njëjtën kohë. Ndërsa, për të parat çmimin politik mund ta paguajnë vetëm ata, për mospastrimin e rrugëve të Prishtinës çmimin mund ta paguajnë qytetarët e Prishtinës. Shikoni në lajme për numrin e të lëndurave si pasojë e mospastrimit të rrugëve “dytësore”.


Gjatë teorizimeve të tyre mediatike, me të drejtë, shpesh dëgjohet fjala performancë e dobët, duke synuar me këtë të cilësohet puna e dobët e qeverisë aktuale. Me këto cilësime të drejta, jo vetëm kjo parti, por të gjitha partitë opozitare synojnë ta mbajnë të lidhur për vete, mos t’iu ikë, elektorati i pretenduar i tyre. Tani, meqenëse numri më i madh i rrugëve të Prishtinës, përveç atyre krejt kryesore, nuk u pastruan fare nga bora, cila është performanca e qeverisë lokale të Prishtinës? A nuk e ka ditur ai sesa rrugë i ka Prishtina kur ka konkuruar për këtë detyrë? Sa është e përgjegjeshme para qytetarëve një deklaratë e tillë?

Me ngrohtoren e qytetit arsyetimi u gjet te mospagesa e shërbimit nga qytetarët. Fajtor qytetari. Jo. Fajtor është shteti. Është shteti ai që duhet ta detyrojë qytetarin të paguajë, dhe jo vetëm vullneti i qytetarit, që asesi s’mund të krijohet pa ndërhyrjen e shtetit. Nga informatat mediatike, Prishtina është i vetmi kryeqytet europian që s’mund ta ngrohë veten.

Edhepse as nuk u ngroh e as nuk iu pastruan rrugët, Prishtina është qyteti i vetëm european që, po të organizoheshin sot zgjedhje, në këtë dimër, prapë të njëjtin do ta zgjedhte. Bile sa më shumë dikush do t’ia përmendte rugët dhe të ftohtit, aq më bindëse do të ishte fitorja e tij. Duket se këtë e di mirë kryetari i Prishtinës. Dhe kjo i mjafton. Arsyet këtu nuk do t’i kërkojmë. Secili e ka një të veten.