Mospajtimet se ku duhet të paguhen faturat e mbeturinave në Prishtinë, flet kryeshefi i Ndërmarrjes "Pastrimi"

Mospajtimet ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes "Pastrimi" po vazhdojnë tash e disa muaj, duke shkaktuar paqartësi te qytetarët sa i përket vendit dhe mënyrës së pagesës së faturave për mbeturina.
Komuna e Prishtinës u bën thirrje qytetarëve që pagesat e faturave për mbeturina t’i kryejnë në Komunë, ndërsa Ndërmarrja “Pastrimi” rikujton se ajo është përgjegjëse për menaxhimin dhe grumbullimin e mbeturinave, prandaj edhe inkasimi i pagesave duhet të mbetet në kompetencën e saj.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes "Pastrimi", Petrit Reçica në një intervistë për Telegrafin, ka folur për atë se kur janë paraqitur mospajtimet mes tyre dhe Komunës së Prishtinës.
Ai thotë se Komuna e Prishtinës ka pasur dhe vazhdon ta ketë synim që Ndërmarrjen "Pastrimi" ta zëvendësojë me operatorë privatë.
"Po në realitet thelbi, të them, fillimet e para kur i kemi paraqitë ato mospajtimet, ka qenë ideja e komunës që me zëvendësu një ndërmarrje publike me operatorë privatë dhe kjo ka qenë një ndër ato fillimet ku ne nuk jemi pajtu dhe vazhdojmë mos me u pajtu. Sepse ne konsiderojmë që jemi tu e bërë një punë të mbrojtjes së interesit publik, qysh është ndërmarrja jonë, sepse është një ndërmarrje e cila kryen shërbimin e grumbullimin mbeturinave për afër tetëdhjetë vite përvojë të kësaj industrie", theksoi Reçica.
Kryeshefi shtoi tutje se mbi të gjitha ndërmarrja "Pastrimi" është ndërmarrje publike ku vetë Komunën e Prishtinës e ka aksionarin kryesor.
"Dhe kjo ka qenë e paprecedent dhe e palogjikshme që të mendohet që një ndërmarrje publike të zëvendësohet, nëse ata mendojnë që duhet të bëhet një gjë e tillë, atëherë është mirë, ju takon aksionarëve me e zgjedh modalitetin a don me ekzistu një ndërmarrje, normalisht edhe mandej edhe ato obligimet ligjore. Mirëpo, mënyra qysh ata e kanë zgjedhë veç me zëvendësu me operatorë privat, për neve ka qenë e papranueshme dhe vazhdon me qenë e papranueshme", nënvizoi ai.
Ndërsa, sa i përket çështjes së pagesës së mbeturinave, Reçica tha se vazhdojnë të mbrojnë të drejtën e tyre të bazuar në ligj.
"Po normalisht ne vazhdojmë me e mbrojt të drejtën tonë që e kemi të bazuar në ligj, në Rregulloren për mbeturina, e ku aty përcaktohet qartë dhe është e padiskutueshme që ndërmarrja 'Pastrimi' është kompetente për inkasimin e faturave. Sepse thuhet decidivisht në Rregullore, nëse muni me pa është ndryshim plotësimi i Rregullores neni 4 atje që e përcakton, thotë gjeneruesit e mbeturinave paguajnë direkt në 'Pastrim' dhe kjo është diçka që na është dhënë nga Rregullorja si obligim dhe detyrim, pra nuk është çështje dëshirore", pohoi ai.
Reçica ritheksoi se janë ndërmarrja e vetme që kryejnë shërbimin dhe se nuk janë e vetmja ndërmarrje që më rregullore e kryejnë faturimin dhe inkasimin.
"Të njëjtën gjë e kanë edhe ndërmarrjet tjera publike lokale në Prishtinë dhe është e padrejtë që kjo çështje t'i bëhet 'Pastrimit', derisa ndërmarrjet tjera nuk e kanë një gjë të tillë dhe në fund të fundit ndërmarrja jonë është ndërmarrje me vetëfinancim dhe nuk është pjesë e buxhetit komunal. Dhe nuk ka logjikë që komuna të inkasojë në emrin tonë, për shkak se ne normalisht varemi shumë nga inkasimi për shkak se të gjitha shpenzimet edhe kostoja t'i mbulojmë nga ato mjete", u shpreh ai.
Po ashtu, ai tha se që nga janari i këtij viti kanë mbi 2 milionë euro të painkasuara, duke shtuar tutje se nëse vazhdohet kështu do të pamundësohet edhe shërbimi.
Për Telegrafin, Reçica bëri thirrje që qytetarët të paguajnë faturat e mbeturinave vetëm te ndërmarrja "Pastrimi", duke ritheksuar se Komuna e Prishtinës nuk ka as të drejtë ligjore t'u dërgojë qytetarëve zarfe, duke i paralajmëruar se do t'i dërgojë tek përmbaruesi.
"Nga një janari i vitit 2025 e tutje është kompetencë vetëm e jona dhe ne i bëjmë thirrje qytetarëve me mirëkuptimin më të plotë dhe më të mirë të mundshëm t'i përgjigjen pozitivisht thirrjes tonë, le t'i kryejnë obligimet. Në rast se paraqitet kontestim mes nesh dhe komunës, nuk duhet të ketë pasoja qytetari dhe unë e vlerësoj që sa më shumë pagesa në ndërmarrjen tonë, mundësitë janë më reale që ne me ofru shërbimin", potencoi ai.
Reçica u shpreh optimist se mospajtimet me Komunën e Prishtinës do të marrin epilog shumë shpejt. /Telegrafi/

















































