Llojet e ndryshme të frutave dhe perimeve duhet të ruhen të ndara, sepse reagojnë me etilenin. Organizimi i frigoriferit dhe trajtimi i duhur i ushqimeve ua zgjat freskinë

Frutat dhe perimet janë ndër ushqimet që hidhen më shpesh, kryesisht sepse nuk ruhen si duhet. Si t’i mbani sa më gjatë të freskëta dhe si të shmangni blerjet që më pas përfundojnë në kosh?


Para së gjithash, mos blini më shumë sesa ju duhet dhe mos e mbushni frigoriferin pa masë. Po ashtu, mos blini fruta e perime me shumicë. Planifikoni me kujdes si blerjen, ashtu edhe konsumin e tyre.

Shumë prej nesh e mbushim frigoriferin me çdo lloj fruti e perime, pa e ditur që disa prej tyre prishen pikërisht nga e ftohta. Patatet, domatet, qepët dhe kastravecët nuk duhen futur kurrë në frigorifer, sepse humbin shijen, aromën dhe kalben shumë më shpejt. Patatet duhen mbajtur në vend të errët e të thatë, domatet humbin aromën kur ftohen, qepët myken nga lagështia, ndërsa kastravecët janë shumë të ndjeshëm ndaj të ftohtit.

Një tjetër problem është etileni, gazi që disa fruta e lëshojnë gjatë pjekjes. Domatet, bananet, dardhat, pjeshkat, pjepri dhe qepa e njomë lëshojnë shumë etilen, prandaj nuk duhen mbajtur afër ushqimeve si patatet, mollët, specat dhe zarzavatet, sepse këto prishen shumë më shpejt. Kur i vendosim të gjitha bashkë, sidomos të lagura, zgjasim vetëm rrugën drejt koshit. Prandaj frutat dhe perimet duhen tharë mirë, mos duhen ngjeshur dhe nuk duhen mbajtur në grumbull, transmeton Telegrafi.

Si t’i ruani si duhet në shtëpi që të mos ju prishen shpejt

▪ Patatet mbajini në kuti ose shportë me gazeta poshtë, dhe një truk i thjeshtë është t’i vendosni pranë mollëve - kështu nuk mbijnë.
▪ Qepët duhen ruajtur në vend të thatë, idealisht të mbështjella me letër gazete.
▪ Borziloku dhe majdanozi trajtohen si lulet: në gotë me ujë dhe lahen vetëm para përdorimit.
▪ Kërpudhat mbajini në qese letre me pak majdanoz dhe lajeni vetëm para gatimit.
▪ Dredhëzat zgjasin më shumë nëse i shpëlani në përzierje me ujë dhe uthull, pastaj i thani mirë.
▪ Bananeve u zgjatet jetëgjatësia nëse u mbështillni bishtin me letër alumini ose plastike, ndërsa portokajtë e limonët duhet t’i mbani larg dritës.

Mos kini frikë nga frutat e “shëmtuara”: nëse nuk kanë myk, janë plotësisht të sigurta. Nëse një frut ka një pjesë të prishur, hiqeni atë pjesë dhe përdoreni pjesën tjetër.

Në fund, mbani rend në frigorifer - konsumoni të vjetrat para të rejave, mos e teproni me blerjet dhe mos ruani ushqime të lagura. Kështu kurseni para, shmangni mbeturinat dhe ushqimet zgjasin shumë më tepër. /Telegrafi/