Përurimi i Urës së re të gurit që u ndërtua në shehrin e Mustafë Agës, nuk u pritë me entuziazëm nga njerëzit që kishin aq shumë nevojë për të. Pa shkelur këmbë njeriu, kali apo gomari mbi urë, ajo mori emrin e Asllan Pashës, po atë ditë që iu vendos guri i fundit mbi qemer. Askush nuk e dinte pse atë ditë Pashai kishte ikur larg nga sytë e njerëzve që do të grumbulloheshin për te parë urën në ditën e përurimit. Qarkullimi mbi urë kishte filluar pa fjalë. Duket sikur vetëm Pashai kishte mbajtur mend vërejtën e një qerrtari kuajsh, i cili që kur ishte vendosur guri i parë i urës, kishte thënë: Urën mos e leni keq në kunxh?

Asllan Pasha ishte caktuat nga Padishahu të shkonte të sundonte në Vilajetin më të parehatshëm të Perandorisë.


Ardhjen e tij në një shehër aq të vogël, njerëzit e priten me frikë të madhe. Atë e priti vetëm Myftiu i shehrit në xhaminë që kishte emër të panjohur për pashain. Pas dy tri fjalësh, Pashai kishte pyetur si quhet kjo xhami dhe pse ka këtë emër pa kuptim. Menjëherë kishte urdhëruar që xhamia të pagëzohej me emrin e Sulltanit.

Kishte pyetur Myftiun për kufijtë dhe sigurinë e tregtarëve gjatë rrugës, për hajdutët dhe plaçkitjet e karvanëve të mallrave nëpër rrugë dhe ku ndodhin ato më tepër. Nuk kishte harruar të pyeste edhe për punën e Bajraktarëve dhe kush janë ata në çdo fshat?

Pas ca ditësh, Pashai me tridhjetë kalorës, kishte kalëruar deri në kufirin lindor të Vilajetit. Me të kishte udhëtuar edhe Myftiu i cili kishte obligim ti tregonte deri ku është kufiri i Kazasë së tij. Arritën në kodrat Tak – Tak, por Myftiu nuk kishte folur fare. Aty duhej të ishte kufiri, por nuk kishte ndonjë shenjë.

Vazhdoi Pashai me ordhi deri në lumin Kunxhi i Poshtëm, njëzetë konop samari përtej kufirit të Kazasë së shehrit të Mustafë Agës. Para tij u shfaq një rrafshinë e bukur, plot gjelbërim, me këneta rreth lumit, me shumë lagështi e bretkosa, kënga e të cilave nuk pushonte gjithë natën. Lugina i pëlqeu Pashait dhe vendosi ta bënte natën aty. Pyeti një kalimtar të rastit se kush është bajraktar i fshatit por ai nuk diti ti tregonte.

Fshatarët menjëherë kishin parë se dikush po ngrinte çadrat afër lumit. Secili fshatar që vinte, prezantohej si bajraktar i fshatit. Deri në mbrëmje ishin paraqitur dhjetë veta dhe secili thoshte; unë jam bajraktar i fshatit. Pashai nuk i tha asnjërit asgjë, por i ndaloi të dhjetit për të qëndruar aty tërë natën.

- Këtu ka shumë bretkosa që mund të ma prishin gjumin natën!- kishte folur Pashai. Ju të dhjetit do të kujdeseni për të trembur bretkosat deri në mëngjes.

- Urdhri ishte dënim për të dhjetit, por ata nuk e kuptuan. Bile asnjërit nuk i shkoi mendja se Pashai ka kuptuar se dhjetë veta nuk mund të jenë bajraktar në një fshat të vogël, por po gënjenin që të gjithë.

- Asnjëri nga fshatarët nuk nxorën një fjalë.

Sa herë që bënte guak një bretkosë, ata hidhnin nga tre katër gurë mbi të.  Pashai fjeti mirë. Nga ajo dite, secili prej atyre dhjetë “bajraktarëve” fliste me mburrje si ka bërë roje Pashait tërë natën.

Ishte hera e parë që Myftiu kishte fjetur në çadër bashkë me ushtarë.

Kufi i Vilajetit llogaritej të ishte shumë më larg, gjithandej ku shkel këmba e ushtarit, por ai nuk kishte kuptuar as çka është Kazaja, e hiq fare çka është Vilajeti. Edhe kufiri i Vilajetit por edhe kufijtë e Kazave ndryshonin shpesh. Pas çdo riorganizimi administrativ çrregullohej gjithçka.

Edhe hyqymeti dëshironte diçka për veti, por edhe fshatarët mendonin dreqësi të tjera të reja për t’iu shmangur detyrimeve.

Banorët e fshatrave kur kuptonin se kufiri do të kalojë afër apo midis fshatit të tyre, ndryshonin adresën sa herë që ju duhej. Kështu vepronin ata sa herë kërkoheshin taksat e shtetit, e sidomos kur bëhej rekrutimi. Për t’iu shmangur rekrutimit, fshatari i fshatit Tak- Tak dilte përtej kodrës që ndante fshatin dhe thoshte nuk jam nga ky fshat i kësaj Kazaje, por i asaj tjetrës Kaza.

Asllan Pasha, gjatë vizitës së parë nuk kuptoi as ku ishte kufiri i Kazasë, as i Vilajetit. Ai për të kalëruar më larg, duhej të njoftonte Padishahun.

Ura e cila ishte ndërtuar me aq mund nuk e linte Pashain rehat. I dukej sikur e ka prishur edhe pamjen e shehrit buzë bjeshkëve

Harku i mesit ishte ngritur aq lartë sa ishte vështirë të kalohej nga qerret  ngarkuar. Pasha caktoi edhe disa ushtarë kujdestar për të parë si kalohet ura dhe a po flet dikush diçka. Mos dikush po shanë Pashain apo edhe mund të dëmtonte dikush urën me qëllim.

Një ditë pazari ishte krijuar tollovi e madhe e njerëzve dhe qerreve që kalonin urën. Jo pak njerëz mendonin se ura është ndërtuar keq dhe mund të shembet.

Pashai kishte dëshirë të dëgjonte edhe çka po thonë njerëzit, jo aq shumë për urën por për vetë Asllan Pashën. Qerret me ngarkesa që kalonin urën ishin fare të dobëta dhe të ndërtuara nga druri. Ngarkesat e mëdha kontrolloheshin në hyrje të urës nga të dy anët. Një fshatar me pak dru që kishte sjellë, për treg, mezi kaloi mbi harkun e lartë dhe shau me të madhe.

- Ura ka mbetur keq në Kunxh?!- kishte thënë fshatari!

E kishte dëgjuar vetë Pashai, por nuk kishte kuptuar asgjë. Pastaj kishte pyetur përcjellësit, çka tha ai fshatari që shau. Qatipi i kishte treguar çdo fjalë. Megjithëse pashai kishte menduar gjatë, nuk ia kishte kuptuar çka është kunxhi. Pashai kishte urdhëruar zaptinë që ta ndalonin fshatarin, për të kuptuar më mirë se çka kishte thënë, por nuk morën vesh asgjë prej tij. Askush nuk po fliste për harkun e papërshtatshëm i cili ishte rrezik sidomos për qerret e ngarkuara me mall.

Pa kaluar shumë kohë, një fshatari tjetër që po kalonte urën me qerre ngarkuar, i kishte dal kunxhi që lidhte dy pjesë të qerres, dhe gjysma e qerres ishte rrokullisur mbrapa dhe kishte mbytur një kalimtar rasti. Pashain e kishin njoftuar për ndodhinë. Ngjarja kishte lidhje më fjalët që kishte thënë më herët fshatari tjetër. Si për inati, Pashai urdhëroi dy zapti që ta sjellin atë fshatarin i cili që kur kishte filluar ndërtimi i urës kishte thënë qartë; urën mos ta lënë keq në kunxh.

Të gjithë mendonin se Asllan Pasha do ta dënonte fshatarin, por ai e kishte shpërblyer me tri lira ari. Pashai e kishte falur edhe fshatarin tjetër, qerrja e të cilit e kishte mbytur një njeri mbi urë, sipër harkut të ndërtuar keq.

Ishte krijuar një gjendje e pashpjegueshme. Askush nuk paramendonte më asgjë se çka do të bënte Pashai që të mos ndodh më ndonjë fatkeqësi mbi urë.

Edhe Ura e drurit akoma po qëndronte në këmbë.

Pa kaluar një javë, Asllan Pasha thirri gjithë parinë e shehrit të Mustafë Agës dhe Myftiun.

- Ju e keni parë si ndodhi dhe u vërtetua fjala e fshatarit, i cili para fillimit të ndërtimit të urës kishte thënë; Urën mos e leni keq në kunxh!. E pamë çka ndodhi për pak ditë. Ju që shëtisni me pajton, duket sikur nuk ndjeni aspak përgjegjësi për ndërtimin e urës dhe çka ka mbetur keq.

- Harku i mesëm do të shembet me kujdes dhe do të ndërtohet rishtas. Ju do të kujdeseni për çdo guri që vendoset në urë. Edhe gjithë pagesën e rindërtimit do ta bëni ju. Të gjithë ata që punojnë në urë do marrin ushqim dy herë në ditë dhe atë do ta paguajnë tregtarët dhe zejtarët.

- Më nuk do ta kaloj askush urën pa lesh!

Të gjithëve u shkoi në mendje se tash e tutje, për çdo kalim të urës do të paguajnë taksë.

Paria e shehrit u ngri e u nxi.

Ata e njihnin mirë Asllan Pashën, por akoma nuk e kishin provuar egërsinë e tij mbi kurriz.

Shumë shpejt u përhap fjala se Pashai ka urdhëruar prishjen e Urës dhe rindërtimin e saj nga e para.

- Mos qofshi në lëkurën e mjeshtrit, thoshte një murator duke mërmëritur ndër dhembë, kur dëgjoi për rrënimin e urës së re dhe rindërtimin nga e para. Më lehtë është të ndërtohet ura e re sesa të prishet! - mendonin mjeshtrit. Gurët kur lëvizin nga vendi më nuk i kthejmë dot aty ku kanë qenë.

Dy inxhinier që i kishte thirre Pashai pa ditur askush tjetër, e njihnin mirë ndërtimin e urave. Ata folën edhe me mjeshtrit që kishin ndërtuar urën që duhej shembur.

- Gjerësia e këtij lumit nuk përballohet me një hark të butë, prandaj urës do ti shtohen edhe dy këmbë në mes të lumit. Ju keni menduar ta ndërtoni urën vetëm mbi dy këmbë në të dy brigjet e lumit duke ju shmangur ndërtimit të dy këmbëve dhe dy haqeve më të vogla më të buta.

Njëri nga inxhinieret nuk kaloi pa kritikuar mjeshtrit kryesor, të cilët siç tha ai, e kanë ditur se po të ndërtohet ura me një hark, qemeri duhet të ndërtohet shumë i lartë për të qëndruar në këmbë. Unë besoj se dikush nga ju e ka ditur këtë aritmetikë, por ka heshtur, tha inxhinieri.

Askush nuk ka të drejtë të flas. Jam i bindur se nuk ishte kjo ura e parë që ndërtojnë ata muratorë. Kanë ditur ata kush kalon mbi urë dhe ku mund të shfaqen dobësitë. Ura nuk ndërtohet për të kaluar mbi te vetëm një herë në ditë. E kanë ditur ata mjeshtrit kryesor se me një hark nuk kalohet ky lumë. Me çuditë fakti si u ndërtua ura deri në fund, e kaloi vetëm me talljen e fjalëve të atij fshatarit që pat thënë; mos e lini keq urën në kunxh!

- Mbeten pa rrënuar vetëm dy këmbët e urës buzë brigjeve. Lumi duhet devijuar serish, dhe duhet ti lutemi zotit të gjithë që ajo ura e drurit të qëndrojë akoma.

Katër vjet punë kanë shkuar huq. Tash e tutje dy inxhinierët do ta mbikëqyrin punën pandërprerë.

Megjithëse Myftiu nuk kishte lidhje me ndonjë punë, Pashai e kishte urdhëruar të mos mungonte asnjë ditë atje ku punohej.

Asllan Pasha nuk linte ditë pa kaluar andej kah ura që po ndërtohej rishtas. Nuk e harronte dot fjalën e plakut për Kunxhin e urës. Ai po mendonte kur e ku vendoset kunxhi dhe këtë duhet të shihte vetë me sy.

Dy harqet anësore më të vogla u ndërtuan shumë shpejt. Përfundimi i ndërtimit të harkut të tretë ishte afër, ndërsa kunxhi nuk po shihej askund. Pashai akoma nuk kishte kuptuar asgjë për kunxhin, Të pyeste dikën për kunxhin i dukej nënçmim.

Ai mbante mend fjalët e fshatarit: “E keni lënë urën keq në kunxh”!

Para se të mbyllej harku i mesëm, Asllan Pasha vendosi të ndërpriste punën për të kuptuar kur vendoset kunxhi. Të gjithë muratoret po talleshin me fjalët e fshatarit, por pa kuptuar Pashai.

Kaluan tri ditë që ishte ndërprerë puna dhe askush nuk po kuptonte çka ka ndodhur dhe pse nuk kryhet harku. Pashai as për tri ditë nuk e kishte zënë në gojë punën e kunxhit. Vetja i dukej budalla pse nuk ka kuptuar fjalët e një fshatari.

Të gjithë e dinin çka duhet, Puna e kunxhit kishte mbetur pezull vetëm në mendjen e Pashait.

Numri i njerëzve që kishin dëshirë ta shohin urën e ndërtuar shtohej çdo ditë,

Pasi kaloi edhe tri net pa gjumë, Pashai porositi zaptinë që ata të kuptojnë punën e kunxhit. As ata nuk kishin kuptuar asgjë, por kishin pyetur menjëherë Inxhinierët. Ata kishin qeshur me të madhe pasi nuk kishin dëgjuar kurrë për kunxhin. Ata dinin çdo gjë për ndërtimin e urës por jo edhe punën e kunxhit. Vendosen të pyesin ndonjë murator.

- Çka është kjo puna e kunxhit të cilin e paska përmendur ai fshatari që kur pat filluar ndërtimi i urës? Muratori i mençëm qeshi me të madhe dhe pyeti;

- A për kunxh po presim tash tri ditë a?

Ai pastaj tregoi se çka është puna e kunxhit.

Kunxhi ka të bëjë me qerre e jo me urën!- shtoi muratori. Pastaj tregoi edhe ku gjendet kunxhi në qerre dhe çfarë mund të ndodhë kur del kunxhi, e pastaj qerrja mund të kthehet mbrapa e ta mbys dikën, sikur atë ditë që e mbani mend të gjithë.

Ura u ndërtua vetëm pasi zaptia i kishte treguar Pashait se çka ishte puna e kunxhit. Nga inati, Pashai frikësuar nga talljet e njerëzve në ditën e përurimit kishte ikur larg shehrit të Mustafë Agës.