Refki Morina, ish-kolonel i Policisë së Kosovës, ka diskutuar gjerësisht për operacionin e koduar “Qielli i Thyer”, i cili është ndërmarrë pas dekriptimit të mesazheve të komunikimit të kriminelëve në aplikacionin SKY ECC.

Sipas Refki Morinës, në mëngjesin e sotëm, Drejtoria Kundër Narkotikëve dhe ajo për Krimet Kibernetike, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën, kanë realizuar një aksion të gjerë me qëllim të shkatërrimit të një grupi të strukturuar kriminal.


“Sot kemi të bëjmë me një aksion të mirëkoordinuar që ka rezultuar me arrestimin e 22 personave dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme parash të falsifikuara, substancash narkotike dhe pajisjesh që u kanë shërbyer autorëve për realizimin e veprave penale,” deklaroi Morina në RTVDukagjini.

Ai theksoi se ky grup është hetuar për muaj të tërë dhe se nuk bëhet fjalë për një strukturë lokale, por për një rrjet të mirëorganizuar me lidhje ndërkombëtare.

“Në këtë rast kemi bashkëpunim të thelluar me Europol-in, si dhe me autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera me të cilat Kosova ka marrëveshje bilaterale në fushën e sigurisë. Këto informata kanë qenë kyçe për ndërmarrjen e aksionit të sotëm", u shpreh Morina.