LAJMI I FUNDIT:

Moody’s për G20: Rritja do të kalojë 3%

Moody’s për G20: Rritja do të kalojë 3%
A Moody's sign is displayed on 7 World Trade Center, the company's corporate headquarters in New York, February 6, 2013. REUTERS/Brendan McDermid

Agjencia e shërbimit të investitorëve, Moody’s, mbajti projeksionet për rritjen ekonomike të vendeve të G20-ës në mbi 3% për këtë vit edhe tjetrin, por paralajmëroi për rreziqe gjeopolitike, proteksionizmin në SHBA, efektet e tkurrjes monetare në botë dhe masat e reduktimit të borxhit në Kinë.

Agjencia e vlerësimit deklaroi se të dhënat e forta për gjysmën e parë të vitit kanë bërë që të rrisë projeksionet për ekonominë kineze, në 6.8%, për Korenë e Jugut në 2.8% dhe Japoninë në 1.5%.

Moody’s pret gjithashtu që ekonomia e Eurozonës të përshpejtohet në pjesën tjetër të vitit dhe rishikoi në rritje edhe Gjermaninë, Francën e Italinë.


Agjencia uli projeksionet për Shtetet e Bashkuara në 2.2% për 2017-ën dhe 2.3% në vitin që vjen, krahasuar 2.3% dhe 2.5% që ishin më parë.

Për tregjet, Moody’s paralajmëroi për rreziqe si rritja e luhatshmërisë për shkak të fryrjes së çmimit të aktiveve dhe pritshmërive se normat e interesit do të qëndrojnë në nivele të ulëta pavarësisht lajmërimeve nga Rezerva Federale dhe Banka Qendrore Europiane për përfundimin e masave lehtësuese.

Ndërkohë që rriti projeksionet për Kinën, agjencia bëri të ditur se ekonomia është bërë më e varur ndaj borxhit të ri për të nxitur normën e rritjes. Agjencia uli vlerësimin e kreditit të Kinës në A1 në muajin Maj, duke cituar dobësimin e fuqisë financiare të vendit në vitet e ardhshme. /Telegrafi/