LAJMI I FUNDIT:

Miti i gjarprit të shtëpisë në diskursin dramatik të Ajri Begut

Miti i gjarprit të shtëpisë në diskursin dramatik të Ajri Begut
Ilustrim

Nga: Haqif Mulliqi

Qëllimi i këtij punimi është që përmes dramës Gjarpri i shtëpisë të Ajri Begut, e cila stigmatizon mitin duke u përpjekur që të afirmojë aksionin, të flasë edhe mbi përgjegjësinë e individit në një shoqëri. Kështu, ne kemi synuar që ta identifikojmë këtë përgjegjësi në këtë dramë, e cila e determinon ndërgjegjen si dhe botëkuptimet e individit, por edhe të një kolektiviteti në përgjithësi. Siç do ta shohim, miti i gjarprit të shtëpisë në diskursin poetik të A. Begut vjen si ballafaqim i drejtpërdrejtë me ata të cilët i cenojnë apo edhe kufizojnë liritë e tjerëve, e që në fakt del të jetë shqetësim i madh artistik, shoqëror, politik,por edhet nacional i autorit.

Hyrje


Tregimet e moçme shqiptare, mitet, legjendat dhe baladat e ndryshme, të cilat, në të shumtën e rasteve në dramë, por edhe në letërsi, në përgjithësi, vijnë si tregime me përmbajtje fantastike dhe të një qarku shumë të gjerë tematik, në një masë të konsiderueshme, sikundër edhe përrallat, përshkohen me motive që kanë shtrirje shumë më të gjerë, jo vetëm nacionale, por edhe regjionale. Kështu ndodhë me mitet, legjendat dhe baladat e popujve të Ballkanit, të cilat krijojnë kulte interesante brenda kulturore dhe brenda nacionale të një provenience[1]. Temat që rrjedhin nga mitet, legjendat apo edhe baladat e që shfrytëzohen si lëndë për krijimtari dramaturgjike, shpërfaqin një botë njëdimensionale në të cilën qeniet e pazakonshme, ndonjëherë edhe të mbinatyrshme (kuçedrat, ujqërit, gjarpërinjtë, zanat, xhindet, orët, etj.) si dhe dukuritë e kësobotshme funksionojnë si një tërësi krejtësisht e harmonizuar ndërsa, dimensione shumë fluide të hapësirës, kohës dhe veprimit nuk shkaktojnë asnjë lloj habie.

Edhe në rrafshin poetik, si dhe në atë antropologjik dhe stilistik, këto tregime popullore shqiptare, për dallim nga tregimet e popujve të tjerë që jetojnë përreth nesh, e me të cilat kanë afri antropologjie dhe etnografike, megjithatë i karakterizon një realizëm i caktuar. Në fund të fundit, po këto përralla janë një si roje e besuar dhe e garantuar e përvojave mitologjike në një kulturë, të shenjave etnike, të dokeve dhe zakoneve të një populli, siç është rasti me popullin shqiptar, si dhe veçorive të tjera shoqëroro-historike të popullit më të lashtë të Gadishullit Ballkanik, pra shqiptarëve që janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve.

Kulmin e stilistikës gjuhësore dhe kompozicionit tematik të suksesit të rrëfimtarisë gojore shqiptare arrihet në veçanti me baladën e murosjes së gruas, pastaj me baladën e vëllait të ringjallur (Konstantini dhe Doruntina, Halil Garria dhe Fatimja, Konstantini dhe Dhoqina, Konstantini i Vogëlthi, etj.), tregimi mbi dhëndrin gjarpër, tregimi mbi kultin e gjarprit të shtëpisë, apo edhe me rrëfimet mbi Mujën dhe Halilin, etj., të cilat, u lindën nga nevoja që të jepet një shpjegim për ndonjë dukuri natyrore në jetë, apo edhe në histori, të ndërthurur me forma të tregimeve legjendare dhe të traditës etiologjike, të cilat mund të ndahen në dy grupe: legjendat mbi zanafillën e vendit si dhe legjendat mbi personalitetet, paçka se, këto të dyja, në të shumtën e rasteve ndërthuren ndërmjet veti[2].

Kulti i gjarprit, edhe sipas studimeve të ndryshme etnologjike dhe antropologjike, është i impregnuar fuqishëm në vetëdijen e bashkësive tradicionale dhe patriarkale shqiptare, sikundër edhe të popujve të tjerë të Ballkanit. Ndërsa, si i tillë, ky kult vazhdon të jetë prezent edhe sot e kësaj dite, ndaj dhe, në rrafshin poetik, në letërsi – në prozën, poezinë dhe dramën, i janë bërë shumë trajtime interesante[3]. Kjo, në veçanti ndërlidhet me kultin e gjarprit të shtëpisë, vrasja e të cilit, në zona të caktuara të Shqipërisë etno-kulturore, historike dhe etno-gjeografike, që nga Berati në jug e deri në Shalë të Bajgores në veri, sjell fatkeqësi në shtëpinë dhe në familjen e atij që e kryen këtë akt.

Sipas besëtytnisë gjarpri i shtëpisë, përveç se është roje e vatrës, njëherësh, është krijesa që e mbështjell fëmijën në djep duke i dhënë atij fuqitë e magjishme të cilat do ta ndihmojnë në jetë[4]. Kjo sentencë na e përkujton legjendën e grekëve të moçëm mbi gjenezën e ilirëve dhe fillet e Ilirisë, gjegjësisht legjendën e gjarprit dhe të Illyriosit.

Motivi i të transformuari, gjegjësisht i metamorfozës së njerëzve në gjarpër, apo edhe anasjelltas, hasen edhe në poezitë popullore, por edhe nëpër tregime të ndryshme popullore, disa prej të cilave, nga shqipja i ka përkthyer në serbishte edhe Vuk Karaxhiqi, dijetari që mban epitetin e babait të gjuhës së sotme serbe. Karaxhiq e ka përkthyer një version të Këngës së gjarprit, duke u shërbyer me motivet e kësaj kënge të kënduar nga rapsodët e Kosovës Qendrore dhe veriore (Rrafshi i Drenicës, i Anadrinisë, i Llapi dhe i Shalës së Bajgores), që flet për dhëndrin i cili në natën e dasmës shndërrohet në gjarpër, si dhe një tregim tjetër shumë të moçëm ndër shqiptarët, i cili flet për legjendën që ka të bëjë me mbretëreshën ilire, Teutën, dhe Risanin, rezidenca kryesore e saj, jo larg Kotorit të sotëm në Adriatik. Aty flitet pikërisht për mënyrën se si është respektuar kulti i gjarprit në pallat, nga bazilesha ilire me fund tragjik në pushtetin e saj.

Sipas antropologut shqiptar, Mark Tirta, gjarpri, në kushte e mendësi të veçanta, aty-këtu, akoma besohet si gjë e shenjtë, e pacenueshme[5]. Ndaj dhe, edhe tregimet, këngët apo edhe gojëdhënat mbi këtë gjallesë, herë-herë, në raste e rrethana të caktuara e shpërfaqin si një qenie me veti të mbinatyrshme. Ndërsa, mundësia e të qenit ose të mos qenit të diçkaje objekt kulti nuk e përjashton aspak trashëgiminë e besimit në vetitë e mbinatyrshme të gjallesave, sendeve a dukurive të caktuara. Ndaj dhe njerëzit kanë besuar në vetitë e mbinatyrshme të gjarprit të shtëpisë, e këtë e vazhdojnë gjeneratë pas gjenerate deri në kohën tonë. Natyrisht, duke iu nënshtruar edhe ligjit të ndryshimeve e të evoluimit të përgjithshëm të mendësive e të psikikës së tyre, brenda kontekstit të kulturës tradicionale të bashkësive shoqërore më arkaike[6].

Përqendrimi në tematikën e demistifikimit dramatik

Te drama Gjarpri i shtëpisë e Ajri Begut hasim një lloj përqendrimi në tematikën e demistifikimit. A. Begu, faktikisht i bënë një lloj introskenimi bashkëkohor mitit mbi gjarprin e shtëpisë, e me këtë, shpërfaq edhe një lloj rezerve ndaj vlerave të traditës të cilat, siç e gjejmë tek drama e tij e përmendur, në një mënyrë apo tjetrën, thellon mitin, por si një mit të situatave, me temë mbi tradhtinë brenda një bashkësie. Këtu autori ia del që të krijojë edhe një si perceptim metafizik të ekzistencës në kontekstin e vuajtjes, së flijimit dhe të martiriumeve të shqiptarëve nëpër kohë të ndryshme.

Ajri Begu na se sjell mitin mbi gjarprin edhe si forma më e lashtë dhe shumështresore të vetëdijes sonë. Në saje të kësaj, kjo vepër krijon konstruksion si dhe fizionomi të një krijimtarie të qëndrueshme dramatike, vlera e së cilës ndikon fuqishëm në artikulimin e jetës shoqërore ndër shqiptarët në përgjithësi. Po ashtu, përmes kësaj drame, rekonstruohet miti i lashtë sa mbamendja jonë kolektive, por edhe vetëdija dhe përfytyrimi ynë mitik për të. Këtu hasen edhe elementë të vjetër të dramës, të cilët, këtu, në një mënyrë apo tjetrën na vijnë të trashëguar nga simbolistët. Diçka të ngjashme me atë për të cilën Floberi do të shkruante se dramaturgjia është një lloj misticizmi i atyre të cilët nuk besoj në shumëçka[7]. Ndaj dhe, si rezultat i krejt kësaj, autori përpiqet që të krijojë dhe të reflektojë mbi temën e qëndresës dhe të tradhtisë në një rrafsh të vetëm, atë të fatit apo fatkeqësisë së trashëguar pikërisht duke u mbështetur tek miti i gjarprit të shtëpisë, dhe për t’u përpjekur që ta fusë atë, sot, në jetën e njerëzve të rëndomtë, siç është rasti edhe me familjen e Can Martinit, por edhe të familjeve tona si bashkëkohanikë të autorit.

Rruga e formësimit artistik në dramën Gjarpri i shtëpisë ndërtohet mbi dy plane: planin familjarë dhe atë shoqëror. Por, përderisa, si e thotë edhe profesor Mark Tirta, sipas besimeve popullore se, nën prag të derës së shtëpisë rrinë shpirtrat e të parëve, apo edhe Orët e mira. Ndërsa, në shtresimet e kësaj tradite popullore, thuhet se aty rri edhe gjarpri i shtëpisë. Ndaj dhe pragu gjithmonë, sipas traditës së moçme shqiptare, nuk duhet shkelur, por ai prore duhet kaluar me të kapërcyer[8].

Tek drama Gjarpri i shtëpisë, autori përpiqet që ta përmbysë mitin si dhe, në mënyrë introspektive ndërsa simbolin e gjarprit të shtëpisë si mbrojtës të saj, ta shndërrojë në rrezik për vetë shtëpinë dhe njerëzit që jetojnë aty. Kështu A. Begu këtu krijon një kontekst të ri letraro-dramatik, duke devijuar nga domethënia elementare e mitit si dhe, duke e shndërruar këtë simbol kult, si një dorë të zgjatur të letrare huajve, gjithsesi intrigues i cili duhet demaskuar me çdo kusht dhe në çdo mënyrë.

Në këtë kontekst, fabula biblike mbi satanain, në vizionin e A. Begut, shndërrohet në gjarpër, duke e zhvendosur, siç u tha, kuptimin parësor të mitit, dhe duke e predimensionuar atë në kuptimësi negative, dhe që, përmes një diskursi të ri të interpretimit të një kulti shumë të moçëm, ta përmbysë atë, e kështu ta shpërfaq realitetin bashkëkohor në koekzistencën e paqëndrueshme ndërmjet të mirës dhe të keqes, frikës dhe shpresës, të gëzimit dhe pikëllimit.

Ndërtimi i metaforave mistike dhe atyre magjike në dramën e A. Begut

Me një gjuhë të pastër poetike dhe me elementë të fuqishëm metaforik, autori, mitin e gjarprit të shtëpisë, i cili që nga lashtësia është konsideruar si mik i shtëpisë[9], e në këtë kontekst edhe si mbrojtës të njerëzve dhe të ko ekzistencën mirave të një shtëpie, e sheh si kërcënim dhe ndihmëtar të pushtuesve dhe pushtetarëve që e cenojnë familjen shqiptare. Këtë optikë të tijën interesante autori e konkretizon përmes dramës së Can Martinit dhe familjes së tij, me ç’rast, gjarpri i shtëpisë shndërrohet në mjet në duart e gruas së këtij personazhi (Sofies), e cila, me hipokrizinë e sajë, josinqeritetin dhe djallëzinë, përpiqet që ta përvetësojë gjithë pasurinë e burrit e me këtë ta rrënoj familjen dhe shtëpinë.

Këtë antinomi (teza dhe antiteza që e përjashtojnë njëra-tjetrën), Begu përpiqet ta shikojë brenda një nukleusi familjar, madje, tejet, tejet intim. Kjo është bërthama e familjes dhe grupit të cilit i përket ajo familje, duke e shndërruar të tërën në një alegori të gjerë dhe të fuqishme, e që ka si rezultat pasojën e tolerimit të to lërimit keqes[10].

Ankthi i familjes së Can Martinit, në një situatë të jashtëzakonshme, siç është përballja me ligësitë e njëpasnjëshme që e godasin atë familje, gjithsesi përkojnë me gjithë atmosferën mistifikuese që bliron nga kjo dramë, të cilën, kritiku Musa Ramadani e quan ngapak të trishtë, ngjethëse e gjithsesi dhe me antonime të theksuara llahtarie[11].

Drama Gjarpri i shtëpisë e A. Begut, edhe kur vështrohet nga ana e ndërtimit të saj, e në veçanti të ndërtimit figurativ, receptohet si një tekst alegorik dhe metaforik, ku përmes figurshmërisë dhe simboleve zbërthehet një skemë mashtrimesh dhe vetëmashtrimesh, njerëzore, por edhe politike e shoqërore të një bashkësie njerëzish; gjegjësisht të dy grupeve të ndryshme të po të njëjtit komunitet[12]. Kështu, realisht, autori ndërton një duzinë metaforash mistike, por edhe magjike në të njëjtën kohë, të cilat, në esencën e tyre kanë karakter çmitizues, ngase, ato i kundërvihen synimit të njeriut për ta projektuar veten e tij në botën e jashtme, pra në botën e njohur si jashtënjerëzore.

Autori i dramës, Ajri Begu, që të dyja këto i ngrenë lartë njëra-tjetrën, si botë impersonale e rrethanave dhe sendeve. Ndaj, në këto pjesë, përballemi edhe me përplasje të fuqishme të interesave, por edhe botëve të ndryshme që krijojnë refleksione të cilat vijë, mbi të gjitha ballafaqimet tjera; por, edhe përplasje, apo ndeshje botëkuptimesh të këtyre njerëzve – që në dramën Gjarpri i shtëpisë, kanë një dukje, megjithatë, të rëndomtë. Përplasjet e pikëpamjeve, të intrigave, etj., që krijojnë situatat e theksuara dramatike në vepër, viç të tjerave e gjenerojnë idenë e të rezistuarit dhe qëndresës, si dhe luftën e paepur të mirës kundër së keqes, por edhe gjakimin liridashës. Ndërsa, sakrificën për ta ruajtur dinjitetin njerëzor, apo edhe identitetin psikologjik[13], etik e kombëtar, gjithashtu shkon dhe thellohet dukshëm, gjithnjë e më tepër, sidomos në kuptimësitë më të gjëra të problemit, e që janë, gati, gati universale ngaqë e karakterizojnë njerëzimin gjithandej.

Në këtë mënyrë, drama Gjarpri i shtëpisë sjell mesazhe të qarta, por edhe vizione interesante për mënyrën e ngadhënjimit mbi të keqen dhe mbi të rrezikshmen, e që, mbi të gjitha, është veçori e poetikës së autorit Ajri Begu në gjithë krijimtarinë e tij letrare dhe dramatike. Talenti i këtij autori vjen në shprehje edhe përmes kuptimeve të shumta që i sjell tek drama Gjarpri i shtëpisë, ku janë mjaft figurative, ashtu që të arrihet tek një lloj përafrimi me të ashtuquajturën simbolikë të racionalizuar të cilën mund ta ndeshim në këtë fragment të veprës:

CANI:
(vetëm)
Kam frikë se mos ma gjen diçka djalin:
Bëri kjo e zezë na mbini,
S’më lanë as Shkumbini![14]

Raport i vartësit me sipërorin si raport i pushtuesit me të pushtuarin

Motivi thelbësor i dramës Gjarpri i shtëpisë zbërthehet përmes raporteve të personazheve brenda familjes siç janë ato ndërmjet Canit dhe të birit të tij Fanit, nga njëra anë, si dhe të Sofies, pra gruas së dytë të Canit dhe të birit të saj Lanit të cilat bëhet dramatike deri në shpërthim të konfliktit, sidomos tek pamja e katërt e dramës:

SOFIA:
Ç’është gjithë kjo mërzi,
Malet janë për burra!

CANI:
Për burra janë!

SOFIA:
Lëre që Fanit nuk ia kam heq gajlen…

CANI:
Fan Martiri …
(Shtrihet në krevat. Sofia e mbulon me jorgan.)
Ti s’do biesh?

SOFIA:
Sa t’i sosi edhe do punë,
Erdha menjëherë.
Natën e mirë![15]

Pra siç shihet, këtë dramë, autori i saj e sjell deri në pikat e vlimit edhe përmes një syzheu të ngjeshur, interesant dhe mjaft të shtresuar, me ç’rast vjen në pah edhe arketipi i monstruozitetit, ngase gjarpri, para së gjithash, nuk është mik i shtëpisë, por, del të jetë një qenie e pabesë. Gjarpri i shtëpisë që na vjen këtu përmes imagjinatës së tij krijuese Begu, futet në jetën e njerëzve të shtëpisë së Can Martirit duke ua nxirë atë dhe duke e bërë një jetë të tillë krejtësisht të padurueshme. Figura mitike e gjarprit të shtëpisë pushon të jetë një si shenjë mbarësie dhe mbrojtjeje familjes, por, falë transformimeve kuptimore që bën shkrimtari A. Begu, ai kthehet në një aq të keqe e aq të madhe aq sa, për të, njerëzit nuk kanë “ilaç” dhe as nuk dinë se si të mbrohen prej tij. Ky gjarpër, tashmë është një krijesë e cila, copë-copë, përditshmërish, e helmon jetët e njerëzve të pambrojtur.

Për dramaturgun Begu, miti tek njerëzit vjen si një e vërtetë sakrale ndërsa, qëllimi i tij është të dëshmojë se ekzistojnë edhe limite kur, të kuptuarit e tyre mund të jete ndryshe, dhe ku, një perceptim, gati-gati tradicional, mund të shndërrohet në një përmbajtje mitike, për çfarë duhet të hidhet poshtë, ashtu që, në vendin e saj të arrihet një përmbajtje tjetër më reale dhe më bindëse.

Gjarpri në shtëpinë e Can Martirit sillet si i gjithëpushtetshëm duke u ushqyer aty apo edhe duke lëvizur në praninë e njerëzve. Madje, madje, edhe duke prezantuar në bisedat më intime që zhvillojnë njerëzit e familjes, duke e krijuar kështu atmosferën e mosbesimi dhe duke e ngritur dyshimin dhe mosbesimin ndërmjet vetë atyre. Për këtë arsye me këtë arrihet tek një pyetje e pashmangshme mbi atë se: çka është, atëherë, miti apo, çfarë është ajo vetëdija mitike?

Në një mënyrë apo tjetrën, këtu, dramatisti Ajri Begu, sikundër edhe Rexhep Qosja te Sfinga e gjallë, Beqir Musliu te Ora e kukuvajkës, Milazim Krasniqi te Një Anigonë e re, Xhabir Ahmeti te Pahintikë në ëndërr, Ymer Shkreli te Zeka i zi udhëton për në Babilon, e Teki Dervishi te Bregu i pikëllimit, sikur u kundërvihet koncepteve mbi mitin të antropologëve të ndryshëm, e në veçanti atij britanik, Bronisłav Malinovski, i cili në librin e tij Miti në psikologjinë primitive thotë se është e pamundshme të bëhet estetizmi i mitit si shprehje poetike dhe simbolike[16]. Sipas A. Begut, në dramën e tij Gjarpri i shtëpisë miti, megjithatë, nuk është i atillë siç ishte, ta themi në bashkësitë primitive, por, sot, u nënshtrohet interpretimeve të tjera të ndryshme dhe shumëdimensionale. Kështu pra, miti nuk është vetëm një tregim apo një fiksion, por është edhe një si realitet i gjallë, ngase, vetë bashkësitë moderne mendojnë se ngjarjet e ndodhura e paraqiten nga paraqet mitet, vërtetë do të kenë ndodhur dhe se si të tilla vazhdojnë të ushtrojnë ndikim edhe në vetëdijen, por edhe në fatin e njerëzve të sotëm. Kjo është ajo që sot quhet vetëdije mitike e njeriut apo grupit.

Këtë vetëdije mitike te Gjarpri i shtëpisë e Ajri Begut, mund ta kërkojmë pikërisht tek vetëdija politike e personazhit kryesor, Can Martiri, në pjesën kur, kryeprotagonisti i dramës jeton brenda një dyzimi të pashmangshëm: të vetëdijes mitike dhe të frikës së dyanshme të vënë në ekuivalencë, duke u përpjekur që të krijojë balance shpirtërore, sidomos përmes vendimit të tij që të tolerojë bashkëjetesën me gjarprin nën një çati – natë e ditë – me shpresë se ashtu do ta ruaj rehatinë e tij bashkë me kohezionin e familjes, edhe pse, nga dita në ditë, është e kuptueshme se diçka e tillë është e pamundshme. Jeta e këtillë në ankth zhvillohet në dyshime dhe me ndjenja mbi rrezikun latent duke e bërë që kryepersonazhi të mos ndërmerr asnjë veprim, ashtu që, kjo atmosferë shndërrohet në një si pasqyrim i reliktit të vetëdijes njerëzore mbi mundësitë e të jetuarit bashkë të të mirës dhe së të keqes.

Në zhvillimet e mëtejme të syzheut pasojnë konflikte, sakrifikime, rënie e ngritje; vdekje dhe ngadhënjime mbi të, e të gjitha këto si pasojë të të ushqyerit, përqafimit si dhe teprimit të të keqes në shtëpi[17]. Kur ta shqyrtojmë mitin në dramën Gjarpri i shtëpisë të Ajri Begut, në realitetin e saj ndikues mbi njerëzit, ky mit, të thuash, për një çast, as edhe nuk na duket më të jetë shprehje e një realiteti virtual, por, më shumë shprehje e një realiteti shoqëror dhe politik të një mjedisi. Madje, ai më nuk na vjen as edhe si një produksion simbolik, por, kryekëput, si një shprehje e drejtpërdrejtë e temës me të cilën ka të bëjë konkretisht e që është – vrazhdësia e pushtetit dhe shkatërrimi i një të një bërthame të shoqërisë, që është familja. Kjo vjen, jo vetëm si një konstatim apo edhe sqarim filozofik apo psikologjik i një rrethane të kompozuar dramatike, por, para së gjithash, të përjetuar të përsëritur (përmes narracionit dramatik) të diçkaje që është shumë bindëse dhe shumë reale. Pra, të asaj që ka ndodhur, apo edhe që ndodhë tashti. Ndaj, kjo dramë e nxjerr mbi sipërfaqe vetë procesin e keqpërdorimit të një miti, madje, madje, të një kategorie etnopsikologjike, e që, del të jetë vetëm një lojë, apo edhe proces mashtrimi apo manipulimi. Kështu, përmbysja e realitetit dhe krijimit të një qarku, pak a shumë virtual, në të cilin janë futur njerëzit dhe nga i cili nuk mund të dalin, ngase nuk e dijë se a duhet të dilet nga kjo vorbull, del të jetë një akt i paramenduar dhe i shëmtuar i shërbimit të keqes në emër të mirës; të zezës në emër të bardhës. Dhe, nëse do t’i referohemi edhe asaj që Jungu e quan arketip[18], atëherë, në kontekstin e dramës Gjarpri i shtëpisë, dhe mënyrës se si e funksionalizon një mit ky, brenda një konteksti politik he shoqëror, atëherë vetë arketipin në këtë dramë, si model, para-shembull apo edhe prototip, mund ta definojmë si diçka që i përket më shumë gjeneratave e që del të jetë një trashëgimi kolektive, e cila pjesërisht, trashëgohet nga brezi në brez gjenetikisht, e pjesërisht përmes transmisionit kulturologjik dhe me të mësuar.

Në dramën Gjarpri i shtëpisë, proceset janë projektuar dhe modeluar saktë, sado që gjuha e alegorisë dhe e metaforës, janë procese, që veprojnë në shenja të luftës dhe të shndërrimeve politike. Shi për këtë, këtu, edhe arketipet dalin të mos jetë vetëm një kornizë, apo vetëm një strukturë e cila ka brenda vetes, vetëm, përvoja të caktuara, por ajo është një model dinamik, gjegjësisht, një prototip që përmban brenda vetes energji të mëdha përmes të cilave ndikon tek sjelljet e individëve dhe të kolektivitetit të caktuar.

Miti i moscenueshmërisë nën maskën e ruajtjes së kujtesës së lashtë kolektive

Miti i moscenueshmërisë të gjarprit të shtëpisë, si roje shtëpie, roje kolektiviteti, ogur mirë, etj., zhvillohet në mënyrë mjaft dramatike në çastin kur gjarprin e kanë pranuar në shtëpi, nga lëvizja për mbrojtjen e këtyre krijesave, meqë, kështu, pushteti ia del që, nën maskën e kësaj; nën maskën e ruajtjes së mbamendjës së lashtë mbi këtë kult dhe të kultivimit të këtij miti të krijojë arsyeshmëri, por edhe alibi për akëcilin krim që mund të ndodhë në shtëpinë e Can Martirit, qoftë ajo e ndodhur nga brenda shtëpia, apo edhe jashtë saj.

Kështu, rrethana e përgjithshme në këtë dramë përshkruhet si një lloj i skllavërimit shpirtëror të njerëzve, me ç’rast, autori e ndërton atmosferën me përplot mjegull dhe me përplot të panjohura që ndodhin aty, duke e krijuar një atmosferë, vërtetë të mistifikuar, me ç’rast individualizohen bartësit e modeleve të moçme dhe të vjetruara për një shoqëri bashkëkohore, pra të jetës që i kanë dhënë krah të ligës dhe të keqes, duke na e bërë të ditur atë që e kuptojmë edhe nga citati i mësipërm se: “… atë që s’do ta arrinte vetë Gjarpri/ Se do të pëlciste gjaku/ Me dorë të vetë, nga brenda/ E bëri plaku..”, shprehet Fani, njëri nga personazhet e kësaj drame sepse, djallëzimet dhe monstruimet pa vetëdije dhe pa iluzione do t’i arsyetonte me fjalët:

CANI:
… Gjarpri na sjell
Fatin, lumturinë, e mbron shtëpinë;
Të mos e ngasim se nuk na nget
Pa i rënë në qafë;
Të pafytyrëve që do ta bëjnë këtë turp,
gjarpri do t’u lidhet në trup[19].

E kuptojmë se kështu në familjen e Can Martirit lindin shumë kundërthënie, për shkak të përfilljes, pra të honepsje së gjarprit brenda shtëpisë nga një pjesë e anëtarëve të familjes, si dhe të kundërshtimit të tij nga ana e pjesës tjetër, e që, siç e mësojmë, personifikohet përmes njerëzve të cilët e kanë veshur këmishën e padukshme. Dhe, pikërisht këtu iniciohet dhe nisë një luftë e llahtarshme e cila, faktikisht shndërrohet në një lloj alegorie e përplasjes mes qëndrimit të arsyeshëm dhe atij të paarsyeshëm rreth të njëjtës çështje. Respektivisht, këtu kemi të bëjmë edhe me një tip metafore përmes së cilës zbërthehen marrëdhëniet brenda një grupi njerëzisht të të njëjtës përkatësi, duke u pasqyruar kjo me zhvillimet që ndodhin në shtëpinë e Can Martirit dhe, ku shpërfaqet lufta e njohur ndërmjet atyre që bartin dhe përçojnë dhe tradicionale dhe atyre që përpiqen t’i hedhin poshtë ato, për t’i zëvendësuar me ide të reja dhe më përparimtare të cilat duken më çliruese për vetë njerëzit. Kryekreje, këtu, përmes kontroversave dhe kundërshtive që ndërlidhen mbi rolin e një gjarpri në shtëpinë e njerëzve, faktikisht, krijohet një si vizion mbi mundësitë e ngadhënjimit apo edhe të dështimit të njërës prej kauzave: kauza për ruajtjen e të moçmes dhe tradicionales, me çdo kusht, apo edhe ajo për mposhtjen e saj dhe futjes në një proces të ri jetësor dhe më progresiv.

Këtë e marrim vesh përmes monologut të FANIT kur, me përplot brenda dhe shqetësim thotë se:

… Ajo që më mërzitë më tepër,
Është fakti se ata janë ngjallur,
Qesin krye
Edhe atje ku gjithnjë kemi menduar
Se s’ka Gjarpër.
Kështu ndodh sa herë që kanë mbështetje
diku
Qoftë ajo në bindjen tonë
Vetëdijen kolektive për pacenueshmërinë
e tij
Apo në ndonjë mbështetje të jashtme
Të shprehur në formën e autoriteti të pushtetit
të një individi
apo regjimi, si ky që është tani[20].

Këtë konstatim të guximshëm, sado që është pjesë e metaforës dhe e kontekstit të dramës mbi mitin e gjarprit të shtëpisë, dramaturgu e artikulon qartësisht brenda kontekstit politik, ngase, në kohën kur është shkruar dhe botuar kjo vepër e tija, ai ka jetuar në Prishtinë, brenda një sistemi politik unitar, shumë të egër, ku ka mbisunduar autoriteti dhe autoritarizmi, që dominonte çdo pore të jetës, e që ndërlidhje me kultin e personalitetit dhe diktaturën nën të cilën ka jetuar autori dhe bashkëkombësit e tij. Pra, këtu, A. Begu, dramën e tij përpiqet që ta nxjerrë nga konteksti mitik dhe ta vë në një kontekst tjetër atë politik, duke iu afruar me këtë rast gjykimit për një proces që bie në kuadrin e antropologjisë politike.

Në këtë pjesë aluzioni i dramaturgut është edhe shumë më i qartë, më konkret. Edhe para vitit 1981, e sidomos pa këtij viti kthesë në historinë e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë (Në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore), ndodh një fushatë e tmerrshme e represionit. Një moment kur agjentët e sigurimit jugosllav të shtetit (UDB-së) u shumuan tej mase dhe si rrëshqanës futen nëpër shtëpitë e njerëzve duke ushtruar dhunë dhe terror mbi ta. Ndërsa, në familje kishte përplase, në veçanti ndërmjet brezave – ndërmjet atyre që mendonin se një autonomi e brishtë që e kishin shqiptarët mund të ishte e mjaftueshme për të mbijetuar dhe ruajtur identitetin, dhe një brezi të ri i cili ishte i bindur se duhej çjerrë maskën e barazisë dhe të “vëllazërim-bashkimit” të proklamuar, ngase shqiptarët o duheshin bërë të barabartë me të tjerët, o duhej shkatërruar krijesa shtetërore e quajtur Jugosllavi. Duke pasur parasysh hegjemonizmin serb, dhunën dhe terrorin që po ushtrohej në Kosovë, e tërë ajo rrethanë, mbi të gjitha i përngjasonte asaj thënies së njohur nga “Ferma e kafshëve” e Xh. Orvel se: të gjitha kafshët janë të barabarta, porse, disa kafshë janë më të barabarta se sa të tjerat, me çfarë një vend arrin në diktaturë dhe diskriminim të atyre që ishin më pak të barabartë[21].

Këtu, kontekstin që e krijon autori në dramën për gjarprin e shtëpisë, në një mënyrë apo tjetrën ndërlidhet me modelin e të ashtuquajturve shqiptarë të ndershëm, e që ishin shërbëtorë lojal të regjimit të Beogradit, të Shkupit apo edhe të Titogradit. Ata që duheshin qenë një model për të gjithë shqiptarët tjerë, të cilët, pavarësisht nga rrethanat në të cilat po mbijetonin pjesëtarët e komunitetit të madh shqiptar në atë vend, bënin gjithçka për të qenë në anën e pushtetit dhunues me tipare koloniale. Por, e keqja ishte se ata, si shqiptarë, kishin qasje çdo kund: shtëpi për shtëpi, në pyll, në arë, në shkolla, në teatër, nëpër gazeta e televizione. Dhe, për këtë paraqitnin rrezikun më të madh për njerëzit. Ndaj dhe Fani do të shprehet me sa vijon:

Jo, o vëlla, jo;
vërtetë krijuam këtë simbol
Nga i cili druajmë ditë e natë;
vërtetë jetojmë me Gjarpër në Shtëpi[22].

Përfundim

Shikuar në një përmasë më të përgjithësuar, në dramën Gjarpri i shtëpisë dhuna është lëndë e trajtimit artistik. Kjo dhunë, është e determinuar në kohë dhe hapësirë. Një dhuna me fizionomi dhe karakteristika individuale, autentike. Atë që pushteti e instalon përmes prezencës së gjarprit në shtëpi, i cili, futet brenda mureve të banimit të një familjeje si një orë e mirë dhe shkakton dhembje dhe trishtim.

Kjo tematikë, në trajtimin dramaturgjik që i bëri A. Begu, nuk është panjohur për dramaturgjinë shqiptare, por as në letërsi, në përgjithësi. Në vitet kur është shkruar kjo dramë, ditë e më bindshëm temat e këtilla të huajtura nga mitologjia, legjendat, baladat, e që me një fjalë vinin nga tradita gojore shqiptare, u transponuan artistikisht edhe nëpërmjet forcës shprehëse antropologjike. Drama Gjarpri i shtëpisë e Ajri Begut, në këtë mes, megjithatë, synon dhe ofron një mënyrë individuale të shprehjes së rrëfimit dramatik. Synimi karakteristik i këtij rrëfimi është gjakimi që, jo të shkruajë dramë mbi fatin e pjesëtarëve të një familjeje, por ta vë në shënjestër fenomenin e dhunës në një bashkësi të tërë njerëzish. Ndaj dhe, ky pikëvështrim ofron edhe një poetikë mjaft individuale në rrethanat e dramës sonë nacionale, për të cilën është e pamundshme të flitet jashtë kontekstit antropologjik dhe në format që vijnë sipas konventave klasike. Zaten, kjo dramë, sikundër edhe shumica e veprave që trajtojnë mitet e lashta dëshmon se, që edhe qasja e vlerësimit të saj përmes antropologjisë, që moti e ka tejkaluar modelin trajtimit të dramës vetëm në rrafshin përmbajtje – formë, meqë kështu është konstatuar se, gati, gati, është fare e pamundshme që ky tip i prozës, të eksplikohet përmes metodave standarde apo edhe të klisheizuara që përmbyllën vetëm brenda teorisë së dramës.

Këtu bëhet fjalë, kryekëput për një poetikë hapësinore, siç shprehet edhe Bashlar në të cilën, e kundërta nga ajo që nënkuptonte Bodleri me sintagmën – “… dendësi përmbajtjesore e lumturisë dimërore”, tonaliteti eksterier dhe interier i nënshtrohet peshës dhe pushtetit të acarit[23]. Ndaj dhe vepra e Ajri Begut i ka folur kohës së vetë, por i flet edhe të sotmes. /Telegrafi/

____________

[1] Vatra samotvora. Antologija narodnih bajki, përgatitur nga Radoje Radojević, Biblioteka „Luča“, knj. 49, NIP ”Pobjeda”, Titograd, 1976, f. 16.

[2] Samardžija, Snežana. Oblici usmene proze, Službeni glasnik, Beograd, 2011, f. 273.

[3] Si motiv e gjejmë tek poezitë e Mirko Gashit, në përmbledhjen e poezive Gjarpri i shtëpisë apo edhe në romanin me të njëjtin emër, pra Gjarpri i shtëpisë të autorit Arian Leka, ku edhe bëhet një përpjekje për tejkalim grotesk të tabusë totemike mbi këtë gjallesë e cila, sipas mitologjisë jeton brenda shtëpive të shqiptarëve; por edhe tek autor tjerë.

[4] Rovinski, Apolonovič, Pavel. Etnografija Crne Gore, vëllimi II, CID, Podgorica, 1998, f. 326.

[5] Tirta, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Dega e Etnologjisë, Tiranë, 2004. f. 146.

[6] Po aty.

[7] Kot, Jan. Kavez traži pticu, “Gradina”, Nis, 1983. f. 100.

[8] Tirta, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Dega e Etnologjisë, Tiranë, 2004. f. 186.

[9] Këtu kemi të bëjmë për një traditë ndër shqiptarët, e cila është traditë e besimit në gjarprin e shtëpisë si roje e shtëpisë dhe e jetës së njerëzve që jetojnë në të, traditë kjo e cila akoma besohet dhe kultivohet ndër ne, besim ky i cili, duke qenë në dijeni për të, siç e thotë edhe studiuesi B. Rexhaj, të tjerët u përpoqën që ta shpërdorojnë me perfiditet të madh.

[10] Islami, Nebi, Historia dhe poetika e dramës shqiptare (1886-1996), ARTC, Prishtinë, 200, f. 65.

[11] Ramadani, Musa, Premiera shqiptare, Reminishenca e një udhëtimi shumëshekullor, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1994, f. 28.

[12] Rexhaj, Besim, Drama shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore 1948-2008 – Poetika, tipologjia, periodizmi, Vëllimi II, “Faik Konica”, Prishtinë, 2009, f. 120.

[13] Ndoci, Naxhi, Shikime nga skena”, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup 1991, f. 80.

[14] Begu, Ajri, Gjarpri i shtëpisë, “Rilindja”, 1985, f. 63-64.

[15] Po aty, f. 29.

[16] Malinowski, Bronisław, Kaspar. Myth in Primitive Psychology, “Angell Press”, London 2013, f. 1. 14.

[17] Islami, Nebi, Historia dhe poetika e dramës shqiptare (1886-1996), ARTC, Prishtinë, 200, f. 66.

[18] Pavetëdija kolektive përbëhet nga arketipe. Jungu i quajti ato dominantë, imago, imazhe mitologjike ose të hershme, dhe me disa emra të tjerë, por emri arketip, duket se u zuri vendin të gjithëve. Arketipi është një prirje e pamësuar për t’i përjetuar gjërat në një mënyrë të caktuar. Arketipi vetë nuk ka formë, por vepron si një “parim organizues” mbi gjërat që ne shohim dhe bëjmë. Ai funksionon në mënyrën që funksionojnë instinktet në teorinë e Frojdit: së pari, fëmija do diçka për të ngrënë, pa e ditur se çfarë do. Ai ka një dëshirë të papërcaktuar të cilën mund ta kënaqë me disa gjëra dhe jo me disa të tjera. Më vonë, duke fituar përvojë, fëmija fillon të dëshirojë gjëra më specifike kur është i uritur.

[19] Po aty, f. 13.

[20] Po aty, f. 23.

[21] Mulliqi, Haqif, Si e shihte botën rreth nesh, Xh. Orvel, “Kosova sot”, Prishtinë”, 2004, f. 18.

[22] Begu, Ajri, Gjarpri i shtëpisë, “Rilindja”, 1985, f. 23.

[23] Aliu, Ali, Kritika, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 72-73.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori