Mirlind Daku shënon dy gola ndaj Orenburg – pas të parit qau pasi ishte dedikim për gjyshin e ndjerë

Sulmuesi shqiptar, Mirlind Daku ka shënuar dy gola në ndeshjen e sotme (e shtunë), të ekipit të tij Rubin Kazan në udhëtim te Orenburg.
Rubin Kazan ka barazuar me rezultat 2-2 në udhëtim te Orenburg në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë në Superligën e Rusisë.
Lojtari kryesor i mysafirëve edhe në këtë ndeshje ishte sulmuesi i kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, i cili shënoi dy gola.
Goli i parë i djaloshit gjilanas erdhi në minutën e 16-të për 0-1, ndërsa në minutën e 34-të shënoi për 0-2 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.
Megjithatë, vëmendje më të madhe mori goli i parë, i cili përveçse ishte i bukur dhe nga distanca ai pati edhe një dedikim.
Ky gol iu dedikua gjyshit të tij të ndjerë, i cili i vdiq dje (e premte), për të cilin Daku qau pas golit dhe për të cilin ka folur jo rrallëherë që ka pasur një raport të veçantë.
Ndryshe, Daku deri tani këtë sezon ka shënuar gjashtë gola dhe renditet i dyti në listën e golashënuesve. /Telegrafi/


















































