“Mentaliteti turk vështirë e pranon homoseksualitetin”

Të shohësh dy meshkuj duke u puthur, në mentalitetin turk nuk është e pranueshme. Të kesh fëmijë me preferenca të tilla seksuale nënkupton një të sëmurë. Ky është rrëfimi i “My Child” një dokumentar 82 minutësh, i cili sjell prindër të fëmijëve të komunitetit gej, lesbike, transgjinor dhe biseksual. Regjisori Can Candan, regjisor me nam në Stamboll ka mbledhur 700 persona në premierën e dokumentarit në Stamboll, me një sallë me kapacitet prej 500 ulëseve. Karakteri i prindërve, tregimet rrëqethëse, mbështetja dhe aktivizimi i grupit të prindërve dhe aktit të tyre heroik janë vetëm disa prej sekuencave të dokumentarit që u dha dje në kuadër të edicionit të 12-të të festivalit Dokufest, i cili po zë vend në Prizren.
“Me prindër të tillë, fëmijët ndihen më pak të vetmuar, dhe pastaj dalja në publik e këtij grupi përbën një efekt të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike turke” thotë Candan. Ai ka vite të tëra që merret me temat e të drejtave të njeriut dhe aktivizmin, prandaj thotë se nuk është e rrezikshme që të ekspozohesh në një mënyrë të tillë në Turqi, sado që shoqëria ka pikëpamje konservative në raport me komunitetin LGBT.
“Të bësh film në Turqi mbi tabutë dhe të drejtat e njeriut apo ato të homoseksualëve nuk është shumë e vështirë. Unë para së gjithash kam qenë gjithmonë i interesuar në tema të tilla, dhe kur i kam dëgjuar tregimet e prindërve kam kuptuar se ato mund të transformojnë njerëz dhe mund të prekin thellë tyre” vazhdon Candan. Janë mbi 10 mijë persona që kanë shikuar deri tash dokumentarin, për gjithsej 6 muaj shfaqje, ndërsa lajmet dhe media turke ka raportuar kryesisht mirë mbi dokumentarin, përpos dy rasteve që regjisori thotë se kanë qenë raportime të porositura.
“Unë gjithmonë kam bërë tri pyetje: A keni prindër, a jeni vetë prindër dhe a keni fëmijë në familjen tuaj. Përgjigjjet natyrisht se ishin pozitive, dhe kam dashur të reflektoj mbi këto tri role familjare në mënyrë që ta marrin më qetë idenë se një fëmijë yni mund të ketë afeksione biseksuale, homoseksuale apo transgjinore” vazhdon Candan.
“My Child” ka marrë pjesë në festivale të filmit në Selanik, Turqi, Montreal, Romë e Londër. Për të është debatuar edhe në Parlamentin Turk, sado që shfaqja e filmit nuk është lejuar nga “kokat e mëdha të shtetit, kokat konservative”, siç thotë regjisori. Filmi, pritshëm, ka marrë edhe debate dhe role interesante, ndërsa për herë të parë një film i tillë ka pushtuar ballinat e gazetave turke, kjo sipas regjisorit ndodh shumë rrallë në skenën kulturore që zhvillohet në Stamboll.
“Pas filmit kam pasur dy raste interesante: i pari qe rasti i një të riu nga Izmiri, i cili pasi ka parë filmin ka dalë publikisht me deklarimin se është gay, dhe një lesbike ka bërë po ashtu të njëjtën gjë. Njerëzit kanë qarë pasi e kanë parë filmin” tregon regjisori Can Candan, duke shtuar se “Stambolli e ka bërë filmin, jo vetëm unë”. /Zëri/




















































