LAJMI I FUNDIT:

Menaxhmenti i Trustit shpërblen vetën me bonuse

Menaxhmenti i Trustit shpërblen vetën me bonuse

Krahas rrogave të majme që marrin, menaxhmenti i Trustit e ka shpërblyer vitin e kaluar me mijëra euro bonuse stafin e këtij institucioni. ORAinfo ka gjetur se nga ky institucion janë ndarë gjithsej 38 mijë euro në formë bonusesh, që është trefish më shumë se viti pararendës

Ndonëse punëtorët në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, njihen si zyrtarët më të paguar në Kosovë, kjo nuk i ka penguar drejtuesit e këtij institucioni që të ndajnë mijëra euro në formë bonusesh për stafin.

Sipas raportit të Trustit për vitin 2017, ky institucion ka ndarë bonuse afër 40 mijë euro për 26 punëtorë sa janë staf i rregullt.


ORAinfo ka gjetur se kjo është trefish më shumë se viti pararendës, përkatësisht viti 2016, kur bonuset kanë qenë afër 10 mijë euro.

“Puna jashtë orarit, bonuset dhe tarifat e mbajtjes – 38 mijë euro”, thuhet në raportin e fundit të këtij institucioni, për vitin 2017. Në raport nuk ceket se pse janë trefishuar bonuset si dhe as arsyeshmeria e ndarjes së tyre.

Ndërkaq, rritja e bonuseve është reflektuar edhe në rritjen e totalit të shpenzimeve për stafin. Kështu derisa për vitin 2016 shpenzimet për stafin kanë qenë 560 mijë euro, me 2017 ato janë ngritur në 599 mijë euro.

Në një përgjigje për gazetën, zëdhënësi në këtë institucion Jeton Demi, këtë e ka arsyetuar me, siç ka thënë ai, “performancën e mirë të Trustit përgjatë vitit 2017”.

“Ngritja në këtë rast lidhet me performancën më të mirë të kthimit nga investimet për vitin 2017 (mbi 100 milionë euro) por edhe shërbimet e kontribuueseve (mbi 100,000 shërbime pa ankesa) dhe është për te gjithë stafin (por jo për Bordin Drejtues), gjë që më 2016 nuk kishte ndodhur”, ka thënë Demi për ORAinfo.

Ai ka thënë se Bordi i FKPK-së është përcaktuar që bonuset mund të ndahen për punëtorët vetëm kur performanca e institucionit nga investimet është pozitive.

“Kjo behet në mënyrë që të inkurajohet dhe motivohen punonjësit kur rezultatet janë të shkëlqyeshme”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, shpenzimet e larta për paga dhe mëditje të këtij institucioni janë kritikuar shpesh nga shoqëria civile dhe së fundi edhe nga deputetët, ku madje morën edhe masa për uljen e tyre. Mirëpo, pagave të majme, tashmë u janë shtuar edhe shpenzimet për bonuse.

Tre zyrtarë në Trust me shpenzime gati sa gjysma e stafit

Për vitin 2016, pagat e komplet stafit në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës arrijnë afër gjysmë milioni euro. Por janë vetëm tre zyrtarë të lartë në këtë institucion pagat e të cilëve arrijnë gati gjysmën e kësaj shume.

Fjala është për Adrian Zallin, Drejtorin menaxhues në Trust, Vërshim Hatipin Zëvendësdrejtor për Financa dhe Agron Krasniqin, Zëvendësdrejtor për Operacione.

Të tre së bashku nga pagat dhe mëditjet gjatë vitit 2016, kanë realizuar të hyra në vlerë prej 150 mijë euro. Kjo është gati sa gjysma e shpenzimeve për krejt stafin në Trust.

I vetëm Zalli në cilësinë e Drejtorit të Trustit ka realizuar të hyra afër 60 mijë euro. Këtu përfshihen pagat dhe mëditjet. Ndërkaq, paga e Zallit është rreth pesë mijë euro dhe vlerësohet ndër zyrtarët më të paguar në Kosovë.

Edhe dy vartësit e Zallit, Vërshim Hatipi e Agron Krasniqi paguhen majm. Sipas asaj që ka deklaruar në Agjencinë Anti-Korrupsion, të hyrat vjetore të Hatipit si Zëvëndësdrejtor për Financa në Trust arrijnë në 45 mijë euro. Ndërsa të hyrat e Krasniqit janë 35 mijë e 742 euro.

Bordi i Trustit 161 mijë euro shpenzime për 6 takime

Paga të majme në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës marrin edhe anëtarët e Bordit në këtë institucion. Në Bord janë pesë anëtarë, që gjatë vitit 2017 kanë mbajtur vetëm gjashtë takime, por të hyrat e tyre janë mjaft të larta. Secili ka të hyra mujore mbi 1 mijë euro, ndonëse takimet të rralla.

Sipas ueb faqes së Trustit, gjatë vitit 2017 Bordi është mbledhur gjashtë here, mirëpo në total shpenzimet e tyre për këtë vit arrijnë plot 160 mijë euro.

Kryesuesi i Bordit, Ymer Havolli, sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Anti-Korrupsion, ka realizuar të hyra prej 16 mijë e 790 euro. Po kaq të hyra ka realizuar anëtari tjetër i Bordit, Behxhet Haliti. Ai ka deklaruar të hyra nga ky institucion në vlerë prej 16 mijë e 424 euro.

Ndërsa, anëtari i tretë Ruzhdi Morina ka deklaruar 16 mijë e 854 euro, të hyra. Në Bordin e Trustit janë edhe dy anëtarë ndërkombëtarë, por të hyrat e tyre nuk dihen nga pamundësia për deklarim në Agjencinë Anti-Korrupsion. /orainfo/