LAJMI I FUNDIT:

​Mbrojtja e Shalës synon që dosjen paraprake ta dorëzojë nga mesi i shtatorit

​Mbrojtja e Shalës synon që dosjen paraprake ta dorëzojë nga mesi i shtatorit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur konferenca e shtatë mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Mbrojtja e tij, Jean-Louis Gilissen tha se po synojnë që deri në mesin e muajit shtator ta dorëzojnë dosjen paraprake, ndërsa në fillim të po këtij muaj ta bëjnë kundërshtimin e pranueshmërisë së provave.

“Do të arrijmë që dokumentin që kundërshton pranueshmërinë e provave ta dorëzojmë nga fillimi i shtatorit që është fundi i pushimit të gjykatës… Më duket që nga mesi i shtatorit do të jemi në gjendje që të dorëzojmë dosjen paraprake. Unë mendoj që kjo është e arsyeshme”, tha ai.


Para pauzës së kësaj seance gjykatësi, Nicolas Guillou tha se ka caktuar një afat kohor për transmetimin e kësaj çështjeje për gjykim dhe data është 31 maj 2022. Ai me këtë rast kërkoi nga palët e veçanërisht nga mbrojtja që të punojë më shumë në mënyrë që dosja paraprake t’i dorëzohet sa më shpejt trupit gjykues.

“Nga parashtrimet e mbrojtjes me shkrim e kuptoj se janë në procesin e kryerjes së hetimeve, por për shkak të vonesave në procesin e nxjerrjes së materialeve mbrojtja nuk mund të tregojë kohëzgjatjen e hetimeve të saj të pritshme. Mbrojtja ka konfirmuar se synon që të dorëzojë dosjen e vetë paragjyqësore, por nuk mund të tregoj se kur. Kërkoj nga mbrojtja që këtë informacion të na e jep sa më shpejt të jetë e mundur. Meqenëse janë nxjerrë të gjitha dokumentet kryesore si dosja paraprake e ZPS-së, pastaj tabela, unë kam caktuar një afat kohor për transmetimin e kësaj çështjeje për gjykim dhe kjo datë është 31 maj 2022. Nuk e kam ndërmend që t’i zgjas pa kufi afatet. Palët duhet të punojnë sa më shumë dhe shpejt, në mënyrë që çështja t’i dorëzohet trupit gjykues për gjykim. Në parashtrimet e veta me shkrim mbrojtja nuk e bën të qartë nëse kërkon afat të ri për detyrimet e saj për dorëzimin e dosjes paraprake edhe pse konkretisht ka bërë se çdo kërkesë për shtyrjen e afatit të përkohshëm duhet të ketë arsye bindëse”, tha ai.

Pas kësaj reagoi avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen i cili tha se meqenëse dosja kundër klientit të tij ka nisur para disa viteve, ZPS-ja ka pasur mundësi të përgatisë çështjen dhe është e pamundur që brenda një vitit pala mbrojtëse ta përgatisë dosjen paraprake,

“Dosja kundër zotëri Shala ka filluar para disa viteve. Gjatë këtyre viteve ZPS ka pasur mundësinë ta përgatisë çështjen e saj. Ne merremi me këtë çështje prej më shumë se një vit dhe jam i çuditur dhe i zhgënjyer që ju po mendoni se ne nuk po punojmë sa duhet apo me ritmet e duhura. Kjo nuk është e vërtetë. Ne përballemi me një numër vështirësitë lidhur me nxjerrjen e materialeve nga ana e ZPS-së dhe ju e dini shumë mirë që ata kanë pasur vështirësi dhe nuk e kanë përfunduar nxjerrjen e materialeve. Prokurori kërkon të shtojë dëshmitar të rinj dhe më duket sikur ju tërë trysninë po e shtoni mbi palën tonë. Të fillojmë me hetimin. Ju e dini sa i vështirë është organizmi në terren i ekipeve që të merren me çështjen e hetimeve. Ne kemi filluar këto hetime. Ishim në Kosovë para dy javësh. Ishte vizitë e frytshme dhe gjetëm një numër çështjesh shumë të çuditshme dhe ndoshta jo aq të çuditshme sepse kur lexoheshin informacionet e siguruara nga ZPS-ja krijuam një ndjesi kundër disa dëshmitarëve dhe elementeve. Në terren takuam një numër njerëzish. Ishim te fabrika e famshme e Kukësit dhe zbuluam një numër gjërash shumë interesante, andaj dëshirojmë t’i vazhdojmë hetimet edhe gjatë kohës së gjyqit” , theksoi ai.

Tutje ai tha se meqenëse e kanë kaluar 20 vjet nga faktet e pretenduara, kjo po iu krijon vështirësi pasi disa dëshmitarë kanë vdekur dhe madje disa dokumente pala mbrojtëse nuk po arrin t’i sigurojë pasi tani nuk ekzistojnë.

Ai tha se kanë angazhuar edhe një ekspert ndërkombëtar mjeko-ligjor lidhur me trupin e vëllait të një dëshmitari të rëndësishëm në rastin e Shalës.

“Ka më se 20 vjet qe nga koha e fakteve të pretenduara dhe kjo krijon vështirësi e dini se disa njerëz kanë ndërruar jetë, disa nga dëshmitarët e akuzës kanë vdekur. E njëjta gjë vlen edhe për palën mbrojtjes. Ne kur vizituan Organizatën e Veteranëve të Luftës, Qeverinë, pjesëtarë të UÇK-së, pasi që jemi detyruar të bisedojmë me ata, dhe ata nuk janë në gjendje të na sigurojnë dokumentacione të cilat kanë ekzistuar dikur, por nuk ekzistojnë më për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar. Ju mendoni që ne brenda një viti të mund të hartojmë dosjen tonë paraprake. Ne kemi marrë dosjen paraprake të ZPS-së vetëm para disa ditëve. Dhe kur e lexoj këtë dosje paraprake, kam zbuluar një dyzim emrash të njerëzve që nuk kishim dëgjuar më parë. Duhet që të kontrollojmë e verifikojmë hetojmë lidhur me këtë. Është problem i disiplinës në këtë çështje, nuk kemi gjë për të fshehur këtu, megjithatë ne përballohemi me një problem shumë të madh për shembull që ka të bëjë me trupin e vëllait të një dëshmitari tepër të rëndësishëm. Ne vendosëm kontakte me disa ekspertë të fushës mjeko-ligjore, jo miq të mi, por ekspertë ndërkombëtarë të mirënjohur dhe po presim rezultatet dhe mbrojtja e Shalës varet nga datat e këtij eksperti mjeko-ligjor. Ne po hetojmë me disa çështje shumë çuditëse. Dëshmitarët e rëndësishëm kundër Shalës i kanë ndryshuar shpeshherë deklaratat e tyre dhe jemi të çuditur se si hetuesit nuk i kanë pyetur se përse i keni ndryshuar deklaratat aq shpesh”, u shpreh ai.

Pas deklarimeve të palës mbrojtëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar u shpreh se shumicën e dokumenteve të çështjes së tyre i kanë nxjerrë para verës 2021, ndërsa lidhur me ndryshimin e deklaratave të dëshmitarëve u tha se për këtë është njoftuar me kohë mbrojtja e Shalës.

Ndërsa, prokurori i ZPS-së, Felipe Dominique, tha se nuk e kundërshtojnë një shtyrje të arsyeshme të afatit që kërkon mbrojtja me qëllim që të paraqesë çështjen e saj në mënyrë të duhur.

“Shumicën e dokumenteve të çështjes sonë e kemi nxjerrë para përfundimit të verës së 2021. Çështja jonë nuk ka ndryshuar. Hetimi, për shembull, një vizitë në këtë fabrikën e metalit mund të ishin bërë më përpara. Ndryshimi i pretenduar i deklaratave të dëshmitarëve kanë qenë të njohura për palën mbrojtura prej një kohe të gjatë. Hetimet shtesë që ZPS është detyruar t’i bëjë kohët e fundit kanë ndodhur për shkak të ngjarjeve të paparashikuara”, theksoi ai.

Avokati i Pjetër Shalës u shpreh se do ta kundërshtojnë pranueshmërinë e disa materialeve të nxjerra në bazë të rregullës 102, por shtoi se ndonëse çështja e Shalës nuk është aq voluminoze dhe jo aq e rëndë sa rastet tjera që po merret Gjykata, por deklaroi se kanë pasur disa vështirësi.

Ai madje u shpreh se kanë hasur në disa befasi që lidhen me pranueshmërinë dhe e përmendi lajmin për “komplotin” kundër ish-senatorit zviceran, Dick Marty i cili është hartues i raportit që lidhet me krijimin e Speciales.

“Të komplotit kundër Dick Marty që është autor i një raport në lidhje me formimin e DHSK-së, ky komplot raportohet se është përgatitur nga zbulimi serb me synimin e fabrikimit dhe falsifikimit të disa të ashtuquajtura prova dhe për këtë t’ua hedhin fajin udhëheqësve kosovarë shqiptarë. Ky është një informacion, por kjo pasqyron në fakt disa pyetje që mund të dalin edhe në çështjen e Shalës, do të thotë fabrikim apo falsifikim i mundshëm informacioneve, materialeve dhe provave me synimin e implikimit të disa individëve në kryerjen e disa krimeve. Ne kemi qenë në terren në Kosovë dhe kishim synim që të kuptonim disa gjëra më mirë t’i shohim disa gjëra më mirë dhe t’i dëgjojmë më mirë. Unë nuk do të them se do të ketë ndonjë problem, por mund të ndodh që të ngrihet problemi i pranueshmërisë së disa elementeve të disa provave”, tha ai.

Avokati i Shalës tha se kanë kërkuar nga ZPS-ja edhe 587 materiale, ku disa ua kanë dhënë gjatë ditës së djeshme dhe nuk i kanë marrë gjithë dokumentet.

Gjykatësi Nicolas Guillou bëri të ditur se ZPS ka përfunduar përkthimet dhe transkriptimet e materialeve të mbledhura gjatë hapave hetimor, dhe po ashtu janë kryer edhe një numër të hapave hetimor dhe ka kërkuar nxjerrjen e disa materialeve të mbledhura të këtyre hetimeve.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori