Kurti: Kemi kontaktuar BE-në e QUINT-in në Beograd, nuk mund të takojmë policët pa i bërë 48 orë paraburgim
- 15/06/2023 21:34-Selmanaj: Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë në atë mënyrë është poshtërim për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës
- 15/06/2023 21:32-Kurti: Shefi i zyrës sonë në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e rrëmbyer
- 15/06/2023 20:56-Haxhiu: Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës
- 15/06/2023 20:19-Kurti: Kemi kontaktuar BE-në e QUINT-in në Beograd, nuk mund të takojmë policët pa i bërë 48 orë paraburgim
- 15/06/2023 19:56-Murati: Paga mesatare bruto në Policinë e Kosovës në maj ka qenë 840 euro
- 15/06/2023 19:25-Tahiri: S’mund të ketë sovranitet pa partneritet me aleatët ndërkombëtarë
- 15/06/2023 19:16-Gashi: Paralajmërimet për sanksione ndaj Kosovës janë shqetësuese
- 15/06/2023 18:56-Krasniqi: Kidnapimi i policëve, qëndrim i qartë se Serbia nuk do paqe në Kosovë
- 15/06/2023 18:41-Kurti: Kam shprehur protestën time gjatë takimit me QUINT-in, për mos reagim të KFOR-it
- 15/06/2023 15:42-Pas lirimit nga gjykata në Serbi, ish të arrestuarit thonë se u akuzuan për dëmtimin e disa kontejnerëve
- 15/06/2023 15:31-Rama: Policët e rrëmbyer të kthehen sa më parë në shtëpi, nuk ka paralele mes tyre dhe personit me precedent kriminal të arrestuar në veri
- 15/06/2023 15:31-Oda Ekonomike e Kosovës apelon për maturi dhe kujdes për bizneset
- 15/06/2023 15:16-Kidnapimi i tre policëve nga forcat serbe – Kurti raporton sot në Kuvend në orën 17:30
- 15/06/2023 14:52-A e pranoi Vuçiqi që kidnapimi i policëve u bë brenda territorit të Kosovës – ministri Aliu publikon një deklaratë të presidentit serb
- 15/06/2023 12:08-Kusari-Lila: Serbia e dëshmoi edhe njëherë brutalitetin, agresivitetin dhe qëllimin për destabilizim
- 15/06/2023 12:03-Deputetët e AAK-së vendosin në foltoren e Kuvendit pankartë me flamujt e SHBA-së e NATO-s
- 15/06/2023 11:54-Gashi kërkon që Kurti të raportojë në Kuvend lidhur me zhvillimet në veri dhe kidnapimin e policëve
- 15/06/2023 11:54-AAK: Situata në veri është pasojë e veprimeve aventureske të Qeverisë – kërkojmë nga Vuçiqi që menjëherë t’i liroj policët
- 15/06/2023 11:49-Krasniqi: Serbia bëri agresion kundër Republikës tonë – Kurti të vie të raportojë sot në Kuvend
- 15/06/2023 11:28-KFOR-i turk vendoset në Zubin Potok, shkak situata e tensionuar
- 15/06/2023 09:43-Sveçla: Gjurmët tregojnë se aksioni për rrëmbimin e policëve ka qenë masiv dhe i organizuar mirë
- 15/06/2023 09:31-Gjurmë të çizmeve e pranga plastike – kryeministri tregon çfarë u gjet në vendin ku u kidnapuan tre policë
- 15/06/2023 09:25-Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos transportin e mallrave
- 15/06/2023 09:18-Kurti: Veprimi i djeshëm i Serbisë ishte agresion – e çuditshme heshtja e ndërkombëtarëve
- 15/06/2023 09:06-Sveçla: Kosova po përballet me tentativa për destabilizim, adresa është Beogradi
- 15/06/2023 08:51-Rrëmbimi i tre policëve, reagon Presidenti i Shqipërisë
- 15/06/2023 08:49-Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Nëse policët janë “arrestuar” brenda Kosovës, është shkelur rezoluta 1244
Pas zhvillimeve në vend dhe kidnapimit të tre policëve brenda territorit të Kosovës, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti raportoi sot në Kuvendin e Kosovës, ku po zhvillohet debat lidhur me këtë temë.
Policia e Kosovës ka deklaruar se, të mërkurën, tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në territorin e Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bënë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.
Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, dhe tha se është “i habitur nga heshtja e tyre”.
15/06/2023 21:34-Selmanaj: Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë në atë mënyrë është poshtërim për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj thotë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë në atë mënyrë është poshtërim për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
“Nuk është e lehtë t’i shohësh njerëzit me uniformë të Policisë së Kosovës përtokë në atë mënyrë. Shtrohen shumë dilema në këtë rast. A kemi dështuar edhe si organe të sigurisë. Ku i patëm AKI-në, njësitet tjera policore. Si mundet që ne në pikat më të rrezikshme të shtetit t’i vendosim tre policë në moshë të shtyrë, dy prej të cilëve ishin edhe të sëmurë. Mos ka qenë plan i dikujt që të vendosen njerëzit e tij në zonat më të rrezikshme. A është kjo qasja jonë për veriun”.
Deputeti i LDK-së thotë se është e frikshme se si nuk e dimë ku ndodhen njerëzit tanë, pavarësisht se kemi Zyre ndërlidhëse në Beograd.
15/06/2023 21:32-Kurti: Shefi i zyrës sonë në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e rrëmbyer
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e arrestuar nga forcat serbe, mirëpo kërkesa e tij ende nuk është trajtuar, pasi ende nuk janë bërë 48 orë nga paraburgimi i tyre.
Kurti, duke raportuar para deputetëve në Kuvend, tha se ambasadori Jetish Jashari ka kontaktuar edhe me misionin e BE-së në Beograd, ambasadorët e QUINT-it dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
“Ambasadori Jetish Jashari, i cili është shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kontaktuar me misionin e BE-së atje dhe ambasadorët e QUINT-it dhe organizata për të drejtat e njeriut, po ashtu i është drejtuar me kërkesë edhe gjykatës për vizitë, por ajo ende nuk është trajtuar pasi nuk janë bërë 48 orë të qëndrimit nën arrest të policëve tanë. Deri 48 orë ndodhet brenda MPB-së dhe më pas del tek gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë”, tha ai.
Ai foli edhe për situatën në veri të Kosovës dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për deeskalim.
Kurti përsëriti pesë pikeshin e tij për depërshkallëzimin e situatës në veri, derisa tha se kryetarët në veri do të largohen nga zyrat e tyre vetëm me zgjedhje të reja.
“Ndërsa sa i përket kërkesave që na janë bërë neve nga Brukseli. Natyrisht se kur kërkohet largimi i kryetarëve të komunave nga zyrat e tyre, kjo bëhet pikërisht me zgjedhje të reja. Ne nuk jemi kundër largimit të tyre, por jemi kundër largimit pa zgjedhje. Pas zgjedhjeve të reja pas zgjedhjeve të reja lokale me siguri do të fitojnë kryetarët e tjerë. Nëse pjesëmarrja është e lartë, s’ka dyshim se do të jenë këta kryetarë, por disa të tjerë”, shtoi Kurti.
Pas fjalimin të tij, Kurti lëshoi sallën plenare, siç tha për shkak të angazhimeve të tjera.
15/06/2023 20:56-Haxhiu: Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se kjo shumicë duhet të vendosë nëse do ta zgjidhë problemin në veri me dialog apo me forcë.
“Për cilindo version që do të vendosë Qeveria, ne do të qëndrojmë mbrapa. Mirëpo duhet të vendoset mes asaj që iu ka premtuar Kurti aleatëve në Bruksel apo të nisë ushtrinë dhe policinë për kufi”, tha Haxhiu, përcjell Telegrafi.
“Nuk revanshohet agresioni i Serbisë me masa tregtare duke i ndalur plazma-keksat në kufi. Besoj e di e gjithë bota se Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës. Kjo është vërtetuar me rastin e bombardimeve të NATO-s”.
Haxhiu thotë se sovraniteti i Kosovës mbrohet kur vendi të bëhet pjesë e NATO-s.
“Si mund të bëhemi pjesë e NATO-s, kur me këtë qeveri Kosova u përjashtua nga Defender ‘23”, deklaroi Haxhiu.
15/06/2023 20:19-Kurti: Kemi kontaktuar BE-në e QUINT-in në Beograd, nuk mund të takojmë policët pa i bërë 48 orë paraburgim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në raportimin në Kuvendin e Kosovës mbi situatën në veri të vendit, me kërkesën e partive opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka folur për përpjekjet e shtetit për të mësuar për gjendjen e policëve.
Kurti thotë se institucionet e Kosovës kanë kontaktuar me organizatat e BE-së në Beograd.
“Ambasadori Jetish Jashari ka kontaktuar me misionin e BE-së, QUINT-in dhe organizatat tjera për të drejtat e njeriut. Ka kërkuar që të takohet me tre policët, por pasi që nuk janë bërë 48 orë të qëndrimit në arrest kjo nuk ishte e mundur. Deri në 48 orë rasti është në MPB, ndërsa pas kësaj kohe rasti kalon në Gjyqësorë”.
15/06/2023 19:56-Murati: Paga mesatare bruto në Policinë e Kosovës në maj ka qenë 840 euro
Ministri i Financave Hekuran Murati ka folur edhe për Ligjin e Pagave në raport me zyrtarët policorë.
Ai ka thënë se policëve u është rritur paga më shumë se të tjerëve.
“Paga mesatare bruto në polici në maj ka qenë 840 euro bruto, që i bie 16% më shumë se paga mesatare në sektorin publik. Paga e policëve është gati sa dyfishi i pagës mesatare në sektorin privat. Pra të thuhet se Policia nuk po mbështetet nga Qeveria nuk është e pavërtetë”.
15/06/2023 19:25-Tahiri: S’mund të ketë sovranitet pa partneritet me aleatët ndërkombëtarë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova s’mundet të ketë sovranitet pa partneritet me aleatët ndërkombëtar.
Deputeti Tahiri, kritikoi Kurtin se ka marrë vendime për veriun pa konsultim me aleatët dhe ka sjell Kosovën në një situatë të vështirë.
Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, Tahiri, kërkoi angazhimin e institucioneve të Kosovës, por edhe bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e tyre.
“A e kupton se s’ka sovranitet të një shteti pa partneritet. A e kupton se vendet si Gjermania dhe Franca janë pjesë e një organizimi më të madh si NATO për me mbrojtur sovranitetin e vet. Lufta konvencionale, komunikimi në krye të vetës dhe vendimet që kanë impakt gjeopolitik e dëmton këtë vend dhe secilën arritje të këtij vendi që e kemi qe 23 vjet....S’ka sovranitet pa partneritet, a të hyn në kokë kjo punë se s’mundesh me bërë veprime në krye veti pasi e dobësojnë vendin tonë”, tha ai.
15/06/2023 19:16-Gashi: Paralajmërimet për sanksione ndaj Kosovës janë shqetësuese
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë sot se paralajmërimet për sanksione të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës janë shqetësuese.
Në Kuvendin e Kosovës, Gashi ka pyetur kryeministrin Kurti se çfarë borxhi i ka Kosova që t’ia bëjë këtë dëm.
“Ajo çka kemi dëgjuar dhe pa ditëve të fundit është shqetësuese për neve. Paralajmërimet për masa shtrënguese për institucionet e Kosovës, ndaj qytetarëve të Kosovës dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës... Nëse janë të vërteta këto, atëherë ky është dëmi më i madh që i bëhet Kosovës dhe këtu lind pyetja se çfarë borxhi ka Kosova që me ia bërë këtë dëm”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të vendit, është agresion ndaj sovranitetit të Kosovës.
Megjithatë, ai ka thënë se kërkesa e kryeministrit Kurti për përfshirjen më të madhe të KFOR-it për mbrojtjen e kufijve mund të prodhojë pasoja negative për vendin.
“A jeni të sigurt se po kërkoni angazhimin më të rëndësishëm të KFOR-it në kufijtë e Kosovës dhe pjesët veriore të Kosovës. A jeni të sigurt se çfarë pasoje prodhon kjo dhe a jeni të sigurt se me gjendjen që po krijohet në veri, mund të kemi kërkesë nga KFOR-i të largimit të gjitha strukturave të shtetit të Kosovës nga veri. Ky do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, ka shtuar ai.
15/06/2023 18:56-Krasniqi: Kidnapimi i policëve, qëndrim i qartë se Serbia nuk do paqe në Kosovë
Partitë parlamentare të Kosovës e kanë dënuar, aktin e rrëmbimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri të vendit, duke e cilësuar këtë veprim si agresion kundër Kosovës.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se Serbia bëri një akt armiqësor dhe të agresionit ndaj Kosovës.
“Arrestimi i policëve tanë brenda territorit tanë janë shkelje e sovranitetit. Mbi të gjitha ky është një provokim i hapur dhe qëndrim i qartë se Serbia nuk dëshiron paqe në Kosovë”.
Krasniqi ka krahasuar këtë veprim të Vuçiqit me ato të Millosheviqit në të kaluarën.
Kryeopozitari ka thënë se në këto momente Kosovës i duhet mbështetja e miqve ndërkombëtarë dhe KFOR-it.
Ai ka kërkuar informacione për jetën dhe shëndetin e tre policëve që tashmë janë në burgjet e Serbisë.
“Kërkojmë informacione nga Kurti se çfarë veprime ka marrë qeveria për kthimin e policëve të shtëpi. A është kërkuar ndihma e organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. A është kërkuar ndihma e aleatëve”, ka deklaruar tutje Krasniqi./Telegrafi/
15/06/2023 18:41-Kurti: Kam shprehur protestën time gjatë takimit me QUINT-in, për mos reagim të KFOR-it
Kurti gjatë seancës së Kuvendit për zhvillimet në veri, Kryeministri Albin Kurti, bërë të ditur se gjatë takimit të sotëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-it u ka bërë të ditur se kidnapimi i policëve ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.
Kryeministri tha se ka kërkuar nga QUINT-i urgjentisht lirimin e tyre dhe reagimin ndërkombëtarë.
Deri tash, ambasadat nuk kanë dalë me qëndrime për situatën. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë qenë të heshtur që nga e mërkura.
“Tash kur po bëhen 30 orë nga kidnapimi dhe ende nuk kidnapimi i tre policëve të Kosovës. Unë kam shprehur edhe protestën time për heshtje dhe mos reagimi e KFOR-it në takimin e mbajtur më herët me ambasadorët”, tha ai.
Ai tutje tha se mbrëmë ka pasur një bisedë telefonike me emisarin amerikan Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.
Njoftimi i Kurtit për të raportuar në Kuvend vjen pas kërkesave të partive opozitare PDK, LDK dhe AKK, të cilët kërkuan që kryeministri të raportojë sot për situatën e krijuar në vend.
15/06/2023 15:42-Pas lirimit nga gjykata në Serbi, ish të arrestuarit thonë se u akuzuan për dëmtimin e disa kontejnerëve
Esat Muqolli, i cili u lirua sot nga gjykata në Serbi pas arrestimit nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi në pjesën e Serbisë ka folur për ngjarjen që i ndodhi për dy ditë rresht gjatë kohës sa ishte në paraburgim.
Muqolli tregoi momentin kur i kanë ndaluar dhe i kanë dërguar në Kurshumli. Sipas tij, ata akuzoheshin kinse për dëmtimin e kontejnerëve më datë 02.03.2022.
“Andej si jena dal na kanë ndal, na i morën dokumentet dhe mandej s’kemi ditë asgjë, veç na kanë thënë parkojeni xhipin. Na kanë marrë dhe na kanë shti në një xhip e na kanë çu për Kurshumli. Aty kemi ndejt nja dy orë e s’kemi ditur kurrgjo njëherë…bajagi e kemi bo njëfarë dëmi këtu më 02.03.2022, kemi bërë njëfarë dëmi në kontejnerë e për shkak të atyre jemi të akuzuar”, ka thënë Muqolli, duke shtuar se në këtë kufi kanë kaluar gjithmonë e asnjëherë nuk kanë pasur problem.
Ndryshe, ata janë arrestuar të martën nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi, saktësisht në Merdar. /Telegrafi/
15/06/2023 15:31-Rama: Policët e rrëmbyer të kthehen sa më parë në shtëpi, nuk ka paralele mes tyre dhe personit me precedent kriminal të arrestuar në veri
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të enjten se policët e kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës duhet të kthehen sa më parë në shtëpi.
Ai ka thënë se janë të fokusuar 100 për qind në lirimin e tyre, ndërsa ka përmendur faktin që KFOR-i ende nuk ka dalë me konkluzione publike lidhur me vendndodhjen e tyre.
“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!”, ka shkruar Rama në Twitter.
Tutje, ai ka thënë se nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedent kriminal të arrestuar nga Policia e Kosovës në veri.
“De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, ka përfunduar kryeministri shqiptar.
Ndryshe, një ditë më parë kryeministri Rama ka deklaruar se nuk po heshtë për kidnapimin e policëve kosovarë, por po pret hetimet e KFOR-it.
“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, ka shkruar ai në Twitter.
Tre zyrtarë kufitarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar të mërkurën nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri.
Njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
15/06/2023 15:31-Oda Ekonomike e Kosovës apelon për maturi dhe kujdes për bizneset
Oda Ekonomike e Kosovës me anë të një reagimi ka shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit që po prekin ekonominë e vendit.
OEK apelon te të gjitha palët për maturi dhe vëmendje për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.
“Të gjitha çështjet e hapura që mund të zgjidhen me dialog të negociohen përmes një dialogut të hapur, transparent dhe në koordinim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtarë që kanë mbështetur në çdo kohë Kosovën në këtë histori suksesi, që pa mbështetjen dhe ndihëm e tyre nuk do të ishim këtu në këtë nivel të zhvillimit ekonomiko-social të vendit tonë, prandaj apelojmë të mos preken bizneset vendore e ndërkombëtare”, apelon OEK.
15/06/2023 15:16-Kidnapimi i tre policëve nga forcat serbe – Kurti raporton sot në Kuvend në orën 17:30
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet që sot të raportojë në Kuvendin e Kosovës lidhur me kidnapimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Kështu bëri të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Kryeministri e ka dhënë njoftimin se do të paraqitet në orën 17:30 për diskutimin që u kërkua”, tha shkurt Konjufca në seancën e sotme të Kuvendit.
Krahas zhvillimeve të djeshme, opozita ka kërkuar që Kurti të tregojë edhe për raportet me aleatët dhe qëndrimet për sanksione ndaj Kosovës. /Telegrafi/
15/06/2023 14:52-A e pranoi Vuçiqi që kidnapimi i policëve u bë brenda territorit të Kosovës – ministri Aliu publikon një deklaratë të presidentit serb
Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, ka nxitur reagime të shumta.
Së fundmi ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka shpërndarë një deklaratë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku sipas ministrit Aliu, presidenti serb pranon se policët u rrëmbyen në territorin e Kosovës.
“Vuçiqi e pranon se policët e rrëmbyer ishin në territorin e Republikës së Kosovës. Ai deklaron se ata do të duhej të ishin të shoqëruar nga KFOR-in në atë zonë”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Ai ka shtuar se është e qartë se në mandat të KFOR-it është territori i Republikës së Kosovës.
“Është e qartë se në mandat të KFOR-it është territori i Republikës së Kosovës dhe pavarësisht se a do të duhej të ishin të shoqëruar apo jo nga forcat e KFOR-it, i bie se policët ishin në territor të Republikës së Kosovës në momentin e rrëmbimit”, shkruan Aliu. /Telegrafi/
15/06/2023 12:08-Kusari-Lila: Serbia e dëshmoi edhe njëherë brutalitetin, agresivitetin dhe qëllimin për destabilizim
Shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha sot para deputetëve se nuk është ditë e zakonshme dhe të gjithë janë të preokupuar me ngjarjet e fundit, në veçanti me kidnapimin e tre policëve të Kosovës.
Ajo theksoi se me kidnapimin e policëve, Serbia dëshmoi edhe njëherë brutalitetin, agresivitetin dhe qëllimin për destabilizim.
“Faktet dhe dëshmitë tregojnë se policët ishin në territorin e Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, kuvendi i ka për detyrë të mbrojë sovranitetin, integritetin dhe të respektojë kushtetutshmërinë, duke e dënuar aktet siç tha ajo barbare si ajo e kidnapimit të policëve.
E para e deputetëve të LVV tha më tej se beson që të gjithë e dinë seriozitetin e rrethanave dhe situatës.
“Më e mirë e mundshme që mund të bëjmë sot është të vazhdojmë me punën tonë dhe të japim mesazhin e unitetit”, tha ajo, gjersa duke iu përgjigjur kërkesës së opozitës për raportimin e Kurtit në Kuvend lidhur me situatën tha se në momentin kur kryeministri do e kenë, sot ose nesër do të të mbahet seanca.
15/06/2023 12:03-Deputetët e AAK-së vendosin në foltoren e Kuvendit pankartë me flamujt e SHBA-së e NATO-s
Pak para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputetët e AAK-së kanë vendosur pankarta në foltoren e Kuvendit të Kosovës me flamujt e SHBA-së dhe NATO-s.
Bashkëngjitur ishte edhe një mesazh ku thuhej “Edhe nëse Qeveria harron, populli nuk harron”.
Kjo protestë e AAK-së vjen pas akuzave të kësaj partie drejtuar Qeverisë për dëmtim të aleancës me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. /Telegrafi/
15/06/2023 11:54-Gashi kërkon që Kurti të raportojë në Kuvend lidhur me zhvillimet në veri dhe kidnapimin e policëve
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të raportojë në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.
Në seancën e Kuvendit të enjten, Gashi në emër të LDK-së e ka dënuar fuqishëm agresionin e Serbisë, duke kidnapuar tre zyrtarë policorë brenda territorit të Kosovës, raporton Telegrafi.
“Ky është një veprim agresioni i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarisht dhe një veprim i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të lejohet të përsëritet”.
Në emër të LDK-së, Gashi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë që të bëjnë të pamundurën që të bëhet kthimi i zyrtarëve policorë sa më parë në Kosovë.
“Po ashtu, kërkoj që kryeministri të vijë sa më shpejtë në një seancë të veçantë raportuese në Kuvendin e Kosovës e të raportojë për situatën në veri, gjendjen e zyrtarëve policorë për aq sa ka informacion, për masat që janë ndërmarrë dhe jemi të gatshëm që si Kuvend të marrin masa që janë të nevojshme”.
Ai gjithashtu ka kërkuar që Kurti t’i raportojë deputetëve lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Sepse kemi parë qëndrime zyrtare të SHBA-së dhe përfaqësuesve të BE-së lidhur me mundësinë e marrjes së masave sanksionuese për institucionet e Kosovës e kjo është ngjarje shumë shqetësuese që nëse ndodh do të jetë e rëndë dhe e patejkalueshme”.
“Jemi në një situatë delikate ku na duhet informim për ngjarjet në veri dhe agresionin luftënxitës të Serbisë, duke kidnapuar policët. Na duhet informim për raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe na duhet pjekuri e kryeministrit e të mos tallet si herën e kaluar kur thoshte ‘a po doni me apo pa koordinim ndërkombëtar’?”, ka përfunduar Gashi.
15/06/2023 11:54-AAK: Situata në veri është pasojë e veprimeve aventureske të Qeverisë – kërkojmë nga Vuçiqi që menjëherë t’i liroj policët
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të vije në Kuvend dhe të raportojë për situatën në veri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se AAK ka dënuar ashpër kidnapimin e tre policëve duke e konsideruar këtë akt si provokim të drejtpërdrejtë nga Qeveria në Beograd.
“Kërkojmë nga presidenti i Serbisë që me një veprim politik ti lirojë menjëherë te policët duke mos e eskaluar situatën, dhe duke pasur parasysh se ky Kuvend në ballafaqim me Serbinë nuk e njeh qasjen pozitë dhe opozitë”, tha Tahiri.
Ai shtoi se si Aleancë sot kanë prezantuar një porosi simbolike “edhe në qoftë se Qeveria harron, populli nuk harron. Kjo është porosi për SHBA-të, NATO-n dhe BE-në”.
“Po e shihni ku jemi sot, dje kem thënë se marrim veprime sovrane dhe sot pas mbledhjes së kryesisë kryeministri flet për nevojën për koordinim dhe habitet sesi po rrinë në heshtje i gjithë faktori ndërkombëtar. Po e shihni sa ka zgjatë qëndrueshmëria e qeverisë në raport me një situatë tepër të rëndë. Nga faktori ndërkombëtar në veçanti nga SHBA urgjentisht të bëjë presionin e duhur ndaj shtetit që nuk e fsheh synimin armiqësor ndaj Kosovës dhe të liroj menjëherë tre policët e kidnapuar”, ka thënë Tahiri.
AAK ka shtuar se veprimet aventureske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e miqve në krye me SHBA ka rezultuar me përshkallëzim të situatës dhe jemi në kërcënim të sanksioneve të një vendi që është më pro-perëndimor dhe pro-amerikan. /Telegrafi/
15/06/2023 11:49-Krasniqi: Serbia bëri agresion kundër Republikës tonë – Kurti të vie të raportojë sot në Kuvend
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se situata në vendin tonë nuk është normale, dhe s’mund ta luajmë normalitetin as në jetën institucionale veçanërisht në Kuvend.
Ai ka shtuar se në këtë moment prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve tonë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Krasniqi ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që të kontaktoi me kryeministrin Albin Kurti dhe që i njëjti të vije sot të raportojë në Kuvend për këtë situatë.
“Ju ftoj që ju në emër të Kuvendit të kontaktoni me kryeministrin që të vij sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e Qeverisë që janë duke ndërmarrë për kthimin e policëve tanë por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veri. Të caktojmë kohën e mbajtjes së një seance të veçantë sot për të diskutuar për këtë shqetësim të cilitdo qytetarë”, tha Krasniqi. /Telegrafi/
15/06/2023 11:28-KFOR-i turk vendoset në Zubin Potok, shkak situata e tensionuar
Si rezultat i situatës së tensionuar në veri të Kosovës, trupat e KFOR-it turk sot janë transferuar nga Prizreni për në Zubin Potok.
Gazetari turk Abdyl Vehab ka publikuar disa fotografi në Twitter ku ka treguar për transferimin e tyre në Zubin Potok.
“Në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO- s në Kosovë , KFOR-i, trupat turke të stacionuara në qytetin e Prizrenit, së bashku me automjetet e famshme turke BMC Vuran 4x4, janë transferuar në Zubin Potok, në veri të vendit, ku është përshkallëzuar së fundmi situata me Serbinë”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se javë më parë Turqia ka nisur drejt Kosovës disa ushtarë shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.
“Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, batalioni i Brigadës 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë. /Telegrafi/
15/06/2023 09:43-Sveçla: Gjurmët tregojnë se aksioni për rrëmbimin e policëve ka qenë masiv dhe i organizuar mirë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të enjten bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se gjurmët tregojnë se aksioni për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës ka qenë mirë i organizuar dhe pothuajse masiv.
Siç ka bërë të ditur Svecla, gjurmët tregojnë po ashtu se “ka qenë një aksion i dy njësive speciale me numër shumë më të madh se sa që ju e keni parë ose se sa që pjesëtarët e policisë tonë kanë qenë”.
“Mund të them lirisht se në zonat kufitare cilido shtet mund të ndërmarr hapa të këtillë kundër një shteti tjetër. Nuk është diçka e paarritshme. Kjo e bërë nga Serbia nuk ka befason, por për vendet demokratike është absolutisht e papranueshme. Nuk e dimë se ku janë policët tanë duke u mbajtur”, ka thënë ministri, raporton Telegrafi.
Ai tutje ka deklaruar se Njësia anti-terror, Forenzika, Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Shtetit janë duke zhvilluar hetime.
“Dje isha në vend të ngjarjes për të dëshmuar se bëhet fjalë për kidnapim të zyrtarë policorë. Faktet janë të qarta, ata kanë qenë thellë në territorin e Republikës së Kosovës. Dëshmitë janë të mjaftueshme se ka qenë një operacion mirë i organizuar pothuajse masiv i këtyre njësive speciale”, është shprehur Sveçla.
Ai ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë vepër, derisa ka shtuar se përgjegjësia për vijën kufitare është e KFOR-it.
Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar po ashtu se janë duke bërë përpjekje ta kuptojnë se ku po mbahen policët e kidnapuar.
“Gatishmëria e Policisë është në nivel të lartë. Unë besoj që do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdo sfide”.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se të gjitha informacionet që Qeveria e Kosovës i posedon lidhur me këtë rast i ka edhe KFOR-i dhe partnerët ndërkombëtarë, por sipas tij, heshtja e këtyre të fundit nuk I kontribuon as de-eskalimit, as hetimit e as drejtësisë.
“Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Mbrëmë kam pasur bisedë telefonike edhe me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar edhe me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, me të cilët kemi diskutuar për situatën e sigurisë dhe iu kam thënë se pres që KFOR të na sjell informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, por asnjë informacion”.
“Në mbledhje kemi shkuar vetëm me informacionet e Republikës së Kosovës që qartazi janë të sakta e të vërteta. Jemi në kontakt me ta do t’i takoj edhe sot gjatë ditës dhe po ashtu jemi në kontakt me Zyrën Ndërlidhëse në Beograd për të bërë vizita në burgjet ku po mbahen policët tanë”.
15/06/2023 09:31-Gjurmë të çizmeve e pranga plastike – kryeministri tregon çfarë u gjet në vendin ku u kidnapuan tre policë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media ka treguar se çfarë është gjetur në vendin ku u kidnapuan gjatë të mërkurës, tre zyrtarët policorë nga forcat serbe.
Kurti tha se kidnapimi ka ndodhur thellë në territorin e Kosovës, derisa ka prezantuar disa fotografi të vendit ku ka ndodhur.
Kryeministri ka shtuar se vendi ku ka ndodhur kidnapimi ka është 1 kilometër larg kufirit në njërën anë, pjesa veri-perëndimorë, 670 metra larg pjesa veriore dhe në pjesën jug-perëndimore 300 metra.
“Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi por për kidnapim në Kosovë, dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të Policisë së Kosovës në territorin e Serbisë qysh pretendohet”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë KFOR-i dhe Policia e Kosovës.
“Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i dhe PK dhe aty janë gjetur edhe gjurmë të çizmeve të huaja në drejtim të Serbisë, pranga lidhëse plastike. Ajo çfarë mua vazhdon të më habis është që KFOR-i deri më tani nuk del zyrtarisht me shpjegim se ku është ky vend, e ky vend është në Kosovë. Edhe automjeti edhe ushqimi që kanë ngrënë policët gjithçka është thellë në territorin e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti shtoi se në territorin e Kosovë kanë hyrë dy formacione të armatosura të Serbisë.
“Bëhet fjalë për dy formacione të armatosura të Serbisë që kanë hyrë në Kosovë dhe me të cilët duhet të merret KFOR-i, njësia speciale antiterroriste “CAJ” dhe njësia speciale ushtarake “Kobra””, tha Kurti. /Telegrafi/
15/06/2023 09:25-Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos transportin e mallrave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos transporti i mallrave.
Kurti gjatë të një konference për medie, duke komentuar rrëmbimin e tre policëve nga Serbia në veri të Kosovës, është shprehur se qëllimi i këtij vendimi është që të rritet kontrolli në kufij.
"Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese", u shpreh Kurti.
15/06/2023 09:18-Kurti: Veprimi i djeshëm i Serbisë ishte agresion – e çuditshme heshtja e ndërkombëtarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.
“Rasti i ndjeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe intencë për eskalim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim”, tha Kurti.
Kryeministri ka shtuar se cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia na detyron që të rrisin kontrollet kufitare.
“Varësisht nga analizat dhe vlerësimet e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në raste kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik. Veprimet e radhës do të ndërmerren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse”, tha Kurti.
15/06/2023 09:06-Sveçla: Kosova po përballet me tentativa për destabilizim, adresa është Beogradi
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla theksoi sot në një konferencë për media se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria janë parime normale në një vend demokratik.
Ai pas takimit të Këshillit të Sigurisë tha se javëve të fundit Kosova është përballur me tentativa për destabilizim në veri të vendit dhe sipas tij adresa është në Beograd.
Ministri i Brendshëm theksoi më tej se ajo çfarë kanë parë gjatë këtyre javëve janë grupe kriminale të orkestruara nga Beogradi, e të cilët kanë sulmuar KFOR-in, Policinë e mediat, raporton Telegrafi.
Sveçla tha se në tri javët e fundit këto grupe kriminale ka qenë më aktive.
Ndërkaq, duke folur për kidnapimin e policëve, ai tha se ka qenë plan i planifikuar nga Njësiti special i Policisë së Serbisë dhe Njësiti i ushtrisë “Kobra”. /Telegrafi/
15/06/2023 08:51-Rrëmbimi i tre policëve, reagon Presidenti i Shqipërisë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në një reagim në rrjetet sociale i ka kërkuara autoriteteve të Kosovës që të vetëpërmbahen dhe të mos bien pre e provokimeve të Serbisë.
Ai ka theksuar se strategjitë “eskalim për të deeskaluar” duhet të marrin fund.
Teksa e cilësoi rrëmbimin e tre policëve si një akt të rëndë, kreu i shtetit kërkoi nga palët të rikthehen në tryezën e bisedimeve për të tejkaluar situatën.
“Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës, brenda territorit të Kosovës nga trupat serbe, është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit. E dënoj më forcë këtë akt dhe iu bëj thirrje autoriteteve të Serbisë për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme”, tha Presidenti.
“Një thirrje vëllazërore iu bëj sërish autoriteteve të Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin e tryezës së bisedimeve është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai. /Telegrafi/
15/06/2023 08:49-Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Nëse policët janë “arrestuar” brenda Kosovës, është shkelur rezoluta 1244
Kidnapimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe, ka ngjallur reagime të shumta.
Ish-zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Vincenzo Grasso ka thënë se nëse vërtetohet se kidnapimi i tyre ka ndodhur brenda territorit të Kosovës, atëherë Serbia ka shkelur Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe Rezolutën 1244.
“Nëse konfirmohet se “arrestimi” ka ndodhur në Kosovë, është shkelje e qartë e Marrëveshjes Teknike Ushtarake dhe Rezolutës 1244, prandaj KFOR duhet të hetojë”, ka thënë Grasso.
Më tej, ai ka lënë të nënkuptohet se ky arrestim nuk mund të jetë i rastësishëm.
“Gjithsesi, a është rastësi që ka ndodhur derisa në Beograd, Vuçiq po takohej me KFOR-in? Dyshoj!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/





































