Mblidhen 70 mijë euro për Jetimat e Ballkanit në turneun bamirës në Austri

Mijëra shqiptarë në Austri janë bashkuar për një kauzë të madhe humanitare, duke dhënë kontributin e tyre për të ndihmuar familjet në nevojë në kuadër të Shoqatës Jetimat e Ballkanit.
Në një turnir futbolli të mbajtur dje në Vjenë të Austrisë, ku morën pjesë 32 ekipe nga qytete të ndryshme të Austrisë, Sllovenisë dhe një ekip i ardhur enkas nga Kosova, u mblodhën gjithsej 70 mijë euro.
Ngjarja u karakterizua nga pjesëmarrje e madhe dhe atmosferë vëllazërore, ndërsa turniri u nderua edhe nga prania e Ambasadorit të Shqipërisë në Austri dhe Sekretares së Dytë të Ambasadës së Kosovës në Vjenë.
Kryetari i Shoqatës Jetimat e Ballkanit, Halil Kastrati, bashkë me një pjesë të stafit nga Kosova, ishin gjithashtu të pranishëm në këtë aktivitet, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët për mbështetjen.
"Një falënderim të veçantë për organizatorët e këtij turniri në Austri, Zejni Abdullahu dhe Mevludin Rexhepi (“Frizer Ludi”), që me përkushtimin e tyre bënë të mundur këtë organizim," tha Kastrati.
Ai falënderoi gjithashtu ambasadat, ekipet pjesëmarrëse dhe të gjithë shqiptarët që ishin të pranishëm me zemër dhe kontribut.
“Zoti ju shpërbleftë të gjithëve!”
Të gjitha të hollat e mbledhura nga ky aktivitet do të përdoren për ndihmë të familjeve në nevojë në Kosovë dhe më gjerë në rajon./Telegrafi/


















































