Ka mbërritur në portin e Durrësit, anija me flamur turk “Moliva”, e cila transporton më shumë se 200 kontejnerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme.
Anija ka mbërritur në port, por nuk është ankoruar ende, teksa ende nuk është e qartë dhe nuk ka të dhëna se ku do të dërgohen këto mbetje, që u kthyen pas në vendin e origjinës nga autoritetet tajlandeze, shkruan A2.
Një ditë më parë, në portin e Durrësit u mbajt një protestë e shoqërisë civile dhe opozitës kundër depozitimit të këtyre mbetjeve, të cilat sipas tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.
Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel.