Sot, qytetarë dhe përgjegjësit e mirëmbajtjes së varrezave në veri të Mitrovicës kanë hasur në eshtra që potencialisht mund t’iu përkasin viktimave të luftës.

Kështu ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur përmes një njoftimi, ku bëri të ditur se informacioni u raportua menjëherë në Policinë e Kosovës, e cila bashkëpunoi me ekipin e përbashkët për verifikimin e vendngjarjes.


“Pas marrjes së informacionit, në vendngjarje ka dalë ekipi i përbashkët i përbërë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ekipi ka bërë verifikimin fillestar, dhe pas konstatimit nga eksperti mjeko ligjor, janë ndërmarrë procedurat për tërheqje”, thuhet në njoftim.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur e vlerësoi lart bashkëpunimin e qytetarëve.

"Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur shpreh mirënjohje dhe vlerësim të lartë për bashkëpunimin me qytetarët, që me raportimin e tyre kontribuojnë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Ky bashkëpunim mbetet thelbësor për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur," tha komisioni në një njoftim.

Këshilltari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara falënderoi gjithashtu qytetarët për përkushtimin dhe ndjeshmërinë e treguar:

"Mirënjohje të veçantë për qytetarët që me kujdes dhe ndjeshmëri kontribuuan në këtë proces. Mbesim të përkushtuar në misionin tonë për gjetjen e më të dashurve të rrëmbyer e zhdukur me forcë gjatë luftës. Mirënjohjen më të thellë për familjet e personave të zhdukur që përkundër dhimbjes dhe ankthit të pritjes në vazhdimësi kanë mbështetur punën e institucioneve të angazhuara në rrugëtimin e përbashkët për të vërtetën dhe drejtësinë," tha Gara. /Telegrafi/