“Kartelë me nr. Objekti 3.786. Vendndodhja; Muzeu Historik Kombëtar. Fusha: Etnografi. Tipi: Relike. Titulli: Maska e Enverit. Materiali: Allçi. Origjinali ose kopje: Origjinal”, shkruhet në kartelën e objektit të shkëputur prej sendeve të diktatorit Enver Hoxha dhe e mbajtur e fshehur për tri dekada në këtë institucion.

Maska e diktatorit e bërë pak çaste pas vdekjes së njeriut që me dorë të hekurt drejtoi fatin e Shqipërisë për afro një gjysmëshekulli, është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në qendër të Tiranës, atje ku bëhen edhe paraqitjet më të rëndësishme kulturore të vendit.


Publiku për një javë rresht, deri të martën e kësaj jave, ka pasur rastin që për herë të parë të përballet me imazhin e ftohtë që ende prek kujtimet e një kohe të errët.

Por kuptimësia e ekspozitës “Antihomazh” e Ardian Isufit shkon përtej kësaj, përcjell koha.net. I pari është antihomazhi për komunizmin dhe maska është “personazhi” kryesor për ta bërë këtë, shkruan Koha Ditore.