LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja

Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja

Burgu i Dubravës, që u ndërtua në vitet 1986-87, ishte një ndër burgjet më të siguruara në vend. Shaban Beka, i burgosur nën akuzën për veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav, e që vuante dënimin në burgun e Sremit, rrëfen tragjedinë e ndodhur pas transferit të tij në burgun e Dubravës.

LEXO PO ASHTU:
Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)
Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)
Masakra e Dubravës (3): Krim institucional i Serbisë (Foto/Video, +18)

“Na kanë sjellë nga burgu i Mitrovicës së Sremit me gjashtë autobusë për në Dubravë. Të burgosurit e Sremit kemi qenë në një vend me Selim Lokajn, Agron Tolajn dhe Agim Hulajn. Që të gjithë nga Deçani. Kam qenë në pavijonin B. Bombardimi i parë ka ndodhur të mërkurën, më 19 maj, afër mesditës. I pari u bombardua pavijoni C – ai i izolimit. Tre veta janë vrarë dhe shumë tjerë janë plagosur. Të mërkurën, pasi u bombardua pavijoni C, të burgosurit e lirë i kanë hapë dyert e burgut me shufra të hekurit. Prej të mërkurës kemi qenë brenda burgut, por me dyer të hapura. Ndërsa, personeli serb i burgut ka dalë jashtë dhe është kthyer pasi janë ndalë bombardimet”, ka thënë Beka për Telegrafin.


Bombardimi i dytë vjen ditën e premte, më 21 maj.

“Të premten, nga ora 10 e mëngjesit, kanë filluar sërish bombardimet që nuk janë ndalur gjithë ditën. Është bombarduar Kuzhina ku janë vrarë një numër i caktuar njerëzish. Jemi tërheq tek Fusha e Sportit, ku edhe kemi qëndruar deri të nesërmen. Të shtunën gjatë tërë ditës nuk ka pasë bombardime. Të burgosurit serbë kishin armë, mirëpo ishin jashtë rrethojave të burgut”.

E shtuna i priti ata me urdhrin e gardianëve serbë që të rreshtohen.

“Në mëngjes na kanë thirr gardianët dhe na kanë thënë që duhet të rreshtohemi. Aty është bërë masakra më e madhe nga forcat serbe. Kanë gjuajtur me armë të ndryshme. Përafërsisht 167 kanë mbetur të vrarë atë ditë. Unë kam qenë në rreshtin e parë afër murit. Nuk kam pasë lëndime, e as nuk e di se si kam shpëtuar. Shumica e të burgosurve kanë vdekur për shkak të kushteve të rënda, sepse s’kemi pasë mundësi t’ju ndihmojmë nga gjakderdhja e madhe. Kemi grisur fanellat tona për t’ua ndalur gjakun”.

Sipas tij, ndihma për të plagosurit ka qenë e madhe, e tentimi për t’u mbrojtur për disa mori tjetër kah.

“Bislim Zogaj ka dhënë kontributin më të madh. Edhe pse të gjithë jemi munduar, por nuk dinim sa duhej. Jemi mbyllur në bodrumin e Kuzhinës dhe një pjesë në pavijonin C. Ka pasë edhe të burgosur tjerë që kanë hyrë nëpër puseta. Gardianët kënd e kanë gjetur në oborr e kanë vrarë. I kanë hapë kapakët e pusetave dhe i kanë vrarë të burgosurit me bomba. Vetëm në një puset kanë shpëtuar disa të burgosur”.

Edhe pse organizimit për vetëmbrojtje nuk i kanë ikur, kjo nuk mjaftonte, pasi që forcat serbe ishin të mëdha.

“Kam shkuar në pavijonin C. Jemi munduar të organizojmë vetëmbrojtjen tonë, me disa shufra hekuri, edhe pse kanë qenë të pamjaftueshme. Me urdhër të gardianëve kemi dalë nga bodrumi se s’kishim zgjidhje tjetër. Kemi shkelur mbi kufoma. Na qitën në një lëndinë. Menduam që do na pushkatojnë, por s’ndodhi kjo. Nga aty na futën në Sallën e Sportit, me qëllim që të na bombardojë NATO, sepse ai objekt nuk ishte bombarduar”.

Beka tha se diçka ndodhi dhe sjellja e tyre ndryshoi. Më pas ata i transferuan në burgun e Lipjanit, ku edhe aty filluan mundime të reja.

“Sjellja e tyre ndryshoi ndaj nesh në momentin që folën me radiolidhje. Asnjëherë s’e kam menduar që do të shpëtojmë. U përqafuam mes vete duke mos e ditur se çfarë do të ndodh me ne. Ata na shpërndanë cigare dhe ujë. Na thanë që ta organizojmë jetën qysh të mundemi deri në transferimin tonë. Për t’i mbajtur sado pak psikologjikisht të qetë shokët tanë, i rrenim duke i thënë se janë duke ardhur Kryqi i Kuq ose se UÇK është afër për të na ardhur në ndihmë. Edhe rrena kishte efekte pozitive. Kur kemi dalë nga dyert e burgut për tek autobusët, kemi parë trupat e pajetë të burgosurve të cilët kanë tentuar të ikin nga një vrimë e murit. Na dërguan në Lipjan, në dhoma të vogla, si sardinat në konservë. Kemi hyrë nëpër kordonin e gardianëve duke na rrahur. Deri më 10 qershor kemi ndenjur në burgun e Lipjanit”. /Elfije Boletini/Telegrafi/


VESEL LLUGAGJIU DHE MUSTAFË KOLGECI, TË MBIJETUARIT TË MASAKRËS SË DUBRAVËS: DËSHMITË E DHËNA NË VITIN 2001, NË JAVOREN “ZËRI”

I BASHKUAN PËR T’I VRARË PËRNJËHERË

Masakra serbe e Dubravës është një prej tragjedive dhe dhimbjeve më të mëdha që shqiptarët e burgosur i kanë përjetuar nga serbët. Kujtimet e përlotura me pamje gjaku i shpalosin Vesel Llugagjiu dhe Mustafë Kolgeci nga fshati Vraniq i Suharekës…

RRËFIMI I PARË: VESEL LLUGAGJIU

Ofensiva e përgjakshme serbe e 27, përkatësisht 28 shtatorit 1998, kishte përfshirë edhe fshatin tonë, Vraniq, që shtrihet dhjetë kilometra në veriperëndim të Suharekës. Trupat serbe janë ngjitur në majat e fshatit dhe ne ishim detyruar që me mijëra banorë, gra, fëmijë, burra e pleq, të kërkojmë shpëtimin në një pjesë të bregores së fshatit, tek vendi i quajtur Lumi i Madh. Aty strehim kemi gjetur mbi 15 mijë banorë.

Më 28 shtator, Ushtria pushtuese arriti aty ku ishim strehuar dhe na zuri të gjithëve robër. Më pas, ata na ndanë ne burrat nga gratë dhe fëmijët dhe na dërguan në oborret e dy shtëpive ku sërish na ndanë edhe në dy grupe tjera. Ne ishim afro 500 burra, kryesisht të moshuar, por kishte edhe të rinj. Na dërguan ashtu duke na shqelmuar dhe duke na kërcënuar se do të na vrasin në oborrin e burgut të Prizrenit.

Pasi na kanë mbajtur nja 24 orë, na kanë futur në dhomat e burgut. Nga 40-50 veta na kishin vendosur në një dhomë katër me katër dhe ishte e pamundur të gjeje vend për t’u ulur. Që në natën e parë kanë ardhur shumë policë dhe kanë filluar të na rrahin, në mënyrën më shtazarake, me çdo gjë që iu binte në dorë. Njerëzit piskatnin deri në kupë të qiellit dhe vërtet ishim të bindur se ashtu si ia kishin nisur, vështirë se dikush do të shpëtonte…

Dhjetë ditë e dhjetë net deri në fillim të bombardimeve ishim të vendosur aty, në ato kushte mizore të burgut, ndërkaq rrahjet dhe sjelljet barbare të policëve nuk pushonin. Nga nata e parë e bombardimeve, tmerri dhe mizoritë e pafundta për ne të burgosurit shqiptarë u bënë edhe më të shpeshta, sa që edhe jeta m’u mërzit. Por, unë e kisha edhe një mërzi tjetër, sepse djali im Arbeni ishte në të njëjtin burg, së bashku me bashkëfshatarët tjerë. Dy ditë e dy netët e para të bombardimeve, as bukë e ujë nuk kemi pasur. Por, e harruam bukën e ujin, kur që nga dita e tretë nisën rrahjet edhe më të mëdha, ndërkaq policët, shpesh edhe të dehur, i nxirrnin nga dhomat e burgut tre-katër veta dhe deri në alivanosje i rrihnin me çdo gjë që iu vinte në duar. Piskamat e tyre na tronditnin të gjithëve… Shpesh më shkonte mendja athua ku e kam djalin, athua mos është ky zë i vajit dhe ofshamave zëri i tij?

TAKIMI ME DJALIN

Më 28 prill na kanë marrë shënimet, kurse një ditë më vonë kemi pritur që të na transferonin për në Burgun e Dubravës. Tërheqja e jonë nga Burgu i Prizrenit u bë më 30 prill. Në grupet e transferuara ishte edhe djali im Arbeni, për të cilin deri atë ditë nuk dija asgjë, madje a është gjallë apo i vrarë. Takimi i parë me djalin, vetëm me shikim, ishte shumë i rëndë…

Atë ditë, para se të na hipnin në autobus, unë dëgjova kur thirrën emrin e djalit tim, por nuk mund ta shihja askund. Më kishte marrë malli që t’ia shihja fytyrën e tij, së paku edhe në ato çaste mjerimi. Unë isha në të njëjtin autobus me djalin, por nuk mund ta shihja. Për herë të parë djalin e pash nga larg, kur u bëmë gati të zbritnim në oborrin e burgut të Dubravës. E ktheva kokën, e pash, u mërzita shumë dhe m’u mbushën sytë me lot. Në ato çaste nga autobusët zbritnin të burgosurit tjerë shqiptarë nga Nishi, Lipjani, e burgjet tjera serbe. Afro 40-50 gardianë qëllonin mbi të burgosurit sa kishin fuqi. Ishte ky edhe një paralajmërim makabër… Me sytë e mi kam parë tek i rrihnin me hunj, me bishta të kazmave e lopatave, me shufra hekuri… Për një çast më shkoi mendja tek Arbeni. U ktheva prapa dhe nga larg i dhashë gajret: “O Arben, djali im, bëhu i fortë e mos u dorëzo…”!

Pasi na kanë rrahur, filluan të na vendosnin nëpër pavijone. Unë me djalin tim dhe shumë shokë tjerë ishim në pavijonin C, ku kemi qëndruar deri më 19 maj. Më 19 maj ka filluar sulmi i parë i NATO-së mbi pavijonin C. Pavijoni u shkatërrua, kurse ne bëmë përpjekje që të dilnim nga pavijoni ynë. Nuk kemi mundur t’i çelnim dyert, por nga pavijoni B na kanë ardhur në ndihmë shokët dhe na kanë ndihmuar të dalim. Gardianët kishin ikur dhe ishin fshehur. Ne qëndronim gati tërë ditën në oborr të burgut. Nuk kishim bukë, nuk kishim ujë, ndërsa rreziqet vinin nga toka dhe nga qielli.

Më 20 maj aeroplanët sërish kanë ardhur për vëzhgim, por nuk ka gjuajtur. Natën e kalonim nëpër pavijone, kurse ditën përjashta. Askush nuk dinte asgjë. Me 21 maj kanë ardhur përsëri aeroplanët, diku kah ora 21 dhe një orë më vonë nisin prapë bombardimet. Aty pranë meje mbeti i pa shpirt Gazmend Kolgeci. Në ato gjuajtje janë vrarë mbi 20 veta, por ne nuk dinim se çfarë po ndodh me të burgosurit tjerë. Flitej se në burg ishim mbi 950 të burgosur. Ka pasur edhe shumë të plagosur, një numër i të cilëve kanë vdekur duke kërkuar ndihmë mjekësore.

MASAKRA…

Sipas disa parashikimeve tona, në atë sulm janë vrarë 21 veta. Më 22 maj kah ora gjashtë e mëngjesit gardianët na kishin zgjuar dhe na kanë bërë rresht. Këtë na treguan të tjerët, sepse në fakt, unë me djalin ishim fshehur në një pusetë. Pastaj nga një pozicion përtej murit, kanë filluar të shtënat nga të gjitha llojet e armëve. Të burgosurit shqiptarë binin një mbi një të vrarë e të plagosur. Serbët gjuanin pa ia ndalur, oborri ishte mbushur me gjak…

Numri i saktë i të vrarëve atë çast vështirë është të dihet. Ne që kemi shpëtuar, kemi mbledhur disa shënime për të vrarët e ditëve 21, 22, 23 maj, dhe llogaritej se ishin afro 170 të vrarë.

Me 23 maj sërish na kanë rreshtuar dhe na kanë mbyllur, afro 800 vetave në një sallë sporti. Askush nga ne nuk dinte se çfarë do të bënin serbët tash. Ndërkohë, kemi nisur të përshëndeteshim me të afërmit dhe shokët e burgut. Edhe policët thoshin se po presin urdhër të ri nga lartë. Të gjithë policët që na kishin rrethuar, ishin të maskuar dhe me armë të drejtuara nga ne. Pas një ore ka ardhur një civil dhe ka thënë: Do t’ju transferojmë në burgun e Lipjanit, sepse këtu nuk ka më kushte… Më 24 maj 1999, me disa autobusë dhe kamionë na kanë transferuar për në Lipjan. Mirëpo, atje jo vetëm bukën, por edhe ujin na ndalonin.

Në burgun e Lipjanit ka pasur shumë policë dhe ushtarë. Unë me 30 të tjerë kam në një dhomë tre më katra. Aty qëndruam deri më 10 qershor. Të nesërmen, pasi një natë më parë na kanë lidhur duart me litar, na përgatiten për në Nish, Pozharevc etj.

Unë dhe djali im pesë muaj vuajtëm dënimin në Nish, e pastaj gjykata serbe e Prokuples na dënoi me nga 15 vjet. Nuk kam pritur se do ta shohim edhe një herë Kosovën, por ja që sot jemi këtu së bashku më të birin dhe familjarët.

RRËFIMI I DYTË: MUSTAFË KOLGECI

Vërtet nuk di prej nga të filloj rrëfimin tim, sepse për 16 muaj vuajtje dënimi nga regjimi serb kam kaluar nëpër pesë burgje. Më 27 shtator 1998 filloi granatimi i fshatit Vraniq dhe fshatrave përreth. Na zunë. 479 vetë ishim që na dërguan në burgun e Prizrenit. Atje na ndanë 130 veta – prej tyre 45 nga fshati Vraniq – dhe na paraburgosën. Aktakuza na ngarkonte gjoja se ne i kishim vrarë tre policë dhe kishim plagosur shumë të tjerë.

Në Burgun e Prizrenit kemi përjetuar shumë tortura, por ato bëhen më të mëdha kur pas bombardimeve të para largohen nga puna gardianët shqiptarë. Ne që ishim të mbyllur në dhomat e burgut, i dëgjonim piskamat e bashkëkombësve tanë ditë e natë pandërprerë. Mizoritë serbe ishin aq të mëdha, aq të pashpirta sa nuk e di si kemi mundur të mbesim gjallë. Më duhet të them se edhe pse kushtet e ushqimit ishin kurrfare, edhe pse ishim të uritur, duke dëgjuar vajtimet e të burgosurve nuk mund të hanim bukë. Po them, nuk ka shkrimtar, nuk ka poet, nuk ka regjisor që mund të ilustrojë ato tmerre. Kishte çaste kur vdekja, krahasuar me jetën në burg, dukej shumë më e mirë.

Këto mizori kanë zgjatur pandërprerë deri më 30 prill, kur të gjithë të burgosurve na kanë transferuar në Burgun e Dubravës. Atje ishin edhe të burgosurit tjerë nga Lipjani, Prokupla, Sremi e burgjet tjera serbe. Është folur se gjoja NATO ka qëlluar e para, mirëpo nuk është e vërtetë, se vetë i kam parë forcat serbe tek provokonin me qëllim aeroplanët e NATO-së përmes të shtënave në ajër. Ditën i gjuanin me armë kundërajrore, kurse natën i gjuanin me fishekzjarrë për t’i dhënë shenjë se ne jemi aty.

Kjo ka zgjatur deri më 19 maj, kur edhe ndodhi sulmi i parë në pavijonin C. Ne ishim në pavijonin C kurse gjakovarët ishin në pavijonin tjetër afër nesh. Në pavijonin C të burgosurit ishin të izoluar nëpër qeli. Në momentin kur ka rënë bomba e parë, tek ne u krijua një shqetësim i madh. Gardianët ikën dhe u fshehën, kurse disa të burgosur tjerë me shpejtësi kanë ardhur dhe me kazma na ka ndihmuar t’i thyejmë dyert. Ndër tre të vrarët gjatë këtij sulmi ishte edhe Enver Topalli.

Më 19 maj, tërë ditën kemi qëndruar në oborrin e burgut, ndërsa gardianet na përcillnin larg pa reaguar. Dita e 20 majit ishte më e qetë, kurse më 21 maj diku kah ora nëntë e paradites, kanë filluar prapë bombardimet e NATO-s. Unë them se NATO mendonte se në pavijonet tjera kishte forca serbe, prandaj edhe i gjuante ato. Duke parë situatën në rrezik jete, serish kemi dalë dhe jemi drejtuar kah oborri.

Më kujtohet fare mirë kur gardianet nga larg kanë bërtitur në formë urdhri që të mblidheshim në sheshin pranë mensës. Në ato momente, derisa të gjithë ishim të shtrirë për toke, kemi parë se nga qielli aeroplanët e NATO-së i lëshuan tri drita të gjelbra dhe tri të kuqe. Ne mendonim se ata po fotografonin pozicionet, mirëpo nuk ka kaluar shumë kohë dhe kemi dëgjuar fishkëllimën e granatave të cilat në ato çaste kalonin mbi kokat tona. E vetmja gjë që kemi mundur të bënim ishte që të kthenim kokën nga toka të shtrirë.

Në ato çaste janë bombarduar salla sportive, mensa dhe drejtoria e burgut. Në grupin ku isha unë, nga copat, gërmadhat e betonit janë vrarë 13 veta. Pra, ata nuk i kanë vra bombat e NATO-së, por gërmadhat betonit. Një grup i madh i të burgosurve kemi shkuar deri te terreni sportiv, 50-60 metra larg vendit të bombardimeve. Aty kemi kaluar ditën dhe natën. Të nesërmen ende pa u zdritë, kemi dëgjuar një zë të një gardiani, natyrisht të maskuar i cili na ka urdhëruar të ngriheshim. Nuk kishim as ide se çfarë po përgatitet. Ai na tha se aty më nuk ka kushte dhe se do të na transferojnë në burgun e Lipjanit ose në Serbi.

Disa shokë na thanë t’i shqyejmë të gjitha dokumentet se kur të na dërgojnë në Serbi, kanë me na mbytë së rrahuri me aktakuzën se jemi terroristë. Në fakt, në ato rrethana më nuk të pyeste kush se çfarë je, vetëm pse ishe shqiptar ishe i dënuar në ekzekutim! Pasi jemi bërë në rresht nga katër, ashtu si kanë urdhëruar, kanë kërkuar të kthehemi kah muri dhe të afrohemi.

Në burgun e Dubravës ishim 952 vetë, mirëpo në ato çaste derisa qëndronim në rresht, atë mëngjes të kobshëm të 22 majit 1999, ishim afër 600-700 të burgosur. Kishte shokë tanë të cilët edhe përkundër thirrjes së gardianëve kishin qëndruar të fshehur. Në çastin kur jemi rreshtuar dhe pritnim urdhër të ri, kanë filluar krismat e para nga të gjitha llojet e armëve, duke mos ditur se nga po vijnë plumbat, bombat dhe granatat. Unë isha në rendin e parë dhe megjithatë ashtu siç isha galuc, duke shqyer aktakuzën time, kam vërejtur se të shtënat vinin përtej murit të cilin e kishim përballë, krejt në 20-30 metra.

NATA ME TË VDEKUR

Jemi shtrirë për toke, kush ka mbërri të shtrihet. Kur kemi ngritur kokat, pamë 60-70 veta të vrarë e shumë tjerë të plagosur. Ishte pamje tmerri… Ne filluam të iknim në mënyrë të pakontrolluar, secili në drejtim të vetin, ndërsa të shtënat nuk pushonin, tani nga snajperstët. Fillimisht jam fshehur në një pusetë, por aty nuk kam mundur të rri, ndërkaq ajo dalje ishte me fat sepse vrasësit nëpër ato skuta lëshonin bombën e dorës. Jam skajuar pranë disa shkallëve në një pavijon, pranë kufomave, e aty nën shkallë po jepte shpirt një i burgosur. Kam parë me dhjetëra të burgosur pa këmbë, pa krah, të sakatosur, por nuk kisha emocione, sepse më duhej të shpëtoja shpirtin tim. Por, është interesant se të gjithë, edhe ata që ishin pranë vdekjes, nuk kërkonin ndihmë. Ishte kjo skenë e tmerrshme, vëllai jepte shpirt në duart e vëllait…

Në orët e pasdites unë u fsheha me disa të burgosur në një dhomë pavijoni dhe prej aty vëzhgoja kur vrasësit i vunë sërish maskat dhe filluan të hidhnin mbi grumbuj të burgosurish, ose ata që i zinin të fshehur nëpër puseta. Serbët kanë vazhduar deri në mbrëmje.

Natën u strehuam nëpër dhoma të pavijoneve, bënim kujdestari ashtu me nga një shufër hekuri. Në orët e hershme të 23 majit, kanë ardhur sërish me maska dhe kanë urdhëruar të dalim jashtë, ose do të ekzekutonin kë ta zinin. Kur menduam se ata në ato rrethana mund të na vrisnin edhe përbrenda, vendosëm të dilnim. Përsëri kemi kaluar pranë kufomave, të cilave me lot e vaj ua lëshoja nga një shikim, me lamtumirën e fundit, edhe pse as emrat nuk ua dija. Një serb atëherë me ironi na tha: “Keni kërkuar NATO-n, keni gjetur vdekjen prej tyre”. Të nesërmen na kanë hipur nëpër autobus e kamionë dhe na kanë nisur për Lipjan, e prej aty në Serbi… /Agim Zogaj/Telegrafi/


BAJRUSH XHEMAJLI, I MBIJETUAR I MASAKRËS SË DUBRAVËS: DËSHMIA E DHËNË NË VITIN 2000, NË JAVOREN “ZËRI”

PLOJA DHE LUFTA PËR TË SHPËTUAR

Në mëngjesin e 29 prillit të vitit të kaluar, në burgun e Nishit na futën në autobusë dhe na kthyen në burgun e Dubravës, prej nga ishim larguar një vit më parë. Në Dubravë ishin kthyer edhe të burgosurit tjerë, politikë dhe ordinarë, nga burgjet e tjera të Serbisë. Ata ishin të vendosur në dy pavijone: pavijonin C1 (pavijoni izolues) dhe C2 (pavijon i tipit më të lirë). Neve na vendosën në pavijonin B2. Për një kohë të shkurtër numri i të burgosurve shqiptarë në Dubravë do të kapë shifrën prej 950 vetash.

Kthimi ynë në këto rrethana tregonte qartë se për ne përgatitej një e keqe. Këtë e tregonte edhe fakti se një vit më parë, në kushte më të mira, na largojnë “për shkaqe sigurie”. Ndërsa na kthenin në kohën kur e tërë Kosova ishte në flakë. Serbët e dinin se NATO do të bombardojë objektet e burgut, që ishte bazë e fuqishme e armatës serbe. Mu për këtë, ata i kishin larguar paramilitarët dhe në vend të tyre na vendosën neve.

Më 19 maj, diku nga gjysma e ditës sulmohen objektet e burgut – dy pavijone brenda mureve dhe disa jashtë mureve (drejtoria e burgut). Pavijoni C1, që ishte përplot me të burgosur, goditet me katër projektilë. Nga ky bombardim vdesin tre të burgosur; tre plagosen rëndë dhe dhjetë të tjerë më lehtë. Pas pak çastesh qëllohet edhe pavijoni B3. Për fat, në këtë pavijon nuk kishte të burgosur, ngase serbët atë e shfrytëzonin si depo. Radhën e kishte pavijoni B2…

Ne ishim të gjithë të mbyllur pa asnjë mundësi për të dalë jashtë. Gardianët kishin ikur sapo kishte filluar bombardimi, andaj përveç pavijonit C2 që gati tërë ditën i kishte dyert e hapura, pavijonet tjera ishin të mbyllura. Pjesa më e madhe e të burgosurve nisin t’i thyejnë grilat e të dalin jashtë, por as që mund të lëvizeshin ato. Na kaploi një panik i madh i ballafaqimit me vdekjen.

Njerëzit e papërmbajtur bërtisnin sa mundnin, ndërsa ata në pavijonin e goditur i kaplon një trishtim i vërtetë. Aty kishte njerëz të plagosur, por askush nuk mund t’u ndihmonte. Në këto momente të rënda, kur s’dihej se çka po ndodhte, të burgosurit ordinarë hapin dyert me forcë, me kazma e mjete tjera, duke nxjerrë kështu të plagosurit dhe të burgosurit, fillimisht në pavijonin C1 e pastaj në B2, që prisnim çdo çast të goditej. Pasi dolëm në oborrin e burgut, pamë se në pavijonin C1 kishin mbetur të vrarë tre të burgosur: Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjon Ndrecaj.

Pas dy orësh, nga dera e hyrjes së burgut hyjnë ca gardianë të armatosur. Me ta ishte edhe një i burgosur ordinar serb nga burgu i Nishit. Ai ishte i armatosur, por ende mbante rrobat e burgut. Gardianët na urdhërojnë të bëhemi rresht. Menduam se do të na vrasin, por ata vetëm urdhëruan të hyjmë brenda. Pasi që dyert ishin të thyera, gardianët thonë të kujdestarojë dikush nga të burgosurit dhe në rast të bombardimit të sërishëm të dalim jashtë.

Të nesërmen, përpos shqetësimit dhe ankthit për atë se çfarë do të na ndodhë, diçka tjetër nuk ndodhi. Por, më 21 maj, projektile të fuqishme fillojnë prapë të bien mbi ndërtesat, jashtë mureve të burgut. Bombardimi vazhdon më tutje, por tani cak i sulmeve janë edhe objektet brenda mureve. Së pari qëllohet Mensa, si pasojë e së cilës vdesin disa të burgosur dhe shumë të tjerë lëndohen.

Bombardimi vazhdoi me ndërprerje të herëpashershme, deri në mbrëmje. Të burgosurit tubohen në një hapësirë të ngushtë katërkëndëshe, mes këtyre objekteve: Mensës, Ambulancës, pavijonit të pranimit, Shkollës, Sallës së Sporteve, Shtëpisë së Kulturës, pavijonit B3 dhe B2. Gjatë kësaj kohe një projektil bie afër shtëpisë së kulturës, nga e cila goditje vdekjen e gjejnë disa të burgosur, ndër të cilët edhe Ahmet Hoxha dhe Mejdi Dalloshi.

Duke parë rrezikun brenda këtij katërkëndëshi, vendosëm të largohemi nga ndërtesat. Mu për këtë, vendi më i përshtatshëm na u duk të jetë Fusha e Sportit. Disa të burgosur futen nëpër puseta, apo edhe diku tjetër ku mendonin se ishin më të sigurt. Në këtë ditë tragjike, ku goditet pothuaj çdo objekt i burgut, vdiqën 16 të burgosur. Nga plagët e marra atë ditë, më vonë do të vdesin edhe disa të tjerë.

Pasi që askush nga organet e burgut nuk kujdesej për të plagosurit, ne filluam të vetorganizohemi. Në këto rrethana ne arritëm ta formojmë një ekip prej disa vetash, që do të kujdeset për të plagosurit. Ky ekip do të kujdeset për të plagosurit, deri në ditën e tansferimit.

Pjesa më e madhe e të burgosurve, natën e 21 dhe 22 majit do ta kalojë në qiell të hapur. Të nesërmen, diku rreth orës pesë të mëngjesit, një i uniformuar nga karakolli veriperëndimor, afër Fushës së Sportit, na urdhëron të rreshtohemi për dy. Ai thotë se pavijonet janë të dëmtuara, andaj do të na transferojnë të gjithëve në burgun e Nishit. Sipas urdhrit të tij, ne duhej të rreshtoheshim rreth 30 metra afër murit, në anën veriperëndimore. Kur bëhet rreshtimi për dy, ai urdhëron të bëhet në rresht për katër. Por, ende pa u rreshtuar mirë, fillon një breshëri gjuajtjesh me: automatikë, snajperë, minahedhës, bomba dore dhe mitralozë, që zgjat rreth gjysmë ore.

Në këtë vend vdekjen e gjejnë 60-70 veta; 200 të tjerë plagosen. Të gjithë ne filluam të ikim në anën e kundërt të sulmuesve, në drejtim të pavijonit B2. Kur arritëm tek Mensa, ata filluan të na gjuajnë me snajperë nga një karakoll në pjesën tjetër të burgut. Me këtë rast vriten një i burgosur dhe shumë të tjerë plagosen. Meqë nuk kishim kah t’ia mbanim, u grumbulluam brenda dhe jashtë ndërtesës së mensës dhe ambulancës, ku mendonim se ishim më pak të ekspozuar. Në ambulancë e sollëm edhe ndonjë të plagosur, por ky numër ishte i vogël pasi që pjesa dërrmuese e të plagosurve rëndë kishin mbetur të shtrirë në Fushën e Sportit. Në këto çaste, nga traumat e rënda psikike, dy të burgosur “shpëtimin” e gjejnë në varje.

Pasi që të shtënat pushojnë, me një grup shokësh vendosëm të kalojmë në pavijonin C1. Ne planifikonim që prej aty, nëse na jepet mundësia, të shkojmë dhe t’i bartim të plagosurit nga Fusha e Sportit. Ne njëherësh shpresonim, ndonëse prapë frikoheshim, se NATO atë objekt më nuk do ta bombardojë, pasi që më parë e kishte sulmuar.

Me disa ekipe të të burgosurve, që ne kemi arritur t’i formojmë, i marrim të plagosurit nga fusha e sportit dhe i bartim në pavijonin C1. Sherif Ilazi (student i Fizkulturës) dhe disa të tjerë duhej të shkonin zhagas, pasi që serbët kohë pas kohe dilnin dhe gjuanin nga karakolli, t’i tërhiqnin të plagosurit. Të plagosurit i kemi vendosur në katin përdhes të anës së djathtë të pavijonit C1, në dyshekë përgjatë tërë korridorit. Pastaj mbushën edhe të gjithë krevatet e atij krahu, e më në fund edhe salla e TV-së. Ndihmë të madhe në bartjen dhe përkujdesjen për të burgosurit japin Bislim Zogaj (teknik medicinal), Nait Hasani (i cili edhe pse i plagosur, nuk u ndal së ndihmuari dhe organizuari), Sherif Ilazi etj.

Atë ditë, para se të errësohej, nga dera e hyrjes së burgut, një grup prej 10-15 personash të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur me automatikë, bomba dore dhe minahedhës, hynë brenda dhe filluan të shtënat. Në puseta ata gjuanin me bomba dore, kurse në drejtim të pavijoneve, e sidomos në Mensë, me minahedhës. Pasi vranë e plagosën disa të burgosur, pas 20 minutave largohen jashtë mureve të burgut.

Duke parë rrezikun se ata mund të hyjnë dhe të masakrojnë të plagosurit, vendosëm të organizojmë vetëmbrojtje, që së paku t’u japim kurajo të plagosurve. Për këtë qëllim, ne, 30-40 të burgosur që ndihmonim të plagosurit, me shufra të hekurit të nxjerra nga krevatet, u vendosëm nëpër kthina të ndryshme, e sidomos në hyrje të pavijonit. Në hyrje të pavijonit ishte Sherif Ilazi me ca të tjerë. Aty duhej të bëhej një komandë dhe për këtë u caktuan: në krahun e djathtë përdhes – Nait Hasani, në krahun e majtë përdhes – Aqif Ilazi, në katin e sipërm të krahut të djathtë – Avda Memedoviqi, dhe në krahun e majtë, të katit të sipërm – unë. Fati deshi që njerëzit me maska, të cilët nisen në fillim të ditës së nesërme, 30 metra afër pavijonit të ndërrojnë mendjen dhe të shkojnë në pavijone tjera.

Më 23 maj të atij mëngjesi, njerëzit me maska ishin më të organizuar. Grupit të parë që ishte një natë më parë i është bashkëngjitur edhe një grup tjetër, pak më i vogël, që futet nga dera në anën veriore. Vlen të theksohet se të gjithë njerëzit me maska ishin të uniformuar, por që uniformat i kishin të ndryshme: të Ushtrisë, të Policisë serbe, të paramilitarëve dhe të të burgosurve. Pasi vrasin rreth 30 të burgosur, na urdhërojnë të dalim jashtë pavijoneve dhe na fusin të gjithëve në Sallën e Sporti. Tani ishim të bindur se do të na vrasin, ani pse edhe kësaj radhe na thanë se do të na dërgojnë në një burg tjetër. Më nuk besonim në asgjë, por vetëm prisnim ekzekutimin.

Në pritje të vdekjes, aeroplanët e NATO-s prapë gumëzhinin në qiell. Të maskuarit pas një konsultimi të gjatë që e bënë jashtë sallës, hynë dhe na thanë: “Kemi menduar t’ju dërgojmë në burgje tjera, por autobusët që duhej të vinin për t’ju marrë kanë hasur në një urë të prishur nga bombardimi i sotëm. Pra, deri të nesërmen do të jeni këtu”. Ne nuk besonim në asnjë fjalë të tyre, por duhej të prisnim – s’kishim ç’të bënin tjetër. Ata shkuan e ne morëm të plagosurit tjerë të asaj dite…

Të nesërmen, më 24 maj, ndodhi befasia: të gjithë transferohemi në burgun e Lipjanit. Të plagosurit i dërguan me kamionë, ndërsa ne të tjerëve me autobusë. Pas 16 ditësh, kur nënshkruhet Marrëveshja Tekniko-Ushtarake në Kumanovë, transferohemi në burgjet e Serbisë.

Gjatë pesë ditëve, sa zgjati ploja e Dubravës, janë vrarë së paku 120 të burgosur (19 nga NATO-ja), kurse janë plagosur mbi 300 vetë (prej të cilëve mbi 150 rënd)…

(PËRFUNDON NESËR)

Në trend Lajme

Më shumë
Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Lajme
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Kronika e Zezë
Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit

Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit

Lajme
​Ambasadori francez kërkon që Radoiçiq dhe grupi i tij të dalin para drejtësisë

​Ambasadori francez kërkon që Radoiçiq dhe grupi i tij të dalin para drejtësisë

Lajme
Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle

Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle

Lajme
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
Kalo në kategori