Marco Verratti pritet të largohet nga Katari pas dy vite e gjysmë të kaluara në futbollin arab, te Al-Arabi fillimisht pastaj te Al-Duhail.

Mesfushori italian Marco Verratti, është futur në listën e dëshirave të gjigantit argjentinas Boca Juniors.


Sipas Ekrem Konur, te Boca kanë nisur lëvizjet konkrete për të testuar mundësinë e një transferimi të yllit 33-vjeçar.

Prej disa javësh në skenën e thashethemeve ka qarkulluar mundësia e një rikthimi të Verrattit në Evropë, veçanërisht në Serie A.

Megjithatë, Boca duket se po tenton të ndërhyjë fuqishëm në garë. Presidenti i klubit, legjenda Juan Roman Riquelme, thuhet se ka nisur kontaktet e para me lojtarin, duke kërkuar ta bindë për një aventure të re në Argjentinë.

Një rol të rëndësishëm në këtë operacion pritet ta luajnë edhe ish-shokët e Verrattit te PSG: Edinson Cavani, Ander Herrera dhe Leandro Paredes, të cilët mund të ndikojnë pozitivisht në vendimin e mesfushorit.

Verratti kaloi plot një dekadë te Paris Saint-Germain, ku u shndërrua në një nga mesfushorët më teknikë dhe më dominues të gjeneratës së tij. Në vitin 2023 ai la Francën për Katarin, duke iu bashkuar fillimisht Al-Arabi, ndërsa më herët këtë vit u transferua te Al Duhail.

Afrimi i tij te Boca Juniors do të ishte një goditje e madhe për futbollin argjentinas dhe një lëvizje që do të tërhiqte vëmendjen e botës së futbollit. /Telegrafi/

telegrafi sport app