Një trajner aktual i Ligës Premier raportohet se është në shënjestër si zëvendësues i mundshëm i Ruben Amorim, në rast se ky i fundit humbet postin e tij.

Edhe pse presioni mbi Amorim mund të jetë lehtësuar disi pas fitores 2-0 të Manchester United ndaj Sunderland në ndeshjen e fundit, e vërteta është se "Djajtë e Kuq" kanë pasur një fillim të dobët në sezonin 2025/2026.


Portugezi nuk ka arritur ende të sigurojë dy fitore radhazi që kur zëvendësoi Erik Ten Hag në postin e trajnerit, në vjeshtën e vitit 2024.

Aktualisht, United renditet në vendin e dhjetë në Premier League pas shtatë ndeshjesh, me tri fitore, një barazim dhe tri humbje, përfshirë një disfatë të turpshme ndaj Grimsby në raundin e dytë të Carabao Cup.

Ka pasur disa raportime që sugjerojnë se United po shqyrton tre trajnerë të tjerë si alternative, Gareth Southgate, Oliver Glasner dhe Andoni Iraola, megjithatë, raporte të tjera pretendojnë se aksioneri minoritar, Sir Jim Ratcliffe, dëshiron të vlerësojë performancën e Amorim pas përfundimit të plotë të sezonit.

Së fundmi, një raport nga media spanjolle Fichajes sugjeron se një trajner aktual i Ligës Premier mund të jetë në listë për të zëvendësuar Amorim.

Sipas burimit, trajneri i Aston Villas, Unai Emery, është në shënjestër të Manchester United nëse “projekti” i Amorim nuk jep rezultatet e pritshme.

Emery ka një histori të provuar suksesi si në Ligën Premier ashtu edhe në La Liga. 53-vjeçari ka fituar katër herë Ligën e Evropës, tri herë me Sevillën dhe një herë me Villarrealin, si dhe një titull të Ligue 1 dhe dy Kupa të Francës gjatë kohës së tij në Paris Saint-Germain.

Që nga ardhja e tij te Aston Villa në vitin 2022, ai e ka kualifikuar klubin nga Birminghami në Evropë tre herë dhe nuk ka përfunduar asnjëherë më poshtë se vendi i shtatë në tabelë.

Ai gjithashtu udhëhoqi Villan deri në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në sezonin 2024/2025./Telegrafi/

telegrafi sport app