Komuna e Mamushës po synon që gjatë këtij viti të nis realizimi i një projekti kapital në fushën e edukimit të hershëm.

Kryetari i kësaj komune, Abdylhadi Krasniç, ka njoftuar se projekti për ndërtimin e një çerdheje me pajisje moderne në Mamushë tashmë është dorëzuar në Ministrinë e Arsimit.


“Në Mamushë, po synojmë ta realizojmë edhe një projekt të madh. Projekti për çerdhen është dorëzuar gjatë javës së shkuar në Ministrinë e Arsimit. Planet tona janë që ndërtimi i çerdhes, me një vlerë prej 550 mijë eurosh, të fillojë brenda këtij viti me financim nga Ministria e Arsimit”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.

Krasniç ka theksuar se çerdhja e re synon të rrisë cilësinë në arsimin parashkollor dhe se ky projekt ka rëndësi të madhe për komunitetin që jeton në Komunën e Mamushës.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Mamushës, Tyrker Mazrek ka bërë të ditur se çerdhja planifikohet që të ndërtohet në ngastrën përballë gjimnazit “Ataturk” dhe se planet janë që aty të ofrohen shërbime për 50 deri në 60 fëmijë.

Sipas tij, qëllimi i këtij projekti është që fëmijëve t’u ofrohet një mjedis i sigurt dhe cilësor për edukimin e hershëm dhe njëherësh të lehtësohet qasja në tregun e punës për prindërit e tyre, raporton Telegrafi.

Drejtuesit e MASHTI-t vjet përmes një letre patën kërkuar angazhimin dhe bashkëpunimin e autoriteteve komunale në sigurimin e lokacioneve për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve, me qëllim që secilit fëmijë t’i mundësohet qasja e edukimit në fëmijërinë e hershme. /Telegrafi/