Nga: Maureen Mahon, profesoreshë e muzikës në Universitetin e Nju-Jorkut / The Guardian (titulli origjinal: Raw talent and a refusal to accept barriers made Tina Turner great)
Përkthimi: Telegrafi.com
Tina Turner, këngëtarja e njohur që u cilësua si mbretëreshë e rokënrolit, u mbijetoi kaq shumë sfidave personale dhe profesionale, saqë disa nga adhuruesit e saj kanë mundur të besojnë se ajo përgjithmonë do të jetojë.
Vdekja e saj, javën e kaluar në moshën 83-vjeçare, riktheu faktin se ishte po aq e vdekshme sa ne të tjerët, por refuzimi i saj për të qenë e kufizuar, ku gratë e zeza pritet të jenë, do të mbetet burim i përhershëm frymëzimi.
Si studiuese që hulumton kontributet që gratë afrikano-amerikane dhanë në rokënrol, e kam në mendje udhëtimin muzikor të Turnerit. Ishte yll unik, e vetmja artiste për të cilën kam shkruar e që ka një nivel kaq të lartë të mirënjohjes – edhe mes njerëzve që nuk janë adhurues të muzikës pop. Në fakt, siç u bë e qartë në ditët pas vdekjes së saj, të gjithë duket se kanë dëgjuar për të. Jam magjepsur nga aftësia e saj për të arritur këtë nivel fame dhe nga mënyra e shkathët me të cilin e mobilizoi talentin e vet të jashtëzakonshëm vokal dhe prezencën e plotë në skenë – për të refuzuar dhe për t’i rezistuar shkuarjes në margjinat e muzikës pop.
E lindur si Anna Mae Bullock, në vitin 1939, Tina Turner e re nuk pati fëmijëri të lehtë, por e kishte aftësinë për t’i paramenduar mundësitë e tjera dhe e kishte gatishmërinë për të punuar për t’i arritur ëndrrat e veta. Anna Mae e donte këndimin. Këndoi në kishë dhe po ashtu këndoi ritëm-e-bluz (R&B), pop, bluz dhe kantri që dëgjonte në radio teksa rritej në Tenesinë rurale.
Kur si adoleshente pa grupin Kings of Rhythm, pati guximin t’i kërkonte liderit të grupit, Ike Turner, ta linte të këndojë me ta. Anna e vogël, siç njihej atëherë, tërhoqi audiencën në fund të viteve 1950 – me lojën e zërit me nuanca të ashpra të vokalit, britma, ulërima dhe fuqi të pastër të këndimit.
Si këngëtarja kryesore në Ike and Tina Turner Revue, gjatë viteve 1960-‘70, u bë e njohur për një kombinim unik të vokaleve energjike dhe lëvizjeve të pandërprera. Ajo dhe këngëtaret përcjellëse, Ikettes, kënduan rrjedhshëm dhe me hapa të shpejtë të kërcimit; krahët që lëviznin, flokët që tundeshin dhe fustanet e shkurtër me thekë, shfaqjes ia shtonin emocionet.
Turner nuk kishte frikë të ishte seksi dhe nuk kishte frikë të djersitej. Ishte një alternativë e fortë ndaj stilit të kontrolluar dhe të përmbajtur të performancës që dominonte në mesin e grave të zeza të asaj periudhe.
Por, kërkonte gjithashtu një rrugëdalje nga martesa e saj abuzive dhe nga partneriteti profesional me Ike Turnerin. E kishte tentuar vetëvrasjen – dhe e dinte se duhej ta bënte një ndryshim. Jashtë kufizimeve të krishterimit në të cilin ishte rritur, budizmin niçiren dhe praktikën e këndimit të rregullt e shihte si burim force, gjë që ia mundësoi t’i shpëtonte ekzistencës shteruese që shkaktonte martesa e saj.
Rrëfimet e saj në lidhje me abuzimin që pësoi gjatë 16 vjetëve të jetës me burrin Ike, i tronditën adhuruesit, por, duke e braktisur atë u bë model për njerëzit që luftojnë me abuzimin e partnerit intim. U bë ikonë e mbijetesës, jo thjesht sepse e la torturuesin, por për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm profesional që arriti pas ndarjes.
Ai sukses nuk ishte i paracaktuar. Kur e nisi rrugën e solo-karrierës në fund të viteve 1970, ishte duke punuar në një industri muzikore që në përgjithësi i pengonte artistët afrikano-amerikanë të merrnin pjesë në zhanret fitimprurëse të popit dhe të rokut. Por, Turner ishte e lodhur duke kënduar R&B dhe e përcaktuar të shkojë më tej.
Në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këshillat konvencionale të industrisë diskografike, i vuri sytë te roku, duke ëndërruar për koncertet në shkallë të gjerë, nëpër arena. Ishte betejë e vështirë për t’i bindur vendimmarrësit që t’ia ofrojnë një kontratë një gruaje zezake në të dyzetat, që donte të interpretonte një stil muzikor që shihej si kompetencë e të rinjve të bardhë. S’kishte lidhje se roku i kishte rrënjët në muzikën afrikano-amerikane. Nuk kishte lidhje fakti se ajo i kishte mprehur aftësitë e veta, së bashku me Ike Turnerin, si një prej krijuesve të rokënrolit.
U deshën rreth katër vjet për ta siguruar kontratën që çoi në fillimin e saj të suksesshëm të vitit 1984, me Private Dancer. Albumi i incizuar në Londër në bashkëpunim me rokerët e bardhë të cilët ishin adhurues të kahershëm të saj, u fut në tingujt e hard-rokut dhe të popit të viteve 1980. Duke e vendosur zërin e pagabueshëm të Turnerit në plan të parë të këngëve, e vulosi reputacionin e saj si këngëtare e gjithanshme e rokut, ndoshta më e mira që krijonte në atë kohë.
Kënga e pasur, What’s Love Got to Do With It, ia dha Turnerit vendin e parë në top-lista dhe shumë shpejt ajo nisi të mbajë koncerte në stadiumet e mbushura, siç kishte ëndërruar. Pasuan çmimet Grammy, më shumë albume në krye të top-listave dhe turnetë që thyen rekordet. Ajo dëshmoi se çfarë mund të bëjë një këngëtare e zezë.
Turner i shpëtoi dhunës në familje dhe e anashkaloi racizmin, seksizmin dhe moshën e përcaktuar nga industritë muzikore. E rikrijoi veten në të dyzetat, u bë yll i madh botëror i popit dhe, pas një ecurie të lavdishme, u tërhoq nga skena si mbretëresha e padiskutueshme e rokënrolit. La pas vetes këngët dhe pamjet nga koncertet që shfaqin një zë e paimitueshëm, si dhe shpirtin e paepur që nxiti karrierën e saj dhe që hapi rrugën për artistet e tjera – veçanërisht për gratë zezake si Beyoncé dhe Brittany Howard, të cilat guxojnë të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe. Trashëgimia e Tina Turnerit është tregues se çfarë është e mundur nëse ti i tejkalon kufizimet. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëLAMTUMIRË VËNDET E MIJA
Fitorja e Trumpit do të ndryshojë Amerikën, por Evropa mund të ketë një tjetër të ardhme
Roli i Ismail Qemalit në pavarësimin e Shqipërisë
PAS VDEKJES SIME
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Thënie të Sami Frashërit: Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian