Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas publikimit  të rezultateve  të testit të arritshmërisë, duke i cilësuar ato si “dështim eklatant” të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Në një postim në Facebook, Lushaku-Sadriu ka theksuar se kalueshmëria në nivel vendi ka rënë në 48.8%, krahasuar me 57.1% sa ishte në vitin 2021, duke e vlerësuar këtë si rezultatin më të dobët në gjashtë vitet e fundit.


Sipas saj, kjo rënie nuk është reflektim i mungesës së aftësive apo talentit të nxënësve, por një pasojë direkte e “mospërkushtimit institucional”.

Ajo rendit disa nga rezultatet më shqetësuese:

Matematikë: 38.9%

Gjuhë Angleze: 39.3%

Kimi: 37.4%

“Nxënësit tanë nuk po dështojnë. Po dështojnë uzurpatorët qeveritarë që udhëheqin arsimin,” shkroi deputetja, duke akuzuar ministren Arbërie Nagavci se ka shndërruar Ministrinë e Arsimit në “zyrë propagande”.

Lushaku-Sadriu thekson se arsimi kërkon përkushtim real, mbështetje për mësimdhënësit dhe kushte më të mira për nxënësit, e jo retorikë boshe. Ajo e mbyll reagimin me një mesazh të qartë:
“Na duhen fëmijë të ditur, jo me mendje të varfëruar. Ata që duan një popull pa dije, e duan për ta sunduar më lehtë. Kosova nuk mund të vazhdojë kështu. Uzurpatorët e qeverisë duhet të largohen menjëherë!”