LAJMI I FUNDIT:

Lumturia sjell lumturi

Lumturia sjell lumturi

Dashuria mbin nga besimi, jeton nga shpresa, ndërsa vdes nga mëshira. (Monteskie)

Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com  


Besoj se me kalimin e kohës njerëzit do të ngrihen në lartësinë e duhur për veten dhe për fëmijët e tyre. Jeta do të jetë më e rrjedhshme, me besim ndaj vetvetes, për të mirën e vetes. Të ketë besim më shumë ndaj vetë jetës, sesa ndaj: ligjit, policisë, liderëve fetarë.

Njeriu kur do të fillojë të jetojë një jetë të drejtë, të ndershme, i ditur pa emocione por i arsyeshëm, atëherë fëmijët lindin nga dëshira, e jo nga dashuria.

Ne çdo gjë llogarisim: martesën, interesin, pushtetin, famën, prestigjin, të gjitha këto janë interes. Pazari në të shumtën e rasteve nuk del ashtu siç e kemi llogaritur (ku është këtu dashuria), të gjitha këto janë për hir të motiveve të tjera, kjo është gjendje e mungesës të dashurisë.

Kështu fëmijët marrin edukatën e parë të jetës nga prindërit, mirëpo prindërit nga rreziqet e ndryshme sillen se e duan njëri-tjetrin dhe në vend të dashurisë ata prodhojnë zënka, xhelozi, grindje e zemërime.

Fëmijët vazhdojnë të shohin fytyra të shëmtuara-nervoze të prindërve të tyre. Meqenëse fëmijët shohin, ata nuk mund ta besojnë se në jetën e tyre do të ketë dashuri, pasi nuk ndodh në jetën e prindërve, pasi fëmija është shumë i ndjeshëm, ai vëren se dashuria është vetëm në këngë, në romane, në vjersha.

Dashuria ekziston vetëm për poetët, dhe se nuk ka të bëjë asgjë me realitetin e jetës. Edhe ti nëse e mëson si poezi, ti i jep të drejtë vetes se dashuria ekziston në poezi, atëherë ti je dorëzuar, nuk të intereson dashuria. Besoj se ti i përcjell babanë dhe nënën tënde. Edhe nëse ata e duan thellë njëri-tjetrin, respektojnë shoku-shokun, atëherë ti do të shohësh se sa mirë është dashuria. Atëherë lind shpresa.

Fëmija rritet me dashuri dhe ti e di se kjo ndjenjë është të jesh dhe të jetosh e ta shijosh jetën. Në qoftë se ti nuk e ke përjetuar, nuk e ke parë këtë, atëherë si mund të besosh se kjo do të ndodhë me ty? Nëse kjo nuk ka ndodhur me prindërit e tu: si mund të ndodhë kur ti e ke fshehur dashurinë nga fëmija, ti e ke përsëritur se është turp.

Ti bën gjithçka që fëmija të mos e dijë të vërtetën. Vijnë ditët kur fillon ankesa e fëmijëve: babi unë vuaj, jeta ime është shumë e rëndë, me mësimet nuk jam mirë, shiko mami unë vuaj, nuk e di se çfarë kam, por vuaj. Kështu vazhdojnë, unë nuk kam bërë asgjë, nuk kam shkuar më tej, vend numëroj, po më duket edhe unë si ti babi-mami. Unë mundohem të jem përfaqësues yti babi, edhe unë mundohem të jem si ti, shiko bëj të njëjtat gjëra që ti i ke bërë me mamin (të njëjtat zënka, të njëjtat gabime). Edhe unë, babi/ mami bëj atë që ke bërë ti me mua, edhe unë vazhdoj të bëj me fëmijët e mi, edhe unë i rris fëmijë e mi, siç më ke rritur mua.

Të rritësh, të edukosh fëmijë është shumë delikate. Ti, është rëndë të edukosh fëmijën, sepse vetë prindërit nuk janë të edukuar. Fëmija nuk është send, ti në shumicën e rasteve nuk je i përgatitur për fëmijën. Fëmija rritet vetë. Ti mundohesh ta edukosh, ta ndihmosh, por ai rritet. Në çastin kur ti fillon ta edukosh fëmijën, në momentin kur ti nis të krijosh tek ai model, modelin tënd, ata do të jenë të dënuar. Kjo është rruga e vetme, me të cilën mësojmë ata dhe ata do ta bëjnë të njëjtën gjë me fëmijët e tyre e kështu me radhë.

Vetëm, nëse arrini të ngriheni në lartësinë e duhur, nëse arrini ta zbuloni vetveten, nëse dini ta festoni jetën, ju duhet të jeni bashkë. Nëse bashkëshorti/bashkëshortja juaj është i/e lumtur, i/e disponuar, ju duhet ta përkrahni njëri-tjetrin.

Lumturia, gëzimi, komplimenti janë gjëra të mira që duhet të përdoren dhe të shtohen. Lumturia sjell lumturi, gëzimi sjell gëzim. Harmonia mes çifteve, liria mes çifteve sjell lirinë tënde. Kritikat, vërejtjet nuk kanë sjellë sukses mes çifteve, përkundrazi kanë shkatërruar familjet. Fëmijët gjithçka përcjellin, ata kërkojnë edhe atë që atyre nuk u takon, incizojnë problemet. Ata në të shumtën e rasteve shohin anën e shëmtuar. Kur nëna dhe babai bëjnë dashuri, pas dyerve të mbyllura, fshehtazi, ata do të sillen të qetë që të mos lejojnë fëmijët ta marrin vesh se çfarë është dashuria. Fëmijët nuk shohin dashurinë e prindërve, ata shohin vetëm konfliktet e tyre, si grinden, si shahen, por edhe si godasin njëri-tjetrin: mënyrat e vrazhda dhe fyerjet e poshtërojnë njëri-tjetrin.

Fëmijët shohin vazhdimisht se çfarë u ndodh. Kjo pasqyrë vazhdon, fëmijët vështrojnë vazhdimisht se çfarë po ndodh. Kjo është familja, kjo është jeta, kjo është pasqyra e familjes.

Fëmijët humbasin shpresën përpara se të futen në jetë. Ata shohin disfata, përjetojnë trauma. Çfarë duhet të që shpresojnë kur prindërit e tyre janë të tillë. Vazhdojnë të pajtohen të jenë fatkëqij. Bëhen agresivë si prindërit. Fëmijët nuk kanë parë asnjëherë se si vjen dashuria, fëmijët duhet ta dinë si vjen dashuria, çfarë është dashuria, fëmija duhet ta dijë se prejardhjen e ka nga dashuria. Fëmija duhet të shohë se ata duhen, kujdesen për njëri-tjetrin.

Interesant, të gjitha gjërat janë të lejueshme: lejueshme është të grindesh, të zihesh, por jo të dashurosh, të dashurosh është e pahijshme, turp. Por, si mund të jetë e pahijshme dashuria! Dashuria konsiderohet e pahijshme, e turpshme, dashurinë duhet ta fshehësh në errësirë: dashuri duhet të bësh ku nuk të sheh njeri, duhet të bësh atë pa zhurmë, vjedhurazi, që fëmija, njerëzit, nuk duhet ta dinë, është turp ta marrin vesh se çfarë është dashuria!

Nëse arrini të ngriheni në lartësinë e duhur, ta keni lirinë e duhur dhe më shumë mirëkuptim, dashuria do të jetë kudo dhe ngado, dashuria do të shumëzohet vetvetiu. Fëmijët do të shohin se çfarë është kujdesi, do të shohin çfarë është gëzimi. Dy njerëz që bëjnë dashuri, nuk duhet të shqetësohen që askush të mos marrë vesh, ata duhet të qeshin, duhet të këndojnë, të jenë të lumtur, të tjerët duhet t’i përkrahin dhe t’i mbështetin sepse ata duhen.

Dashuria është dhuratë, dashuria është hyjnore, ajo është e shenjtë. Sot e këtë ditë kjo temë tabu është e pranishme: shoqëria, familja ka qenë dhe ende është kundër dashurisë, por në fshehtësi, sepse publikisht nuk e pranojmë, por punojmë, veprojmë kundër dashurisë, është një mrekulli e madhe, që është ruajtur ende, është mrekulli që ajo mbijeton mes aq shumë kundërshtarëve.

Degjenerimi ka marrë masa shumë alarmante, homo/lesbiket (në Zelandë të Re është një përqindje shumë e madhe e popullatës të përgjithshme që janë deklaruar homo). Tradita, padituria, skamja, priftërinjtë, politikanët kanë krijuar të gjitha llojet e ndalesave, ata kanë prodhuar, gjeneruar gjithçka që është e shëmtuar.

Familja ka përgjegjësi të madhe, edukata duhet të lulëzojë, fëmijëve duhet t’u ofrohen projekte, programe, të kenë mundësi çfarë të mësojnë. Masat që merren, imponimi duhet të arsyetohet me fakte dhe me arsye. Kjo është mënyra e suksesit të edukatës së fëmijëve.

Duhet të largohen barrierat. Vetë jeta është shkencë shumë e ndjeshme, e hollë, dashuria është vetë jeta, atë mund ta kuptojnë vetëm ata që janë më të vërtetë të gatshëm të heqin dorë nga paragjykimet. Kjo kërkon një kujdes, një përkushtim mjaft mjeshtëror dhe mistik. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori