LAJMI I FUNDIT:

“Lule mes ndërtimesh të egra”

“Lule mes ndërtimesh të egra”

“Lule mes ndërtimesh të egra” është titulli i librit me poezi i autorit Uran Krasniqi botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni” në Prishtinë.

Ky libër është ndarë në dy cikle. Në ciklin e parë janë pesëdhjetë poezi, kaq edhe në të dytin. Sipas autorit të librit, këto krijime poetike reflektojnë ndjenjën dhe mendjen e tij.

Redaktori i librit, Halil Matoshi, ka thënë se fjala poetike e Uran Krasniqit është e bukur për të qenë e ashpër dhe po aq e befasishme për të qenë shpatë. “Shpatë goje. Për vargjet e tij nisa të interesohem pasi e lexova poezinë ‘Kartolinë urimi Peter Handkes’. Në këtë poezi autori nuk mallkon por, përmes imazheve nga lufta e Kosovës, krijon panoramën e një kinse urimi për nobelistin Handke, përmes së cilës i flet ndërgjegjes së botës. Pamje të vuajtjes njerëzore, të sublimuara te fëmija i masakruar me biberon në gojë, Valmir Deliu, ikonë e luftës së Kosovës. Por, e përbashkëta e poezive tubë në këtë libër është trishtimi, madje edhe kur autori shkruan për dashurinë, të cilën e realizon në shkrimin si një univers paralel. Krasniqi, edhe nëse nuk i arrin majat poetike, ai po që është unik si për nga verbi poetik si për diskurs. Te poezia ‘Mount Everest’, p. sh., autori e di saktë se ideja e pushtimit të majave më të larta bëhet me manifest estetik, si e vetmja mënyrë për ta mbijetuar – pra duke mos e provuar pushtimin e Everestit real. Impresionuese poezia ‘Turkesha’, përmes së cilës poeti arrin ta skicojë portretin e vajzës që nuk i shqitet nga mendja mu sikur historia e mesjetës nga e cila nuk mund të dalin ballkanasit!?”, ka vlerësuar Matoshi.