Të nesërmen (e martë) me fillim nga ora 21:00 do të luhet ndeshja mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germainit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Siç kanë njoftuar mediat franceze RMC Sport dhe L’Equipe, Ousmane Dembele është lënë jashtë ekipit të PSG-së që ka udhëtuar në Londër për këtë përballje.
Dembele ka qenë njëri prej lojtarëve më të mirë të PSG-së në këtë fillim të sezonit, duke luajtur nga minuta e parë në gjashtë ndeshjet e para në ligë.
Deri më tani ai ka shënuar katër gola dhe ka bërë po aq asistime në këtë ndeshje, ndërsa kontributi i tij i fundit erdhi në fitoren ndaj Rennes të premten ku asistoi në fitoren 3-1.
Sidoqoftë, L’Equipe ka raportuar se pas këtij takimi, Dembele pati një debat të ashpër me trajnerin Luis Enrique, ndërsa ky i fundit tashmë ka vendosur që ta lë atë në shtëpi për ndeshjen me Arsenalin.
Megjithatë, lajm i mirë për parisienët është fakti që mesfushori Vitinha është rikthyer nga lëndimi dhe është përfshirë në ekipin që ka udhëtuar në Londër./Telegrafi/
Arsenal-PSG : Ousmane Dembélé écarté par Luis Enrique pour raison disciplinaire https://t.co/P8JDBckLP9
— Loïc Tanzi (@Tanziloic) September 30, 2024