Nga: Maria Stepanova, shkrimtare ruse / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Nuk mund të ndalem së shikuari fotografitë që u bënë në Ukrainë gjatë ditëve të pafundme të luftës; një luftë aq e papërfytyrueshme sa që ende është vështirë të besosh në realitetin e asaj që po ndodh. Rrugët e Kharkivit – rrënojat, trarët e betonit, vrimat e zeza ku duhet të jenë dritaret, konturet e ndërtesave të bukura me brendësitë e djegura. Një stacion, një turmë refugjatësh që përpiqen të hipin në një tren që niset. Një grua që mban një qen nxiton të shkojë në një strehë në Kiev para se të nisin granatimet. Shtëpitë e bombarduara në Sumi. Materniteti në Mariupol pas bombardimeve – po këtë nuk do ta përshkruaj.
Një shoqe 80-vjeçare më foli për një ëndërr që kishte parë dikur: një fushë e madhe e mbushur me njerëz të shtrirë në rreshta shtretërish të hekurt. Rreshta dhe rreshta të njerëzve. E, duke u ngritur nga kjo fushë, dëgjohet rënkimi. Gjithmonë e kam ditur, ka thënë ajo, se pritej kjo gjë. Se do të ndodhte.
Ëndrrat për katastrofën janë të zakonshme në atë që dikur quhej “bota post-sovjetike”; emrat tjerë me siguri shpejt do të shfaqen. Dhe, në këto ditët e netët e fundit, ëndrrat u bënë realitet, një realitet më i frikshëm nga krejt ajo që kemi mundur ta paramendojmë ndonjëherë, i kryer nga agresioni dhe nga dhuna, nga një e keqe që flet në gjuhën ruse. Siç shkroi dikush në një faqe të mediave sociale: “Kam ëndërruar se ishim të pushtuar nga nazistët dhe se nazistët ishim ne”.
Fjala “nazist” është një nga më të përdorurat në gjuhën politike të shtetit rus. Fjalimet e Vladimir Putinit dhe titujt e propagandës shpesh e përdorin këtë fjalë për ta përshkruar një armik që ata thonë se ka depërtuar në Ukrainë. Ky armik është aq i fortë sa mundet dhe duhet të rezistohet me agresion ushtarak: me bombardimet e zonave të banuara, me shkatërrimin e mishit të qyteteve e të fshatrave, të indeve të gjalla të fateve njerëzore.
Kjo fjalë ende na tmerron dhe në këtë botën tonë sigurisht se ka kandidatë tjerë për zbatimin e saj. Por, propagandistët e përdorin këtë fjalë si Njollën e Zezë të “Ishullit të thesarit”, që ngjitet kudo që i përshtatet. Nëse e quani kundërshtarin tuaj nazist, kjo shpjegon dhe justifikon gjithçka dhe çdo mjet.
Mjetet për këtë luftë janë përllogaritur me kujdes. Ushtria që zakonisht përshkruhet si moderne dhe efektive në aspektin teknologjik, po i përdor taktikat që janë huazuar nga filmat e vjetër të luftës. Çdo luftë është e tmerrshme, e neveritshme, por kjo është e një rangu tjetër: njësitet e tankeve të shtrira nëpër rrugë, sulmet me bombardime, lagjet e banuara të kthyera në gërmadha – gjithçka që shohim në ekrane dhe gjithçka që në Ukrainë shihet në jetën reale. Gjithçka duket si rindërtim i tmerrshëm, si film që flet për rundet e drejtpërdrejta të të shtënave, me njerëzit e vërtetë si objektivë.
Është diçka e re dhe shumë larg të qenit operacion pragmatik ushtarak; por, në të njëjtën kohë është shumë anakronik – një luftë e shekullit XX e zhvendosur në kuadrin e shekullit XXI. Shikojmë në kohë reale, duke u dridhur nga turpi dhe nga pikëllimi se kjo po ndodh këtu dhe tani: edhe një herë, dikush dëshiron ta rregullojë botën ashtu siç e sheh ai të arsyeshme, pa marrë parasysh se çfarë mendon njerëzimi për këtë. Përdorimi i dhunës si argument vendimtar në çdo diskutim të së ardhmes po e vë të ardhmen nën kërcënim – dhe ajo që po ndodh tani në Ukrainë (dhe në Rusi e në Bjellorusi ku të dy këto shtete prej kohësh janë pengje të sundimtarëve) ka implikim te çdo njëri prej nesh.
Ajo që po përjetojmë mund të quhet vdekja e përfytyrimit. Për shumë dekada, imagjinata perëndimore (nëpër shumë zhanre dhe forma, që nga letërsia e nivelit të lartë e deri te Hollivudi e seritë televizive) e ka përdorur industrinë e imagjinatës si një lloj terreni për trajnim të përvojës. Skenarët e frikshëm distopikë po luhen, po testohen për saktësi dhe në këtë mënyrë po normalizohen e po bëhen të sigurt, si filmat për zombitë dhe për jashtëtokësorët. Në fund të fundit, ato thjesht janë shpikje! Mbikëqyrja totale, lufta e të fuqishmëve kundër të dobëtëve, katastrofat ekologjike – të gjithat po ndodhin nën maskën e eksperimentit artistik: po, ky skenar është i pamundur në jetën reale, por hajt ta luajmë për ta parë se si mund të funksionojë.
Doli të jetë i tmerrshëm pajtimi ynë se e papërfytyrueshmja, ajo që e kemi refuzuar nga imagjinata kolektive si diçka të pamundur e të palejueshme, nuk mund të ndodhë realisht në një mëngjes të pazakontë dimri. Ai po i shkatërron të gjitha nocionet tona për botën bashkëkohore, si dhe kontratën sociale që e çmon nevojën për mirëkuptim të ndërsjellë, për ndjeshmërinë, për sensin e përbashkët (dhe njëfarë skepticizmi ndaj prononcimeve alarmante). Por, sot, e gjithë kjo ka ndodhur dhe ne po qëndrojmë përmes rrënojave.
Agresori në këtë luftë të padrejtë e në një territor të huaj, me krimet e veta të luftës dhe me viktimat e veta (që tashmë numërohen në miliona nëse i nuk përfshijmë vetëm të vrarët, por ata që kanë mbetur të pastrehë, pa të dashurit, pa të ardhme) vepron thuajse po e bën një vepër arti, një libër ose një film në të cilin ngjarjet kontrollohen nga ai krijues. Por, ky libër e ka një autor të keq. I keq në të gjitha kuptimet, si njeri dhe si shkrimtar, me pak interes për personazhet e veta. Atij nuk i intereson nëse mbijetojnë apo vdesin; atij nuk i intereson se cilat janë nevojat apo dëshirat e tyre; dhe, ai definitivisht nuk është i interesuar t’i njohë liritë e tyre.
E vetmja gjë që i intereson është autorësia, zbatimi i vullnetit të tij dhe kontrolli i tekstit dhe ngjarjeve. Kjo është ajo që në këtë moment e shqetëson Putinin: zbatimi i vullnetit personal, përpjekja për ta rishkruar historinë e Ukrainës dhe të Evropës, për ta ndryshuar të tashmen dhe për ta përcaktuar të ardhmen tonë. Po planifikon ta tërheq Ukrainën, Rusinë, Evropën, botën (dhe të gjithë ata që vazhdimisht i rifreskojnë lajmet e drejtpërdrejta) në librin e tmerrshëm që vetë e ka shkruar. Po beson se tash e tutje do të ekzistojmë veç përbrenda librit të tij; dëshiron të jetë autori ynë, skenaristi ynë, ai që di ta ndryshojë jetën tonë për të mirë. Por, rezultatet e tashme të punës së tij janë të qarta për të gjithë ne.
Mund të thoni se ky është thelbi i çdo diktature dhe logjika e çdo diktatori – nevoja për ta pohuar solipsizmin e vet, një ndjenjë të botës së populluar e të gjallë si pikturë e jetës së qetë, si natyrë e vdekur në të cilën pjatat e porcelanit në tavolinë nuk bërtasin nëse i thyen ato. Por, për mendimin tim, ky është një rast i veçantë: pas lëvizjes së mjeteve ushtarake ruse, ekziston frika e vërtetë e ekzistencës së Tjetrit, një dëshirë e dëshpëruar për ta shtypur Tjetrin, për ta reformuar, për ta përtypur, për ta tërhequr, gllabëruar dhe gëlltitur.
CS Lewis ka përshkruar diçka të ngjashme te “Letrat nga Ferri”: demonët ushqehen me vuajtjet dhe me dëshpërimin njerëzor, dhe dashuria e tyre vëllazërore shprehet si dëshirë për t’i ngrënë vëllezërit më të vegjël. Sa herë i dëgjoj politikanët rusë që shpjegojnë se kombi vëllazëror ukrainas thjesht duhet të mësohet me një sens të përbashkët, e ndjej një kutërbim të dallueshëm të zjarrit të Ferrit.
Putini po e bën luftën në Ukrainë me tërbimin e palëkundur të njeriut që do ta fitojë bastin e vet, që është gati të bëjë gjithçka për të fituar; për të fituar jo siç fitojnë shtetet në epokën e mospërhapjes së armëve bërthamore, pra përmes negociatave, traktateve dhe kompromisit, por thuajse gjithçka që ka rëndësi për të është thjesht skenari i ideuar për qejfin e vet dhe me një qëllim të qartë shpërblimi.
Ukraina duhet të poshtërohet, duhet t’i humbasë të gjitha atributet e shtetit të pavarur sovran – që nga qeveria e zgjedhur në mënyrë legjitime (“denazifikimi” i saj) e deri te ushtria (vendi duhet të çmilitarizohet). Duhet të heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj Donbasit dhe Krimesë. Por, edhe kjo nuk i mjafton. Përpara çdo procesi negocimi, Ukraina duhet të dënohet në mënyrë solemne, publikisht, haptas para publikut përballë; duhet të gjunjëzohet, të bëhet shembull në mënyrë që banorët e saj dhe kushdo tjetër që shikon të kuptojë se çfarë u ndodhë atyre që nuk binden.
Mizoria e kësaj lufte është e pashpjegueshme nëse nuk e merrni parasysh atë që mund ta quani aspekt “edukativ”. Nëse Evropa është shtëpia, atëherë Putini dëshiron të tregojë se kush është i zoti i asaj shtëpie. Qytetet e shkatërruara dhe jetët e shkatërruara janë ndihmë pamore për kujtesën afatgjate. Por, kjo e ka edhe një aspekt tjetër që për mua është më i rëndësishëm.
Ngjarjet e sotme po ndodhin në hapësirë simbolike, po aq të pakthyeshme sa edhe sulmet fizike në fusha apo bombardimi i shtëpive në Ukrainë. Ukraina është arena e një beteje të lashtë mes të mirës dhe të keqes – sado madhështore që kjo mund të tingëllojë; rezultati i kësaj e prek secilin prej nesh, jo vetëm Ukrainën dhe Rusinë.
Ligësia është koncept i tejkaluar. Dekadat e pasluftës na kanë mësuar t’i shohim gjërat menjëherë nga perspektiva e kundërshtarit, në mënyrë që të kemi mirëkuptim, kompromis dhe dialog. Por, ndonjëherë nuk e ke një njeri për të folur – në vendin e bashkëbiseduesit është errësira e padepërtueshme, sepse ai me çdo kusht insiston në rezultatin e vet.
Tashmë po merret vendimi për llojin e botës në të cilën do të jetojmë dhe, në një farë mënyre, për botën ku tashmë jemi zhytur: ekzistojmë dhe veprojmë në vrimën e zezë të ndërgjegjes së tjetrit. Ai i thërret idetë arkaike të kombit: se ka kombe më të këqija, më të mira, kombe që janë më të larta ose më të ulëta në shkallën e pakuptueshme të madhështisë; se të gjithë ukrainasit (ose hebrenjtë, rusët, amerikanët e kështu me radhë) janë të dobët, lakmitarë, servilë, armiqësorë – dhe këto skica tashmë po kalojnë nëpër imagjinatën kolektive, ashtu siç ndodhi para Luftës së Dytë Botërore. Siç thonë në Rusi, “të vdekurit i mbajnë peng të gjallët”, dhe këta të vdekur këtu janë idetë e konceptet nga të cilat rrjedh gjaku i ri dhe ata nisin të vrasin po si në një film horrori.
Koha po kthehet bindshëm në të kaluarën mbytëse që kaq shumë po na i mbushë netët me tmerre. Një nga detyrat e para të “operacionit ushtarak” ishte kthimi i orës tetë vjet pas, për ta kthyer Ukrainën në gjendjen në të cilën Kremlini do të dëshironte ta ruante përgjithmonë. Viktor Janukoviqi nxirret nga valixhja e hedhur në tavan, është veç pak i mykur e i gatshëm për t’u vendosur në fronin presidencial thuajse kurrë nuk iki, ndërsa protestat në sheshin Maidan dhe tetë vjetët e lirisë demokratike thjesht u zbehën si një ëndërr.
Lufta e shekullit XXI e imiton shekullin XX, dëshiron të kthehet në epokë masakrash masive dhe te eksperimentet monstruoze historike. Tashmë është e pandashme nga varësia ndaj imazhit – por, gjithçka që shohim në ekranet tona janë varret e thella të së kaluarës. Të rezistosh sot do të thotë të çlirohemi nga diktatura e imagjinatës së tjetrit, nga një tablo e botës që na kap përbrenda dhe i mbërthen në dorë ëndrrat tona, ditët tona, afatet tona kohore, pavarësisht nëse e duam këtë apo jo. Një betejë për mbijetesën po zhvillohet sot në Ukrainë; një betejë për pavarësinë e mendjes racionale. Po ndodh në çdo shtëpi dhe në çdo kokë. Edhe këtu, edhe atje duhet të rezistojmë.
Dje doja t’ia dërgoja urimet e ditëlindjes një mikut tim. E kam shkruar, siç shkruaj shpesh në rrethana të tilla, një “ura!” U ndala. Fjalë e keqe kjo, me asociime ushtarake.
“Gjithçka po digjet dhe po nxjerr tym”, është idioma që e përdorim për të treguar se shumë gjëra po ndodhin dhe se nuk mund t’i dalësh përnjëherë me të gjitha detyrat. Por, kjo frazë tashmë është e pamundur. Gjërat po digjen dhe po u del tymi, por jo këtu.
Është një fjalë e urtë që më pëlqente: “Një ushtar nuk do ta lëndojë kurrë një fëmijë” – një frazë që mund ta përdorni për të treguar se gjithçka do të jetë në rregull, se do ta gjejmë një zgjidhje. Proverbi është zhdukur: përmes një rrjeti privat virtual, në publikimet që janë të ndaluara në Rusi po lexojmë për ushtarët dhe për fëmijët.
Po e shkruaj këtë në rusisht dhe në çdo fjali po hasi në vështirësi. Së pari po ndryshon maja e gjuhës, skaji i saj i gjallë i të folurit. Është si një fushë e lashtë e minuar dhe minat e vjetra nisin të shpërthejnë teksa ti e zgjedh rrugën tënde. Sot të gjitha këto mina janë aktive. Gjuha nuk është fajtore, ashtu siç nuk është toka. Por, ajo ka ndryshuar, është prishur dhe ka kratere. Dhe, krateret veçse do të shtohen në numër. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje