Site icon Telegrafi

Lokalizohet zjarri në objektin e ETC-së në Klinë, kishte rrezik të përhapej edhe tek një pompë e derivateve

Zjarri i cili shpërtheu sot në objektin e ETC-së në Klinë është lokalizuar. 

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai po ashtu tha se ka qenë rrezik i madh që zjarri të përhapej edhe tek një pompë e benzinës që është afër objektit.

Mirëpo siç tha ai, nga puna e mirë e zjarrfikësve të cilët kanë ardhur nga çdo komunë e Kosovës, zjarri është lokalizuar.

“Zjarri është lokalizuar… Ka qenë rrezik që edhe pompa e benzinës të merrte flakë, por për fat të mirë zjarrfikësit nga të gjithë qendrat e Kosovës kanë bërë një punë të mirë dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, ka thënë Gashi.

Lexo po ashtu Zjarri i madh në objektin e ETC-së në Klinë

Ai theksoi se tani ekspertët janë në vendngjarje duke punuar në zbardhjen e këtij rasti, ndërsa për dëmet Gashi tha se janë të mëdha.

Ndryshe, sot në orët e mëngjesit objekti i ETC-së në Klinë është përfshirë nga flakët.

Edhe afaristi i njohur dhe pronari i ELKOS Group, Ramiz Kelmendi në një prononcim për Telegrafin ka folur rreth ngjarjes që ka ndodhur sot  tek objekti i ETC-së në Klinë.

Kelmendi tha se informacionin e zjarrit në objektin e ETC-së e kishte marr nga shefi i sigurimit.

Lexo po ashtu Zjarri i madh në ETC në Klinë, flet Ramiz Kelmendi

Kelmendi tha se zjarri ka ndodhur para se të hapet objekti për fillimin e orarit të punës.

“Më treguan pak më herët për ETC në Klinë. S’ka qenë e hapur marketi, pasi zjarri ka ndodh para se mu çel marketi. Shefi i sigurimit më tregoi që ka ndodh para orës 08:00. Nuk e di çka ka qenë shkaktari pasi para 10 minutave e mora vesh. Për momentin ende nuk kam shku në vendngjarje”, ka thënë Kelmendi. /Telegrafi/

Exit mobile version