Lokacioni për ndërtimin e Kullës së UÇK-së në Krojmir të Lipjanit përplas kuvendarët me ekzekutivin

Mbledhja e Kuvendit Komunal në Lipjan, gjatë së enjtes ka vazhduar me përplasje, akuza e kritika në mes të kuvendarëve dhe ekzekutivit. Gjendja është tensionuar më së shumti kur nisi debati për ndarjen e parcelës për ndërtimin e një kulle në Krojmir, pasi që një pjesë e banorëve kishin bërë peticion për ta kundërshtuar atë lokacion.
Po ashtu lidhur me këtë lokacion në pjesën e epërme të fshatit, komuna dhe iniciatorët nuk ishin konsultuar fare me ish zinxhirin komandues të ish “Batalionit të dytë Ruzhdi Salihu” që ka shërbyer në këtë zonë.
Telegrafi ka kontaktuar edhe me ish komandantin e këtij batalioni Ramiz Qeriqi, i cili ka thënë se nuk është në dijeni se çfarë do të ndërtohet në atë lokacion malor ku nuk kanë qëndruar ushtarët e UÇK-së.
“Unë si ish komandant, nuk kam informacion se çfarë po planifikohet të ndërtohet në atë lokacion. Vlerat e luftës e kanë vendin e vetë ku kanë qëndruar ushtarët në shtab dhe në odë, ndërkaq pse po ndërtohet ky objekt tjetër nuk kam njohuri dhe për çfarë. Vlen të theksohet se objekti ekzistues ku ka qëndruar shtabi në të cilin janë rekrutuar qindra ushtarë dhe janë mbajtur dhjetëra mbledhje nga komanda e batalionit të dytë “Ruzhdi Salihu” dhe që është vizituar disa herë nga personalitete të larta të UÇK-së nga brigada, zona e anëtar të shtabit të përgjithshëm, ai objekt është duke u rinovuar me vetëkontributin e ish luftëtarëve të batalionit. Aty do ta gjeni historinë e këtij Batalioni, prandaj nuk e di se si komuna e Lipjanit po synon të ndërton objekte të reja që nuk e simbolizojnë historinë e luftës së UÇK-së. Nuk jam kundër kësaj kulle të re, por nuk mund të fshihen gjurmët e UÇK-së. Jam me fat që kam ruajtur materiale me vlera historike të luftës së UÇK-së që do t’i ekspozojmë në shtabin tonë”, ka thënë Qeriqi.
Ganimete Qeriqi, kuvendare nga radhët e PDK-së, njëherësh banore nga Krojmiri, ka thënë se ekzekutivi duhet t’i shqyrton peticionet dhe kërkesat e banorëve për ndërtimin e kullës, por në asnjë mënyrë nuk lejohet ndërtimi i saj në një lokacion ku nuk simbolizon ndonjë sakrificë të luftës.
“Në këtë rast po flas jashtë subjektit politik, por si ish luftëtare e lirisë dhe si veterane e UÇK-së. Mbase jam anëtare e kuvendit kam autorizim nga banorët dhe të afërmit që të kërkoj që kjo iniciativë e nisur nga disa individ të shtyhet për mbledhjen e radhës dhe të gjendet një lokacion tjetër për ndërtimin e kësaj kulle”, ka thënë Qeriqi.
Sipas saj, komuna është dashur të marrë iniciativë për renovimin dhe rregullimin e shtabit të UÇK-së, aty ku qindra e mijëra ushtar janë rekrutuar dhe kanë dhënë kontribut për vendin.
Alban Salihu, shef i grupit të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Lipjanit, ka thënë se kjo pikë e rendit të ditës duhet të shtyhet për mbledhjen e radhës.
“Është mirë që kjo pikë të shtyhet pasi që ka paqartësi dhe kundërshtime për çështjen e lokacionit. Deri në mbledhjen tjetër të gjendet një lokacion tjetër në mënyrë që mos të ketë kundërshtime të tilla”, ka thënë midis të tjerash Salihu.
Në anën tjetër kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka thënë se është e rëndësishme të gjendet një gjuhë e përbashkët për të ndërtuar këtë objekt në shenjë të kujtesës së luftës së ish UÇk-së.
“Ai objekt do të jetë në shërbim të historisë së kaluarës sonë dhe nuk mund të jetë në shërbim të dikujt për dy vjet. Objekti ku aktualisht është shtabi i UÇK-së është në mbrojtje nga ministria dhe ne aty nuk mund të ndërhyjmë. Tani kërkesa që ka ardhur për një objekt muze të UÇK-së në Krojmir, për mua nuk ka qenë e lehtë ta refuzoj dhe jam i bindur që as ju nuk do ta kishit refuzuar. Nëse në vitin aktual nuk e kemi pasur ndonjë investim tjetër që lidhet me trashëgiminë tonë të luftës, kemi menduar që ky objekt të mbetet përgjithmonë në Krojmir”, ka thënë Ahmeti.
Në fund të debatit, me vota unanime është shtyrë për mbledhjen e radhës, caktimi i lokacionit për ndërtimin e kullës në Krojmir të Lipjanit./Telegrafi/


















































