Site icon Telegrafi

Llamkosi u falet kreditorëve

Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, ka vënë në ankand publik asetet e shoqërisë “Coresteel” me çmimin minimal prej 4.8 milionë eurosh. Një kompani (kreditor) kishte vlerësuar dhe kishte propozuar që fabrika të shitet me çmim prej 12.4 deri në 16.8 milionë euro, ndërsa Komuna e Vushtrrisë kishte kërkuar që dy strehimoret të mbesin pronë e Komunës, por Gjykata kishte refuzuar të dyja kërkesat, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Tani kur Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, ka vënë në ankand publik asetet e shoqërisë “Corestel” fabrika e llamarinës “Llamkos” Vushtrri, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Llamkosit”, vazhdon ta kundërshtojë shitjen pa kushte.

Kushti i parë jo vetëm i punëtorëve, por edhe i Komunës së Vushtrrisë ka qenë që fabrikës të mos i ndryshohet destinimi, por administratori i “Llamkosit” i emëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Virtyt Ibrahimaga, ka thënë se kushtet e ankandit i ka vendosur Gjykata me votat e shumicës së kreditorëve. “Janë diskutuar edhe kërkesat e punëtorëve të ‘Llamkosit’, edhe të Komunës së Vushtrrisë, por ligji nuk lejon kushtëzime. Vetë kreditorët (20 kreditorë) kanë kërkuar që nëpërmes shitjes pa kushte ta marrë secili hisen e vet që ka në ‘Llamkos’.

Është në interes edhe të punëtorëve të ‘Llamkosit’ që fabrikën ta blejë një investitor i fortë, i cili do të vazhdonte të njëjtën veprimtari, por një kushtëzim i tillë nuk mund të bëhet, pasi që borxhi prej mbi 4 milionë eurosh ka bërë që fabrika të vihet në shitje pa kushte, duke shmangur shitjen përmes ofertës më të ulët”, ka thënë Ibrahimaga për medie, duke shtuar se me shitjen e aseteve atij i pushon puna e administratorit të “Llamkosit”. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version