Politikani opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, është liruar të hënën nga paraburgimi në qytetin jugor të Serbisë, Nish, njoftoi avokati i tij mbrojtës, Çedomir Stojkoviq, duke shtuar se ky vendim u mor "pas trysnisë së shtuar" nga vendet e Perëndimit.

Avokati serb Çedomir Stojkoviq, ka njoftuar se Nikolla Sandulloviqështë liruar nga paraburgimi në Nish të Serbisë.


Ai përmes një postimi në rrjetin social X ka njoftuar se Sandulloviq është liruar pas “trysnisë së shtuar” nga vendet perëndimore, duke theksuar Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë.

“Nikolla Sandulloviq sapo ka dalë nga burgu, për t’u mbrojtur ndaj akuzës se “vuri lule mbi varrin e një vajze shqiptare”, ka shkruar avokati i tij mbrojtës.

“Vendimi vjen vetëm një orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Vendimi për arrestimin e tij ishte një vendim politik urrejtjeje”, ka shtuar Stojkoviq. /Telegrafi/