Hulumtimet e reja sugjerojnë se lindja e fëmijëve ua rritë grave rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Studimi me më shumë se tre milionë gra ka zbuluar se ato të cilat lindin fëmijë janë 14% më të rrezikuara të kenë sulm në zemër apo në tru më vonë në jetë, transmeton Telegrafi.
Për disa, shtatzënia shpie në shtim të rrezikshëm të peshës, e që lë shenjë permanente në shëndetin e zemrës së gruas.
Studimi është kryer nga hulumtues kinezë, ndërkaq është publikuar në revistën prestigjioze ‘European Journal of Preventive Cardiology’.
Autori i këtij studimi, Dr. Dongming Wang, i cili specializon në shëndet publik, thotë se femrat duhet ta dinë që lindja e fëmijëve ua rritë rrezikun për të pasur sëmundje të zemrës në të ardhmen.
Përveç shtimit të peshës, shtatzënia mund të shkaktojë që edhe nivelet hormonale të grave të luhaten, e kjo ndërlidhet me rezistencë të insulinës dhe, rrjedhimisht, me tipin 2 të diabetit.
Por, lajmi i mirë është se shumë gra mund të bëjnë gjëra për t’i parandaluar sëmundjet kardiovaskulare. Madje, sipas doktorëve, shtatzënia është kohë ideale për t’i larguar shprehitë e këqija të stilit të jetesës.
Ata rekomandojnë ta lini duhanin, të stërviteni rregullisht dhe të hani shëndetshëm për ta mbajtur peshën nën kontroll. /Telegrafi/