Lil Nas X lirohet me kusht pas akuzave për dhunë ndaj policisë në Los Angeles
Reperi i njohur Lil Nas X, emri i vërtetë i të cilit është Montero Lamar Hill, u lirua nga paraburgimi pasi pagoi garancinë prej 75 mijë dollarësh (afërsisht 69,000 euro), pas tre ditësh në burg.
Ai u pa duke dalë nga gjykata në Van Nuys, Kaliforni, me një kostum burgu blu dhe sandale, duke mbajtur disa dokumente në dorë.
26-vjeçari u arrestua javën e kaluar në Studio City, pasi policia e gjeti duke ecur nudo në një rrugë publike, shkruan DailyMail.
Sipas raportimeve, gjatë konfrontimit me oficerët, autoritetet përdorën taser për ta neutralizuar.
Ai akuzohet për tre vepra penale të dhunës, përfshirë plagosjen e një oficeri policie dhe rezistencën ndaj urdhrave ligjorë. Nëse shpallet fajtor, mund të përballet me deri pesë vite burg.
Prokurori i Qarkut të Los Angeles, Nathan J. Hochman, tha se sulmi ndaj forcave të rendit është “një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë publike” dhe paralajmëroi se artisti nuk do të trajtohet ndryshe për shkak të famës.
Nga ana tjetër, avokatja e tij, Christy O'Connor, deklaroi se ky incident është një “devijim absolut” në jetën e reperit dhe se ai mohon të gjitha akuzat.
Lil Nas X do të rikthehet në gjykatë më 15 shtator për një seancë paraprake. Ngjarja po hetohet nga Divizioni i Hollivudit Verior i Policisë së Los Angeles. /Telegrafi/












































