Udhëheqësit kryesorë republikanë të legjislaturës së shtetit Miçigan thanë pas një takimi me Presidentin Donald Trump të premten se ata nuk kishin ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet, ku demokrati Joe Biden mundi republikanin Trump.
“Ne ende nuk jemi vënë në dijeni për ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në Miçigan dhe, si udhëheqës legjislativë, do të ndjekim ligjin dhe procesin normal në lidhje me elektorët e Miçiganit,” thanë në një deklaratë të përbashkët udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit të Miçiganit Mike Shirkey dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Lee Chatfield.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany tha më parë se takimi i Presidentit Donald Trump me ligjvënësit nga shteti i Miçiganit nuk do të ishte për t’u treguar atyre si të veprojnë dhe se aty nuk do të merrnin pjesë zyrtarë të fushatës.
Presidenti Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e legjislaturës së Miçiganit ndërsa fushata e tij vazhdon të sfidojë fitoren e zotit Joe Biden, bazuar në akuza të paprovuara për mashtrim të votuesve.
Pas dështimit me disa sfida në gjykatë për të minuar fitoren e Biden duke vënë në dyshim ligjshmërinë e votave të numëruara, presidenti dhe këshilltarët e tij ligjorë po lidhen drejtpërdrejt me udhëheqësit legjislativë republikanë të shtetit, për të parë nëse ata janë të gatshëm të ndërmarrin hapa për të ndryshuar vullnetin e votuesve.
Takimi duket se ishte pjesë e fushatës së pazakontë pas-zgjedhore të Presidentit Trump për të bllokuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Biden në Miçigan dhe në shtetet e tjera fushë-betejë, me synim përmbysjen e rezultateve zgjedhore në mbarë vendin.
Biden, e fitoi Miçiganin me 154,000 vota më shumë. Por ky shtet ende nuk i ka çertifikuar rezultatet, ndërsa zoti Trump dhe aleatët e tij vazhdojnë të përpiqen të bindin gjyqtarët dhe ligjvënësit e shtetit për të mos përfillur votën popullore, por që elektorët të zgjidhen nga legjislatura e shtetit, ku republikanët kanë shumicën.
Takimi u planifikua pasi Presidenti Trump ndërmori hapin e pazakontë për t’u telefonuar personalisht dy zyrtarëve zgjedhorë të qarkut Uejn të Miçiganit në fillim të kësaj jave, të cilët ranë dakord të çertifikonin rezultatet. Por zyrtarët thanë se më vonë ata shfaqën dëshirën për ta rishikuar vendimin e tyre pasi kishin folur me Presidentin Trump.
Trump shkoi më tej, duke i ftuar dy ligjvënësit republikanë të Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë për bisedime, ndërkohë që zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve përgatiten të konfirmojnë zotin Biden si fitues.
Qarku Uejn, i cili përfshin Detroitin, është më i populluari në Miçigan dhe ku u votua me shumicë për Biden.
Të premten, kur udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit në Miçigan, Mike Shirkey, po nisej nga Detroiti për në Uashington, ai u përball me një numër aktivistësh që mbanin pankarta me fjalët: “Respektoni Votën” dhe “Mbroni Demokracinë”.
Në fillim të kësaj jave, Shirkey tha se Biden është presidenti i zgjedhur. Ai tha se asnjë përpjekje për t’ia dhënë votat elektorale të Miçiganit Presidentit Trump “nuk do të ndodhë”, sipas portalit të lajmeve “Bridge Michigan”.
Përpjekje të Presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve
Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij po ndërmarrin hapa gjithnjë e më të dëshpëruara për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përfshirë thirrjen e legjislatorëve të shtetit të Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë si pjesë e një përpjekjeje me pak gjasa për sukses për të përmbysur fitoren e Joe Bidenit.
Ndër taktikat e përdorura së fundmi: thirrjet telefonike personale të presidentit me zyrtarët lokalë të zgjedhjeve që po përpiqen të anulojnë çertifikimin e zgjedhjeve në Miçigan, përpjekjet e një sfide ligjore që Pensilvania të mos respektojë votën popullore dhe presioni ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në Arizona për të vonuar çertifikimin e votave.
Ekspertët e ligjit zgjedhor i shohin këto si përpjekjet e fundit të dëshpëruara, nga ekipi i fushatës së presidentit Trump dhe thonë se është e sigurt që zoti Biden do të hyjë në Zyrën Ovale në janar. Por ekziston një shqetësim i madh se përpjekja e zotit Trump po i bën dëm të konsiderueshëm besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve amerikane.
Senatori i shtetit Jutah, Mitt Romney, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit Trump nga radhët e partisë republikane, akuzoi Trump për përdorimin e “presionit të hapur ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë për të rrëzuar vullnetin e popullit dhe për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve”.
— Mitt Romney (@MittRomney) November 20, 2020
Senatori Romney shtoi se “është e vështirë të imagjinohet një veprim më i dëmshëm, më jodemokratik nga një president amerikan në detyrë.”
Vetë agjencia e sigurisë së zgjedhjeve e administratës së presidentit Trump deklaroi se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin më të sigurtat në histori. Disa ditë pasi u lëshua kjo deklaratë, presidenti Trump shkarkoi drejtuesit e agjencisë.
Lëvizjet gjithnjë e më të dëshpëruara dhe kaotike nuk kanë asnjë shans të arsyeshëm për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat Biden ka marrë më shumë vota se çdo kandidat tjetër presidencial në histori dhe ka siguruar 270 votat e Kolegjit Zgjedhor të nevojshme për të fituar.
Por pretendimet e vazhdueshme e të pabaza të presidentit republikan, puna e tij për të lëkundur zyrtarët lokalë që çertifikojnë rezultatet dhe refuzimi i aleatëve të tij për të pranuar se ai humbi zgjedhjet ka të ngjarë të ketë një ndikim negativ për një kohë të gjatë në vend. Bastionet e mbështetësve të tij nuk besojnë se ai humbi.
“Është një përpjekje për të bërë që gjysma e vendit të besojnë se ka vetëm dy mundësi, ose fitore ose zgjedhjet janë vjedhur”, thotë Justin Levitt, një studiues i së drejtës kushtetuese dhe profesor në universitetin e Drejtësisë Loyola. “Dhe kjo nuk është një demokraci”.
Dy anëtarët republikanë të Bordit të Zgjedhjeve të Qarkut Wayne në shtetin e Miçiganit njoftuan të mërkurën në mbrëmje se nuk kanë besim se zgjedhjet ishin të drejta dhe të paanshme. “Ka pasur një mungesë të dukshme transparence gjatë gjithë procesit”, thanë ata. Por zyrtarët e zgjedhjeve thanë se nuk ka pasur prova të manipulimit ose mashtrimit të votave në Miçigan.
Aleatët e presidentit Trump i kanë mëshuar faktit se presidenti Trump udhëhiqte në fillim në Miçigan dhe disa shtete të tjera natën e zgjedhjeve dhe ky rezultat ndryshoi pasi erdhën votat më vonë, duke e përdorur këtë si provë të dyshimtë.
Por një fluks masiv i fletëvotimeve me postë si pasojë e pandemisë së coronavirusit ishin kryesisht për Biden, i cili inkurajoi mbështetësit e tij të votonin me postë dhe ato vota ishin të fundit që u numëruan. Kështu që u duk se presidenti Trump kishte një avantazh kur në të vërtetë nuk e kishte.
Në fakt, Biden shënoi një fitore të thellë në Wayne, një bastion i demokratëve, duke siguruar dyfishin e votave që mori Presidenti Trump. Sipas rezultateve ende jozyrtare, Biden ka fituar në Miçigan me një diferencë prej 154 mijë votash.
Në fillim të kësaj jave, dy anëtarët republikanë të qarkut bllokuan çertifikimin e votave atje. Ata më vonë u tërhoqën dhe rezultatet u çertifikuan. Por një person në dijeni të kësaj çështjeje tha se presidenti Trump i telefonoi Monica Palmer-it dhe William Hartmann-it, të martën në mbrëmje pas rishikimit të votimit për të shprehur mirënjohje për mbështetjen e tyre. Më pas, të mërkurën, Palmer dhe Hartmann firmosën një dëshmi ligjore ku thonë se besojnë se vota e qarkut “nuk duhet të çertifikohej”.
Sipas sekretarit të shtetit të Miçiganit, ata nuk mund të tërheqin votat e tyre,. Bordi i zgjedhjeve me katër anëtarëve pritet të takohet të hënën dhe është gjithashtu i ndarë me dy demokratë dhe dy republikanë.
Më parë, avokati personal i Trump, Rudy Giuliani dhe avokatë të tjerë mbajtën një konferencë shtypi duke pretenduar një komplot të gjerë zgjedhor të demokratëve që përfshinte shumë shtete dhe makina të dyshuara votimi.
Por zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë vazhdimisht se nuk ka patur mashtrim të përhapur.
Shumë nga akuzat për mashtrim burojnë nga vëzhguesit e zgjedhjeve, të cilët depozituan dëshmi ligjore që janë përfshirë në procese gjyqësore në shtetet e fushës së betejës përmes të cilave synohet vonesa e çertifikimit të votave.
Në Pensilvani, ku ekipi i fushatës së presidentit Trump po sfidon rezultatet e zgjedhjeve në gjykatën federale, një ekip ligjor i udhëhequr nga Rudy Giuliani sugjeroi në një çështje ligjore të depozituar të mërkurën që gjyqtari të urdhërojë legjislaturën shtetërore të udhëhequr nga republikanët të zgjedhë elektorët në Kolegjin Zgjedhor, duke hedhur potencialisht 20 vota elektorale për zotin Trump. Një gjyqtar anuloi një seancë dëgjimore për çështjen. /VOA/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes
Ish-presidenti brazilian, Bolsonaro akuzohet për komplot për grusht shteti
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes
Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump
Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje