LAJMI I FUNDIT:

“The Life of Brian” (1979): Ai nuk është profet, por një djalë i prapë!

“The Life of Brian” (1979): Ai nuk është profet, por një djalë i prapë!

“Monty Python” kanë se në filmin e tyre nuk ka asnjë paralele mes jetës Brianit dhe Jezu Krishtit. Por, detaje të caktuara kanë irrituar dhe vazhdojnë të irritojnë shumë të krishterë në botë…

Një yll në qiell ua bëri me dije tre dijetarëve të Lindjes se ka lindur mbreti i judenjve, Ai të cilin ata do të duhej ta adhuronin. Fëmijën e përzgjedhur e takuan në Betlehem, iu përulën dhe e nderuan, e pastaj i dhuruan ar, temjan dhe mirre…

Kjo është një nga historitë më të njohura në botë – ajo e fillimit të jetës në Tokë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës. Tre dijetarët ishin dëshmitarë të lindjes së një epoke, të një besimi dhe të një shprese të re.


Por, diçka fillimisht nuk shkoi si duhet. Ata u futën gabimisht në një kasolle tjetër, ku kishte lindur një fëmijë i rëndomtë, “që rritet e rritet… për t’u bërë i rritur… e që donte të takonte femra…”!

Ai nuk ishte profet, por i prapë; ai ishte Brian – djaloshi kontrovers i kinematografisë angleze, emri i urryer i botës së krishterë.

Idealisti i urtë

Brian u rrit me ideale, si çdo tjetër në Judenë e pushtuar nga romakët. Nëna e këshillonte të rrinte urtë, dhe të bënte gjërat që i bëjnë të gjithë djemtë tjerë. P.sh. të merrte pjesë në ekzekutimet me gurë, që ishte formë legale e dënimit kapital në kodin e dikurshëm të Judesë!?

Kjo ishte vërtet kohë e vështirë. Judeja ishte e sunduar nga mbreti i keq Herodi, që ishte vartës i pushtuesve edhe më të këqij – romakëve imperialistë! Në një situatë të tillë, populli e kishte humbur besimin në drejtësi; ndjehej i braktisur nga Zoti që gjithmonë i kishte mbrojtur dhe udhëhequr. Prandaj, duhej kërkuar diku zgjidhja. Disa mendonin se problemet zgjidhen me luftë, ndërsa të tjerët duke e rizbuluar rrugën drejtë Zotit.

Kështu, predikimet nisën të shndërrohen në formë të re të atraksionit publik, një formë e ngushëllimit dhe e tërheqjes së vëmendjes nga të ligat që rrethonin popullin e përzgjedhur.

Një herë, në vitin 33, “të shtunën pasdite rreth kohës së çajit”, Brian ishte në mesin e turmave që dëgjonin njërin tek thotë: “Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë / Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë”.

Këto janë vargjet që sot mund të lexohen në Ungjillin e Mateut, por ato i ka thënë Jezui dhe Brian ishte aty. Ai e humbi një shans të madh, të mësonte diçka të re, apo t’i jepte jetës së tij një kah tjetër. Sikur të mund të dëgjonte se çka flitet aty, mbase do të shndërrohej në një personazh tjetër – shpirtëror apo historik.

Por, Brian nuk dëgjoi gjë. Turma bënte zhurmë, dajaku kërciti. Ai kthehet në shtëpi përmes rrugëve të mbushura me lypës, duke mos e ditur se kjo ditë do t’ia ndryshoi jetën. Por, nuk ishte Jezui shkaktar i vendimit që do ta shndërroi Brianin e urtë në martir dhe hero të kauzës patriotike të Judesë, por historia që nëna e tij është dashtë t’ia thotë moti: Z. Cohen nuk është babai i Brianit, por një centurion romak i quajtur Naughtius Maximus. Ai ishte mashtrues që i kishte premtuar nënës së tij “Romën, një shtëpi pranë Forumit… skllevër… ar…”!

Brian kuptoi se ai ishte njëri nga ata, por këtë identifikim ai kurrë nuk do ta pranojë. “Nuk jam romak nënë, dhe kurrë nuk do të jem. Jam çifut, jidish, hebre, izraelit, jahudi… Jam shitës i ushqimit hallall, jam Deti i Kuq, këmbësor, e që mburret për gjithë këto”, reagon ai.

Cirku “Monty Python”

Grupi i komikëve britanikë, “Monty Python”, në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar bëri kthesë të madhe në humorin botëror. Askush në botë nuk ka arritur deri atëherë t’i bëjnë njerëzit të qeshin me gjërat që rëndom nuk janë fare qesharake. Me idetë e çuditshme dhe interpretimin e veçantë, ata u shndërruan shpejtë në heronj të një gjenerate të re. Por, ishin edhe fatkeq në realizimin e ëndrrave kinematografike!

Pas ndërprerjes së serive të suksesshme humoristike në BBC, “Monty Python’s Flying Circus”, askush nuk donte t’i financonte projektet e tyre “kontroverse”. “Holy Grail” (Grali i shenjtë), një nga filmat më të suksesshëm komik në botë, realizohet me vetëm 150 mijë funte, para këto që i dhurojnë rock-grupet e njohura si “Pink Floyd”, “Jethro Tull” dhe “Led Zeppelin”.

Në të njëjtat vështirësi materiale hasin edhe atëherë kur synojnë ta bëjnë filmin e dytë, “The Life of Brian” (Jeta e Brianit). Këtë herë, ishte adhuruesi tjetër i madh i tyre, George Harrison (ish “Beatles”), ai që themelon “Handmade Films” që për qëllim të vetëm kishte mbledhjen e tre milionë funteve për ta bërë realitet këtë projekt.

Ky buxhet – që është qesharak për industrinë filmike amerikane – ishte shpëtimi dhe luksi më i madh i tyre!? “Këtë herë kishim një dhomë hoteli, ku mund të flinim dhe të bënim një dush”, do të thotë Erice Idle në dokumentarin e vitit 2007, “The Secret Life of Brian” (Jeta sekrete e Brianit).

“Jeta…” është filmi i dytë i “Monty Python”-ave. Ideja fillestare për titull ishte “Jesus Christ – Lust for Glory” (Jezu Krishti – etja për lavd). Ata donin të satirizonin Dhiatën e Re, sikur që më parë, me “Gralin e Shenjtë”, kishin satirizuar mbretin mitik Arthur. Por, meqë Krishti ishte “djalë i mirë” dhe ata nuk donin të përqeshnin predikimet e tij, u përcaktuan për Brianin, një djalosh të rëndomtë që rastësisht dhe gabimisht perceptohet si një profet.

Kontroversat

“Monty Python” kanë deklaruar se në filmin e tyre nuk ka asnjë paralele mes jetës Brianit dhe Jezu Krishtit. Por, detaje të caktuara kanë irrituar dhe vazhdojnë të irritojnë shumë të krishterë në botë (sikur që kanë irrituar botën islame, viteve të fundit, karikaturat e profetit Muhamed të botuara në mediat perëndimore).

Kështu, filmi ka qenë dhe vazhdon të jetë ende i ndaluar në shumë shtete të botës; ai ende ngjallë debate të ashpra, ende bojkotohet dhe ende nga shumë klerik cilësohet si një blasfemi.

Ndonëse muzika dhe ndriçimi e paraqet në fillim të filmit denjësisht lindjen e profetit, klerikët nuk pajtohen me gabimin e Tre Dijetarëve që fillimisht futen në kasollen e nënës së Brianit. Ata thonë se Brian është Jezui, edhe pse ai ka emër tjetër dhe edhe pse nëna e tij është Mandy e jo Mari. Ata nuk pëlqejnë as keqkuptimet e masës në kohën kur Jezui predikonte – ndonëse edhe këtu ai portretizohet me respekt – e as me deklaratat e një ish-lebrozi kur thotë se Jezuesi e ka shëruar por ia ka prishur “biznesin” sepse tashti askush s’i jep para!

Por, problemi më i madh mbase lidhet edhe me të kaluarën e Brianit. Ai ishte fëmijë i një centurioni romak. Pohime të tilla dëgjohen edhe për Jezuin, nga shumë studiues që thirren në librat e historianëve antik, ku bënë pjesë edhe Josephus Flavius.

Studiuesi Robert W. Funk ka themeluar moti “Seminarin e Jezuit”, i cili vë në dyshim mrekullitë dhe deklaratat që i atribuohen Jezuit. Qëllimi i “Seminarit…” ishte që të kërkohen fakte historike për jetën e profetit më të “njohur” në botë. Ligjërimet e Funkut e kanë shtyrë regjisorin e njohur holandez, Paul Verhoeven, që të punojë 20 vite në një biografi të re të Jezuit të Nazaretit. Një nga pohimet më kontroverse të tij është se Jezui ka gjasa ta ketë një baba romak që ka dhunuar nënën e tij Marinë, në vitin 4 p.e.s., gjatë një kryengritjeje të hebrenjve kundër pushtimit romak. Libri po ashtu thotë se Juda nuk është përgjegjës për tradhtinë e Jezuit.

Verhoeven mundohet ta trajtojë Judenë përtej interpretimit të katër Ungjijve. Dhe, pikërisht këtë janë munduar ta bëjnë “Monty Python”, por përmes një personazhi tjetër, që aksidentalisht jeton në kohën kur ka jetuar Jezui.

Imperializmi romak

Sidoqoftë, kur Brian merr vesh se është romak, vendos t’i bashkohet grupeve ilegale anti-imperialiste për çlirimin e Judesë. Ai bëhet anëtar i “Frontit të Popullit të Judesë”, grup që urren romakët e më shumë se ta rivalët ilegalë nga “Fronti Judean i Popullit”, “Fronti Popullor i Njerëzve të Judesë” dhe “Fronti Popullor i Judenëve”.

Ky “Front…” planifikon realizimin e supremacisë botërore të hebrenjve brenda pesë viteve, pos nëse “nuk e shkatërrojnë Perandorinë Romake brenda 12 muajve”. “Fronti…” merret me fjalë, miraton rezoluta, shkruan fjalime, madje edhe legjitimon të drejtën e anëtarit Stan – që dëshiron të bëhet grua me emrin Loretta – që të ketë fëmijë, “sepse kjo paraqet simbolikën e luftës kundër shtypjes”.

Detyra e parë e Brianit është të shkruaj parullën “romakë shkoni në shtëpi”, e pastaj të marrë pjesë në rrëmbimin e gruas së prefektit të Provincës romake të Judesë, Pont(ius) Pilat(e).

Gjithçka ishte e planifikuar mirë, në detaje: Pilate do t’i ketë dy ditë për ta çmontuar shtetin imperialist romak, përndryshe gruaja e tij do të ekzekutohet. Por, gjërat shkojnë mbrapsht kur “Fronti i Popullit të Judesë” ndeshet me “Frontin Judean të Popullit”. Rrahja fillon dhe Briani arrestohet. Ai tashti e mohon kauzën e tij, thotë se është romak, njëri nga ata, djali i centurionit me emrin Naughtius Maximus, që është emër qesharak sikur emri i mikut të Pilatit, Biggus Dickus, dhe gruas së tij Incontinentia Buttocks!?

Brian ikën, por katrahurat e tij për mbijetesë nuk marrin fund.

Teksa vraponte drejtë shtabit të “Frontit..:”, kalon në sheshin e mbushur me predikues, njëri nga të cilët thoshte: “Askush nuk do të dijë se ku janë ato gjërat e vogla… sepse në këtë kohë shoku do të humb çekanin e shokut…”.

Brian bie aksidentalisht në kokën e tij. Për t’u dukur si një predikues, flet diçka pa lidhje, por që intrigon popullin: “Mos gjykoni të tjerët, sepse mund të gjykoheni edhe vetë”.

Fjalët e tij të pakuptimta shndërrohen në diçka mistike, në kode hyjnore. Ai ndiqet nga turma, si të ishte një profet, mrekullibërës, një shpëtimtar…

Por, gjithçka që donte Brian, ishte të zhdukej nga syri i romakëve dhe të mbetej gjallë.

“Profeti” Brian, komiku Brian

Portretizimi i gabuar i Brianit nga turmat, identifikimi i tij me shpëtimtarin e botës dhe ajo që pason, mllefos më së shumti klerin e krishterë.

Brian e kalon natën me ilegalen Judith, – që është një si paralele me pohimet për lidhjen e Jezuit me Maria Magdalenën – ndërsa mban këtë fjalim të “pafalshëm”: “Dëgjoni, e keni keqkuptuar të tërën. Ju nuk duhet të më ndiqni. Ju nuk duhet ta ndiqni askënd. Ju duhet të mendoni për veten, sepse të gjithë ju jeni të veçantë… Të gjithë jeni të ndryshëm… Ndaj, duhet ta gjeni vetë zgjedhjen, për vetveten… Mos lejoni askënd t’ju thotë se çfarë duhet të bëni”.

Turmat e pyesin nënën e tij se a është e virgjër; Pilati kërkon nga populli ta zgjedhin një emër për ta liruar nga burgu (siç thotë Dhiata e Re për rastin Hossana); Brian ekzekutohet në kryq, që ishte gjë e rëndomtë për atë kohë, por jo edhe për të krishterët për të cilët kryqëzimi është dënim me të cilën identifikohet vetëm Jezui.

Ai shpallet nga “Fronti…” martir i kauzës kombëtare; në çastet e fundit pranë tij është nëna dhe e dashura (siç ishte pranë Jezuit nëna dhe Maria Magdalena); ndërsa kryqëzimi masiv përfundon në hare me këngën: “Shikojeni anën e kthjellët të dritës”.

“Jeta e Brianit”, pa dashje ka hapur kontroversa dhe debate të cilat shumë vite më vonë i shkaktojnë Martin Scorsese me “The Last Temptation of Christ” dhe Mel Gibson me “The Passion of th Christ”.

Por, për dallim nga dy regjisorët tjerë, “Monty Python” donin ta portretizon Judenë e shekullit të I-rë, ndryshe nga ajo që thuhet në Dhiatën e Re. Ata donin të flisnin për hipokrizinë dhe budallallëqet që kanë mundur të ekzistojnë, si dhe të përqeshin njerëzit që nuk arrijnë t’i perceptojnë dhe t’i aplikojnë si duhet mësimet e profetëve. Skenari i tyre bazohej në studime historike, që shmangnin të bëmat e personazhit kryesor, ndërsa përqendroheshin te problemet e njerëzve të zakonshëm – luftën e tyre shpirtërore dhe politike për të krijuar një rend të ri në Judenë e pushtuar.

Nëse filmi shikohet me tendencën që të gjenden paralelet mes Jezuit dhe Brianit, ato do të gjenden, pa çka nëse që në fillim bëhet e ditur se fjala është për një personazh tjetër. “Monty Python” mundohen të parodizojnë një histori alternative, të panjohur për njerëzit e rëndomtë që kanë jetuar në periudhën që ndryshon të ardhmen e njerëzimit.

“Jeta e Brianit” është shpallur disa herë si komedia më e mirë e të gjitha kohëve. Prandaj, gjithçka aty duhet të shikohet në këtë aspekt. Ky film njëmend të bënë të qeshesh. Dhe, këtu qëndron rëndësia e tij. /Telegrafi/

(Ky shkrim është botuar për herë të parë, në shtojcën për kulturë të gazetës “Koha Ditore”)