Libri “Edukatë muzikore 3” i shtëpisë botuese “Dukagjini” përzgjedhet në listën e ngushtë të çmimeve “BELMA”
Teksti shkollor “Edukatë muzikore 3” i shtëpisë botuese “Dukagjini” është përzgjedhur në listën e ngushtë të çmimeve “BELMA”. Që nga viti 2009, çmimet “BELMA” organizohen nga EEPG (Grupi i Botuesve Arsimorë Evropianë) në bashkëpunim me Panairin e Librit në Frankfurt dhe IARTEM (Shoqata Ndërkombëtare për Kërkime për Tekstet shkollore dhe Mediat arsimore). BELMA (çmimi më i mirë i materialeve mësimore evropiane) u jepet çdo vit materialeve të shkëlqyera arsimore nga e gjithë Evropa. Të gjitha aplikimet vlerësohen nga një juri e pavarur e ekspertëve të shquar të librave shkollorë dhe mediave arsimore. Konkursi është i hapur për të gjithë botuesit arsimorë në të gjithë Evropën, duke përfshirë anëtarët e EEPG dhe fituesit ftohen në një ceremoni në Panairin e Librit në Frankfurt. Shtëpia botuese “Dukagjini” është anëtare e plotë e rrjetit “European Educational Publishers Group” (Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim – EEPG). Kështu, “Dukagjini”, jo vetëm që është shtëpia botuese e vetme nga Kosova që ka arritur të anëtarësohet, por, njëherësh, është edhe shtëpia botuese e vetme e teksteve në gjuhën shqipe në këtë rrjet, dhe një vlerësim i tillë në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, padyshim që është një shtysë e re për ekipin e shtëpisë botuese “Dukagjini” për punë e përkushtim të pandalshëm për të sjellë botime të reja inovative, dhe synimin e palëkundur për zhvillimin e cilësisë në arsim. Përzgjedhja e librit shkollor “Edukatë muzikore 3” ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekipin e shtëpisë botuese “Dukagjini” edhe për faktin se libri përmban shumë elemente kombëtare. Në libër gjenden këngë përmes së cilave fëmijët do të mësojnë për bukuritë e atdheut, do të njihen me lumenjtë, malet dhe historinë e lavdishme të tij.





























