LAJMI I FUNDIT:

Lëndimi i pleksusit brachial te të porsalindurit – rehabilitimi neurozhvillimor

Lëndimi i pleksusit brachial te të porsalindurit – rehabilitimi neurozhvillimor

Lëndimi i pleksusit brachial (PB) nënkupton lëndimin e fijeve nervore të krahut e cila paraqitet gjatë procesit të lindjes, kryesisht gjatë lindjeve të vështira apo edhe në intrauterinë kur nëna ka probleme shëndetësore gjatë periudhës së shtatzënisë.

MSc.Pt. Zana Gërgi
Specialiste e fizioterapise pediatrike-fizioterapeute neurozhvillimore Bobath


Lëndimi i (PB) te foshnjat shfaqet në formë të paralizës së krahut në nivele të ndryshme ku nervat mund të ngrehen apo edhe të këputen.

Lëndimet mund të jenë: të lehta, të mesme dhe të rënda.

Po ashtu lëndimet e PB ndahen në tre lloje:

⦁ ndikimi i sipërm i pleksusit,
⦁ ndikimi i pjesës së poshtme të pleksusit dhe
⦁ ndikimi i gjithë pleksusit që përfshin tërë krahun.

Shkaqet të cilat ndikojnë në paraqitjen e lëndimit të PB tek të porsalindurit:

Lëndimet e PB paraqiten me një përqindje prej 0.19-2.5% në 1000 në të shumtën e rasteve me lëndim të njëanshëm (unilateral). Shkaktarët kryesor të kësaj gjendjeje janë pesha e madhe e bebes (mbi 4 kg), prezantimet me pelvik të bebes, lindja e vështirë, përdorimi i forcepsit apo vakuumit, infeksionet virale, diabeti te nënat, pozicioni jo normal i mitrës.

Simptomat e lëndimit të PB gjatë muajit të parë janë:

⦁ Foshnja nuk mund të lëviz krahun,
⦁ Vështirësi në veshjen e krahut,
⦁ Mungesa e formimit të grushtit

Ndërsa pas muajit të parë, pas lëndimit, foshnja:

⦁ Nuk mund të vendos dorën në gojë,
⦁ Nuk mund t’i kap objektet me dorën e krahut të lënduar apo
⦁ Nuk mund të lëviz krahun gjatë kohës që është në pozitën prone (përmbys).

Në emër të minimalizimit të problemeve sekondare që mund të ndodhin te foshnja, është shumë me rëndësi:

⦁ Diagnostikimi i lëndimit të PB i cili bëhet me anë të ekzaminimit klinik dhe incizimit me CT apo MR,
⦁ Vlerësimi i shkallës së lëndimit të PB
⦁ Planifikimi i trajtimit dhe rehabilitimit pediatrik dhe
⦁ Planifikimi i ushtrimeve terapeutike apo edhe ndërhyrjes kirurgjike varësisht prej shkallës së lëndimit nga ana e ekipit multidiciplinar si neurologu pediatrik, fizioterapeuti pediatrik, kirurgu, ortopedi.

Rehabilitimi pediatrik në lëndimet e PB

Në kuadër të rehabilitimit pediatrik te foshnjat me lëndim të PB për shërimin e sëmundjes aplikohet terapia neurozhvillimore, objektivat kryesore e të cilës janë:

⦁ Rikthimi i funksioneve të krahut
⦁ Përdorimi funksional i krahut dhe
⦁ Parandalimi i dobësisë muskulore prej një periudhe sa më të hershme

Në javët e para pasi që fillohet me fizioterapi, rekomandohet që krahu i foshnjës të mbahet mbi trung apo afër trupit. Në vijim preferohet që të vazhdohet me lëvizje të lehta të krahut të foshnjës apo me qëllim të zhvillimit shqisor me një masazh të lehtë në pjesën e ndikuar deri në 20 ditë. Gjatë terapisë mund të lind nevoja për përdorimin e splintit të dorës për të cilin jepet vendimi nga fizioterapeuti pediatrik dhe mjeku i cili e përcjell situatën e foshnjës. Përdorimi i mjeteve terapeutike ndihmon në parandalimin e problemeve sekondare si kontrakturat dhe deformitetet.

Terapia vazhdon me lëvizjet e nyjeve në krah të cilat duhet të praktikohen gjatë ditës në mënyrë të rregullt. Ushtrimet e transferimit të peshës, aplikimi i masazhit të lehtë dhe stimulimi i krahut me mjete të ndryshme e mbështesin terapinë në kuadër të ngritjes së zhvillimit shqisor.

Në terapi marrin pjesë edhe ushtrimet e tjera si:

⦁ Aktivitetet të cilat përfshijnë pjesëmarrjen e të dy duarve,
⦁ Aktivitetet që mbështesin zhvillimin motorik,
⦁ Aktivitetet që mbështesin zhvillimin shqisor dhe
⦁ Përdorimi i mjeteve ortotike.

Poashtu në kuadër të aktiviteteve motorike aplikimi i lëvizjeve në mënyrë simetrike, dhënia e lojërave nga ana e lënduar si dhe mënyra e mbajtjes së foshnjës në prehër e plotësojnë dhe e mbështesin rehabilitimin.

Periudha e rehabilitimit te lëndimet e PB mund të zgjat deri në moshën 3 vjeçare dhe aplikohet një terapi me përfshirje të forcimit të muskujve, aktivitete të lojërave dhe aktivitete që ngritin kualitetin e lëvizjes.

Gjatë fazës së rehabilitimit të PB në muajt prej 3-6 në rast se te foshnja kemi mungesë të lëvizjes së bërrylit apo hapjes së gishtave, atëherë foshnjat duhet të orientohen për neurokirurgji.

Poashtu dhe foshnjat mbi moshën 3 vjeçare duhet të vlerësohen në kuadër të ndërhyrjes kirurgjike ku qëllimi kryesor është ngritja e aktivitetit të kraharorit.

Roli i familjes në rehabilitimin pediatrik te foshnjat me lëndim të PB

Gjatë planifikimit të rehabilitimit pediatrik te foshnjat me lëndim të PB me qëllim të ngritjes së efektit të terapisë dhe shërimit më të shpejtë, rëndësi e veçantë i kushtohet edhe programit shtëpiak, me ç’rast kërkohet edhe angazhimi i prindërve për të vazhduar ushtrimet terapeutike në shtëpi dhe kujdesin për mënyrën e veshjes së foshnjës, pozicionimin e krahut gjatë fjetjes dhe mënyrën e drejtë të mbajtjes në prehër për të cilat edukohet nga ana fizioterapeutit pediatrik.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori