Kryesia e degës së LDK-së në Dragash ka mbajtur mbledhjen e radhës, në kuadër të së cilës kryetari aktual Bexhet Xheladini është propozuar të jetë kandidat për kryetar të Komunës dhe njëherësh bartës i listës së kandidatëve për Kuvendin e Komunës.

Sipas njoftimit të degës së LDK-së në Dragash, të dielën, është mbajtur mbledhja e kryesisë së ngushtë dhe pastaj edhe ajo e zgjeruar, ku është diskutuar analiza e zgjedhjeve të përgjithshme, përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe të ndryshme.


“Në pikën e parë të rendit të ditës u diskutua mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme, me ç'rast u vlerësua kontributi i të gjitha strukturave të Degës dhe u kërkua një angazhim maksimal edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ndërkaq në pikën e dytë të rendit të ditës, sipas njoftimit janë shqyrtuar hapat e mëtutjeshëm për organizim më efikas për procesin e zgjedhjeve lokale, ku edhe është propozuar çelësi për përzgjedhjen e numrit të kandidatëve nëpër nëndegë për Kuvendin e Komunës.

“Gjithashtu, me vota unanime të të gjithë Kryesisë, kryetari i deritashëm i Degës së LDK-së në Dragash, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Dragashit, Dr.Bexhet Xheladini, u propozua kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit në zgjedhjet e ardhshme Lokale, si dhe bartës i Listës së kandidatëve për Asamble Komunale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/