Franco Foda humb një element të rëndësishëm për ndeshjet e shtatorit – Vesel Demaku pëson dëmtim të rëndë

Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të keq para dy ndeshjeve që do t’i zhvillojë gjatë muajit shtator.
‘Dardanët’ do të luajnë fillimisht më 5 shtator në udhëtim ndaj Zvicrës, para se të presin në ‘Fadil Vokrri’ tri ditë më vonë Suedinë.
Përzgjedhësi Franco Foda në këto dy ndeshje nuk do të jetë në gjendje të llogarisë në shërbimet e mesfushorit Vesel Demaku.
Kjo për shkak se Demaku u largua i lënduar nga ndeshja e fundit që Altach e zhvilloi në shtëpi ndaj GAK 1902.
Si pasojë e këtij lëndimi, Demaku u detyrua ta lë fushën pas vetëm 40 minutave lojë.
Sipas raportimeve të fundit, ai pritet që të jetë jashtë fushave rreth dy ose tre muaj.
25-vjeçari kishte marrë ftesën nga Kosova për dy ndeshjet e ‘play-off-it' të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, ku kishte shkëlqyer me paraqitjet e tij.
Mungesa e Demakut është diçka që do t’i shkaktojë kokëçarje Fodës, i cili tashmë duhet të mendojë se kush është lojtari i duhur për ta zëvendësuar atë./Telegrafi/


















































