Ka përfunduar procesi i votimit të fshehtë në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të gjithë delegatët e pranishëm në Kuvend kanë votuar në mënyrë të fshehtë për ofrimin e dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.


Burimet e Telegrafit bëjnë me dije se rreth 55% e delegatëve kanë votuar pro kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke refuzuar dorëheqjen e tij.

Nga 300 delegatë pjesëmarrës, 164 votuan kundër dorëheqjes së tij, dhe 136 pro.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas shpalljes së rezultatit, kërkoi nga delegatët e pranishëm që të bashkohen për ta ringritur këtë parti.

Ai mes tjerash u tha "në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues".

Ai falënderoi delegatët të cilët përmes votimit te fshehtë, kundërshtuan me 164 vota kundër dorëheqjen e tij.

Ndryshe, Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave - rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.

Por disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.

Në mesin e tyre janë Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, etj./Telegrafi/