Kushtetuesja konstatoi shkelje për zvarritje 24-vjeçare të një procedure gjyqësore në Gjakovë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI81/25, me të cilin ka konstatuar shkelje të të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm, në një rast që ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se 24 vjet në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Rasti ishte parashtruar nga Adem Shehu, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore lidhur me lëndën T.nr.29/2000, që ka të bëjë me një procedurë jokontestimore për ndarjen e trashëgimisë së lënë nga nëna e tij.
Gjykata Kushtetuese, me vendim unanim, e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, ajo urdhëroi Gjykatën Themelore në Gjakovë që, jo më larg se më 11 mars 2026, ta informojë Kushtetuesen për masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit.
Sipas aktgjykimit, procedura kishte nisur më 7 nëntor 2000, ndërsa më 1 shkurt 2002 ishte ndërprerë nga Gjykata Komunale në Gjakovë, me arsyetimin se duhej të pritej përfundimi i dy lëndëve kontestimore që ndërlidheshin me ngastrat kadastrale. Ankesa e parashtruesit kundër këtij vendimi ishte refuzuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë, ndërsa procedura e trashëgimisë ka mbetur e ndërprerë që nga ajo kohë.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka kontribuar në zvarritjen e procedurës dhe se vonesa prej më shumë se 24 vitesh është e pajustifikueshme. Sipas saj, kjo periudhë e gjatë pritjeje i atribuohet autoriteteve gjyqësore, të cilat nuk mund të lejojnë që çështjet gjyqësore të mbeten të pazgjidhura për një kohë të pacaktuar.
Në përfundim, Kushtetuesja theksoi se Gjykata Themelore në Gjakovë ka cenuar të drejtën e parashtruesit për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe duhet të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm procedural për të eliminuar pengesat dhe për ta përmbyllur lëndën në përputhje me gjetjet e këtij aktgjykimi./Telegrafi.

































