Site icon Telegrafi

KUSH

Poezi nga: Sylvia Plath
Përkthyen: Agron Tufa dhe Elvana Zaimi

Kaloi muaji i lulimit. Frutat në shtëpi
Janë ngrënë ose kalbur. Jam e gjitha gojë.
Tetori është muaji i grumbullimit.

Ufmë në kasolle, si në bark të nënës:
Veglat e vjetra, bishtat, grabuja të ndryshkura.
Këtu, midis kokash të vdekura, jam në shtëpi.

Lermëni të prehem në saksinë e luleve,
Merimangat nuk do të më pikasin..
Zemra ime – një elbarozë e mpirë.

Ja sikur era të dilte prej mushkërive.
Një surrat qeni u merr erë luleve.
Petalet rriten këmbëpërpjetë.
Ata kërcasin, si shkurre hortensie.
Mua që kam ardhur mbrëmë tek trarët,
Më ngushëllojnë kokat që kalben,
Që s’flenë dimrit.

Kokat e lakrave: të purpurta, si krimba, të sermta,
të veshura me veshë mushkash dhe flatra fluturash,
Por me zemra të blerta.
Venat i kanë të bardha, si dhjamë derri.

O bukuri e konsumit!
Kunguj portokalli të pasy.
Këto salla janë plot me gra që ndjellin shpesë.
Ja se ç’shkollë e mërzitshme. Jam rrënja, guri, klithma e hutit.
Asnjë ëndërr nuk më shtiret.

Mama, ti je mu njajo gojë,
në të cilën do të kisha qenë gjuhë.
O nënë pangjashmërie, hamë!
Hije e derës së tremesë,
Që përthithet në koshin e plehrave.

Unë thashë se ndoshta, e kujtoj këtë nga fëminia.
Atje rriteshin të tilla lule gjigande,
gojë të purpurta e të kuqe, thjesht të magjishme.

Rrathët prej kërcejve të manaferrave m’i ndillnin lotët në grykë.
Tani ato më ndezin si një llampë.
Herëdokur me javë të tëra nuk ndërmend asgjë.

Exit mobile version