– Mbi poezitë e Nexhvan Dervishit –
Nga: Besnik Mustafaj
Palestinezi Nexhvan Dervishi (Najwan Darwish) është sot një nga zërat më të spikatur të poezisë botërore. Me botimin e tij të fundit në anglisht, Exhausted on the Cross, ishte finalist për çmimin kryesor që jepet në ShBA për poezinë e përkthyer, atë të American PEN Centre i cili u shpall në fillim të vitit 2022.
I lindur në Jerusalemin e vjetër më 1978, palestinez që jeton midis vendlindjes dhe Haifës në Mesdhe (Izrael), ka botuar deri tani shtatë libra me poezi dhe është përkthyer në afro njëzet gjuhë. Jo vetëm identiteti i tij formal, por edhe mbiemri i tij sjell vetvetiu në vëmendje njërin nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX, Mahmud Dervishin (Mahmoud Darwish). Nexhvan Dervishi u shfaq me librin e tij të parë Ai trokiste në derën e fundit pikërisht në vitin 2000, si për të shënuar kështu edhe në kalendar se do të ishte poeti i shekullit XXI, sado që nuk do të mund t’i shpëtojë kurrë lidhjes semantike me paraardhësin e vet të lavdishëm, të cilin nuk e evokon asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë me sa kam parë në përmbledhjen e zgjedhur Është një vend që quhet këngë, përgatitur dhe përkthyer mjeshtërisht në shqip nga Muhamed Mufaku, botuar nga Instituti për Studime Orientale në Prishtinë, ndërkohë që evokon në poezi të veçanta shumë emra të ndritur të filozofisë, letërsisë dhe kulturës arabe të traditës apo edhe bashkëkohore. Por, trashëgimia e Mahmud Dervishit është e shpërndarë gjithandej si limfë në poezinë e Nexhvan Dervishit, më konkretisht si estetikë e revoltës, diçka e ngjashme me përcjelljen e ADN-së të paraardhësve te njeriu.
Pikërisht kjo “estetikë e revoltës”, guximi poetik dhe njerëzor për ta kundërshtuar hapur dhe pa kompromis të keqen, përbën gjithashtu njëfarë kurthi kur është fjala për të folur mbi poezinë e tij. Duke njohur dramën e Palestinës në histori dhe aktualitet, duke parë edhe vullnetin e poetit për t’u identifikuar me këtë dramë, vjen vetvetiu një shtysë për t’u përqendruar te poezitë me këtë temë, gjë që do ta reduktonte tej mase zbulimin e hapësirës imagjinative të Nexhvan Dervishit. Ky është kurthi i lehtësisë. Nën një vështrim të tillë, kjo vepër poetike do të shqyrtohej për mesazhet e saj politike e morale, por që, në fjalë të fundit, sado të pasura e të fuqishme të jenë, ato e ndriçojnë veprën vetëm pjesërisht, duke dhënë një përshtypje krejt të pamjaftueshme për vizionin e poetit mbi botën dhe njeriun. Për shkak të zgjedhjes së kësaj lehtësie, Nexhvan Dervishi e ka parë me siguri shumë shpesh veten të lavdëruar nëpër faqe gazetash anembanë botës si qytetar palestinez me integritet të lartë. Poezitë e cituara në këso rastesh sillen kryesisht si “provë” e virtyteve të poetit. Pra, poeti, me jetën e tij, paraqitet dashje pa dashje si më i rëndësishëm se vepra e tij letrare. Në vlerësimin tim, kjo do të ishte një padrejtësi në dëm të poezisë. Pavarësisht qëllimit të mirë nga ana e autorëve të recensioneve të tilla, ngushtohet rruga e poezisë për të shkuar te lexuesit e vërtetë, me të cilët poeti dëshiron natyrshëm të vendosë një lidhje besnikërie afatgjatë. Shembulli i Nexhvan Dervishit më ndihmon për të tërhequr vëmendjen drejt një problemi që e kanë në përgjithësi poetët dhe shkrimtarët e ardhur nga vende të vogla, por me histori dramash të mëdha politike apo sociale. Qasja ndaj veprës së një poeti amerikan apo francez nuk ndikohet në përgjithësi për mirë e as për keq nga jeta qytetare apo politike e autorit.
Për ndërtimin e kësaj antologjie, Muhamed Mufaku ka zgjedhur kriterin kronologjik, duke sjellë një tufë me poezi nga secili prej librave. Sigurisht që edhe në këtë rast, si në hartimin e çdo antologjie, subjektiviteti i nismëtarit ka pasur ndikimin e tij. Gjatë përzgjedhjes, Muhamed Mufaku është udhëhequr natyrshëm nga pëlqimet e veta për poezinë. Por jo vetëm. Ai ka mbajtur gjithnjë mirë parasysh qëllimin e lartë për ta paraqitur poetin para lexuesit shqiptar sa më denjësisht.
Nexhvan Dervishi pranohet sot botërisht si njëri nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë. Rrjedhimisht, hartuesi i antologjisë është mbështetur edhe në vlerësimet e kritikës më serioze letrare botërore, përfshirë prestigjiozen New York Book Riview, e cila, përveç vështrimeve rast pas rasti mbi poezinë e Nexhvan Dervishit, ka nxjerrë edhe vetë si botues në vitin 2014 një përmbledhje të zgjedhur me titull Nothing More to Lose si dhe një tjetër në vitin 2021 me titull Exhausted on the Cross. Duke i besuar shijes së vet, por edhe vlerësimeve të kritikës letrare, Muhamed Mufaku na ka sjellë në shqip një antologji mjaftueshëm përfaqësuese për poetin në kuptimin që ne, lexuesit shqiptarë, arrijmë të shohim aty një poet të madh dhe ndiejmë dëshirën ta zbulojmë më tej veprën e tij. Nga ana tjetër, duke zbatuar kriterin kronologjik në hartimin e antologjisë, Muhamed Mufaku na e ka thjeshtuar ndjekjen e rritjes së tij si poet nga libri i parë Ai trokiste në portën e fundit në vitin 2000, kur ishte 22 vjeç, deri te libri i shtatë Kur u zgjuam një herë në parajsë në vitin 2020. Është një rritje e pandalshme, që ka sjellë zgjerimin e vazhdueshëm të vizionit të tij poetik ashtu edhe pasurimin e gjuhës. Nisur nga mosha e tij do të thosha me gëzim të veçantë se poeti Nexhvan Dervishi, për fatin e mirë, është ende vetëm në mesin e rrugës. Nëse do të bënim një skicë të kësaj rruge, ajo do të fillonte si një përrua malor, që vjen duke u zgjeruar e mbushur me ujë për t’u qetësuar në fushë, ku bëhet lumë i ngjashëm me Nilin në udhëtimin e vet të pakthyeshëm drejt detit.
Nuk është vendi këtu për shqyrtime të thelluara mbi poezinë e Nexhvan Dervishit. Shumë shkurtimisht po i lejoj vetes të tërheq vëmendjen e lexuesit vetëm te gjuha e tij. Mbështetur te kjo përmbledhje, do të kisha thënë se Nexhvan Dervishi duket të jetë një poet aristotelian, sipas të cilit poezia është arti i gjuhës. Në përpjekje për një përcaktim i përshtatshëm për këtë gjuhë do të kisha thënë se ajo është “thelbësore”. Gjuha poetike e Nexhvan Dervishit është, pra, thelbësore. Ai zotëron një mjeshtëri të lartë për ta bërë gjuhën në vetvete të padukshme. Domethënë, vëmendjen e lexuesit nuk e tërheq bukuria e fjalëve si të tilla apo tingëllima e tyre, ai nuk bën lojëra metaforash dhe as akrobacira gjuhësore. Ai nuk është një poet eksperimentalist e as formalist. Mundimi i Nexhvan Dervishit – do thënë një mundim i shpërblyer mirë – shkon në gjetjen e fjalës së saktë për të shprehur pa humbje mendimin dhe përfytyrimin e tij origjinal të shkrirë në njëri-tjetrin.
Kësisoj, gjuha e tij është skajshmërisht e kursyer, aspak aproksimative dhe më së shpeshti, shumëkuptimëshe. Pikërisht kjo shumëkuptimësi e vendos lexuesin në atë rrethanë, kur ai nuk kujtohet për gjuhën në vetvete, por për përmbajtjen e tekstit poetik si unitet koherent, njësoj siç ai nuk kujtohet për dritën e diellit, por për botën e shfaqur para syve të tij, edhe pse kjo botë është e prekshme për shqisat e tij vetëm në saje të dritës së diellit. Kësaj vepre do t’i shkonte përcaktimi i një tjetër poeti të madh, Oktavio Paz, i cili thotë diku se poezia nuk është e pakuptueshme. Ajo është e pashpjegueshme. Si e kuptueshme, por e pashpjegueshme, poezia e Nexhvan Dervishit mishëron një hermetizëm të shëndetshëm, modern dhe larg çdo spekulimi. Nuk më duket se poeti ka arritur te një rezultat i tillë në mënyrë thjesht intuitive apo spontane, sado që intuita ka me siguri vendin e vet të rëndësishëm në procesin e tij krijues. Por ai shfaqet krejt i vetëdijshëm për identitetin si poet, që ia jep pikërisht gjuha. Madje, ka dëshirë edhe t’ia pohojë lexuesit, kur në një poezi, pyet: “Kush do të isha pa fjalët e mia?” Nuk është një pyetje, përgjigjja e së cilës do të përmblidhej në një fjali. Domethënë se ai (poeti) është gjuha, stili i tij. Aristoteli do t’i thoshte se stili është vetë poeti. Ndaj gjuha e tij është kaq thelbësore. /Gazeta “ExLibris”/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR
Para 70 vitesh u incizua kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë”: Me këngëtarin Rudolf Stambolla, të parin e muzikës moderne shqiptare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje