Kush po e furnizon Kosovën me energji elektrike, vazhdojnë përplasjet LVV-LDK

Pas paralajmërimit të KESCO-s për mungesë të theksuar të energjisë elektrike nga prodhimi vendor, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) thirri dje një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Ky zhvillim ndezi përplasje të ashpra mes institucioneve përgjegjëse për energjinë dhe shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik e politik.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, duke deklaruar se aktualisht funksionon vetëm blloku A3 i KEK-ut me kapacitet 110 megavatë, që mbulon rreth 10 për qind të nevojave të vendit. Sipas saj, pjesa tjetër e energjisë po vjen në Kosovë, kryesisht përmes Serbisë.
Në reagim të menjëhershëm, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka hedhur poshtë deklaratat e Bajramit duke i quajtur dezinformuese dhe të pabazuara.
Sipas Rizvanollit, energjia që rrjedh fizikisht nga Serbia nuk nënkupton import të organizuar përmes marrëveshjeve tregtare me këtë shtet. Ajo ka theksuar se Serbia, që nga viti 2020, ka bllokuar përdorimin e linjave ndërkufitare për tregtim të energjisë me Kosovën.
“STOP dezinformimit! Po keqinterpretohen të dhënat. Ky është ose manipulim i qëllimshëm, ose mungesë dijeje”, ka deklaruar ministrja.
Por Bajrami nuk është tërhequr dhe i është kundërpërgjigjur ministres, duke insistuar se rrjedhat fizike përmes Serbisë janë fakt i pakontestueshëm dhe duke e ftuar publikisht në një debat televiziv së bashku me kryeministrin Kurti dhe përfaqësues të KOSTT-it dhe ZRrE-së.
Bajrami ka kritikuar heshtjen e qeverisë për këtë situatë, duke ngritur pyetje publike për koston e importit dhe përfituesit e kontratave për transportin dhe furnizimin me energji.
Ajo ka akuzuar qeverinë për lidhje me kompani që, sipas saj, po përfitojnë nga kriza, përfshirë kompaninë NOA dhe EFT-në e Vuk Hamoviqit.
Në këtë debat është përfshirë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili përmes një reagimi ironik në Facebook ka akuzuar opozitën se po shqetësohet jo për gjendjen e KEK-ut, por për fitimin e kompanive private si KESCO, që sipas tij, po detyrohet të blejë energji në mungesë të prodhimit vendor.
Ndryshe në janar të këtij viti, Kosova prodhoi 24 për qind më pak rrymë nga hidrocentralet dhe 12 për qind më pak nga era dhe dielli sesa në janar të vitit të kaluar.
Ndërsa, prodhimi nga termocentralet u ngrit sërish në nivelet para rënies së shtatorit të vitit të kaluar./Telegrafi/

















































