LAJMI I FUNDIT:

Kush menaxhon me njësinë e Trepçës në veri?

Kush menaxhon me njësinë e Trepçës në veri?

Mbi tërë atë pasuri natyrore të Kosovës, në të valon flamuri i Serbisë. Miniera e Bello Brdos në kufi me Serbinë në komunën të Leposaviqit. Kjo Minierë bashkë me atë të Crnacit janë dy minierat që përbëjnë njërën nga trinjësitë e Ndërmarrjes Trepça. Por aty më së paku ka frymë të Republikës së Kosovës.

Duke filluar nga hyrjet e objekteve që ende shkruhen me shkronja cirilike, pastaj flamujt e Serbisë e deri tek menaxhmenti i saj që është funksional qysh nga koha kur Kosova ishte nën Jugosllavi.

Drejtori i dy minierave në veri të vendit, është zgjedhur në vitin 1997. Ai nuk pranon të flasë para mediave të Kosovës. Thotë që as mos ta përmendim askund takimin me të, ani pse nuk e sqaron nëse kjo është pjesë e proceduarve apo që nuk kanë leje të flasin me mediat kosovare.


Ai na thotë që duhet të drejtohemi tek menaxhmeti që është në Zveçan.

Aty ku është drejtor  gjeneral Jovan Dimkiq. Tek objekti i menaxhmentit në Zveçan, tek porta na thanë që menaxhmentit mund ti drejtohemi vetëm përmes emailit. Një email të tillë, dhe kërkesës për takim me të, Dimkiq nuk i është përgjigjur për një javë.

Por, Dimkiq është shumë bashkëpunues me mediat serbe. Ai ka marrë pjesë atje edhe në debate televizive si dhe ka dhënë deklarata për mediat e shkruara, ku ndër të tjerat, ka deklaruar që nuk e njeh ligjin e Ndërmarrjes Trepça që Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në vitin 2016.

“Ne nuk do të pranojmë zbatimin e atij ligji. Ne nuk mendojmë që menaxhimin e pjesës sonë të Trepçës t’ia lëmë dikujt tjetër, i cili brenda natës deklaroi se ka 80, ose 90, ose 100 për qind të aksioneve”, ka thënë Dimkiq për “Danas” të Serbisë.

Dimkiq në vitin 2014-të gjithashtu ishte paraqitur duke bërë fushatë për zgjedhjet lokale në Leposaviq, ku e përkrahte hapur Listën Serbe dhe i bënte Serbisë thirrje për përkrahje.

“Jemi në një situatë ku duhet të zgjedhim mes zgjidhjeve të këqija dhe duhet të zgjedhim zgjidhjen më pak të keqe ose zgjidhjen më të mirë. Dhe zgjidhja më pak e keqe apo më e mirë është zgjidhja që na mundëson një marrëdhënie të fortë dhe të pathyeshme në radhë të parë me qeverinë e Republikës së Serbisë. Ne presim ndihmë të vazhdueshme dhe mbështetje të vazhdueshme, do të thosha edhe patronazhin e Qeverisë së Republikës së Serbisë në këtë fushë, dhe siç tha zoti Vulin, krijimi i një bashkësie dhe ajo bashkësi mund të arrihet vetëm me zgjedhje”.

Drejtori i njësisë së Trepçës në veri në të gjitha paraqitjet e tij që ka bërë, mbrapa ka dy flamuj, atë të Trepçës si dhe flamurin serb. Flamuri serb valon edhe mbi minierën në Belo Brdo, ku gjatë kohës sa ishim ne atje, mezi u lejuam që të filmojmë.

Deputet Ferat Shala, i cili është kryetar i komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili po ashtu  ka udhëhequr me Trepçën në vitin 2008 thotë se Trepça e veriut është e menaxhuar dhe drejtuar nga strukturat e Serbisë.

“Trepça Veriore ka pasur dëshmi dhe ka se ka bashkëpunuar ngushtë me regjimin e Serbisë dhe me strukturat paralele serbe në veri, publikisht që dihet, është Jovan Dimkiq dhe asetet e tij të shpërndara në pjesën veriore dhe jashtë Kosovës”, thotë Shala për RTK.

Edhe pse qysh nga viti 2016 kur u miratua edhe Ligji për Trepçën, u ndërruan disa qeverisje. Ende asnjëra nga to nuk ka arritur ta shtrijë sovranitetin e vendit në njërën nga ndërmarrjet më të rëndësishme të saj, e cila menaxhon me pasurin nëntokësore të Kosovës.

Një gjë të tillë e pranon edhe Kryeshefi i Ndërmarrjes Trepça.

“Kjo është shumë shqetësuese dhe unë deri me tani e kamë deleguar prej vitit 2016, prej kur edhe e kemi ligjin  për Ndërmarrjen Publike Trepça, dhe që duhet të respektohet edhe ligji edhe statutet. Atje duhet të shpallet konkursi i  rregullt, të zgjidhet një drejtor i rregullt i njësisë biznesore që do të zgjidhet nga Bordi mbikëqyrës dhe të jetë një drejtor që do të jetë legjitim”, ka thënë Enis Abdurrahmani, Kryeshef  në Ndërmarrjen “Trepça”.

Një bashkëpunim me Jovan Dimkiq e duan edhe bordi i zgjedhur nga Qeveria e Kosovës, ani pse, pjesë e tij nuk janë edhe përfaqësuesit e komunitetit serb, siç është e paraparë me ligjin për Trepçën, të cilin Dimkiq thotë se nuk e njeh.

“Ne si Bord do të bëjmë përpjekje maksimale që ata të kyçen, të kthehen sepse ligji për Trepçën u jep një mundësi, që secila njësi të ketë llogari të ndara, por sipas një plani të biznesit, që e aprovon bordi mbikëqyrës”, tha Bahri Hyseni, kryetar i Bordit të Trepçës.

Jovan Dimkiq vazhdimisht ka thënë që nuk e njeh ligjin e Trepçës, por ai, qysh nga viti 2005 i është nënshtruar aplikimit për licencë në Komisionin për Miniera dhe Minerale.

Të gjitha njësit minerale të Kosovës duhet të licencohen çdo dy vjet nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në mënyrë që të mund të punojnë, të bëjnë eksploatim si dhe të mund të shesin xehet e tyre, përndryshe puna pa licencë në një minierë është e pamundur.

Kjo mund të jetë arsyeja kryesore pse Dimkiq aplikoi për licencë në Komisionin për Miniera dhe Minerale, sepse pa atë licencë njësia në veri do të mbyllej, dhe ai bashkë me pjesën tjetër të punëtorëve atje, do të mbeteshin pa punë.

“KPMM-ja për herë të parë ka filluar punën në vitin 2005 dhe menjëherë në atë vit këto ndërmarrje kanë filluar punën, pra aktiviteti minerarë i këtyre fillon nga 2005-ta , janë të obliguar nuk mundem me punuar sepse eksploatimin e xeheve minierat e Trepçës nuk mundem me e eksploatu pa përdorimin e eksplozivit dhe kjo sigurohet nga ana e Kosovës”, tha Sali Mulaj – ushtrues i detyrës së Drejtorit në KPMM.

Që Trepça në veri bashkëpunon dhe iu bindet institucioneve të jugut vetëm kur kanë nevojë e pranon edhe Kryeshefi i Trepçës.

“Bashkëpunimi është i kohëpaskohshëm, kur kemi nevojë për ndonjë ndihmë nga ata ose ata nga ne i gjendemi për furnizime, kur kemi nevojë për lëndë të parë ose ata nga ne i gjendemi dhe bashkëpunojmë … por një bashkëpunim më i thellë ose një llogaridhënie e tyre ndaj meje akoma nuk është arritur”, tha Abdurrahmani.

Për deputetin Ferat Shala, mënyra se si menaxhohet Trepça në veri të vendit është shumë e dyshimtë, pasi që shteti i Kosovës nuk ka akses të drejtpërdrejtë në dokumente dhe në kontratat që atje bëhen.

Ai gjithashtu ngre dyshime edhe me buxhetin që Qeveria e Kosovës e ndanë për Trepçën ku një përqindje e saj shkon në veri.

“Gjithmonë ka shifra, por asnjëherë të audituara, asnjëherë të verifikuara, menaxhimi në atë pjesë është jashtë kontrollit nga qeveria e Kosovës, përveç kur ata kanë nevojë dhe ju nevojitet… Trepça në veri është jashtë njohurive si institucione shtetërore të Kosovës”, tha Ferat Shala.

Pasqyrë të saktë të njësisë së Trepçës në veri nuk ka askush. Këtë vit Auditori i përgjithshëm ka filluar të merret me auditimin e kësaj njësie, por gjetjet e saj ende nuk janë prezantuar për publikun.

“Aktualisht auditimi është në proces të realizimit. Prandaj do të mund të jemi në gjendje të flasim për këtë temë vetëm pasi të përfundojë auditimi dhe të publikohet raporti.”, ka thënë përmes emailit, Shqipe Hetemi nga Zyra e Auditorit.

Auditimi i fundit kur i është bërë kësaj ndërmarrje ka qenë në vitin 2012. Në atë kohë, ishin gjetur shumë parregullsi. Ndërsa edhe vetë auditori kishte konstatuar se nuk kishte qasje fizike në objektet e ndërmarrjes në atë zonë.

“Vlera e pasurive në PVF nuk është e saktë dhe e plotë, ne nuk kishim qasje fizike në objektet e Trepçës veri dhe nuk kemi mundur të kryejmë të gjitha procedurat dhe testet e nevojshme audituese dhe ekzaminimet fizike të llogarive të pasurive dhe stoqeve të Trepçës në veri”, thuhet në raportin e Auditorit të vitit 2012.

Në atë raport gjithashtu thuhet se “Gjatë vitit 2012 Trepça veri ka devijuar në raportimin e çështjeve në vijim:  Nuk ka dorëzuar raporte të rregullta në AKP, nuk ka përgatitur dhe dorëzuar raportin vjetor në AKP, nuk ka përgatitur dhe dorëzuar në AKP raport mbi pasuritë prokurimet”.

Këto kanë qenë vetëm dy nga shumë vërejtjet që atë vit kishte dhënë auditori.

Në lidhje me situatën e Trepçës deri në vitin 2016 kemi pyetur edhe AKP-në, por ata nuk janë përgjigjur. /rtk/

Në trend Ekonomi

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Kontratat njëburimore, Bajrami i përgjigjet Muratit: Të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg

Kontratat njëburimore, Bajrami i përgjigjet Muratit: Të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg

Ekonomi
“Urdhëro Hykmete, skena për ty” -  vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

“Urdhëro Hykmete, skena për ty” - vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Botë
Kalo në kategori