Megjithëse është e vështirë të parashikohet se kush do të jetë Papa i ri, në qarqet vatikanase dhe mediatike tashmë po spekulohet gjerësisht për pasuesin e mundshëm të Papës Françesku, i cili ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.

Edhe konklava e mëparshme tregoi sa e paparashikueshme është zgjedhja e papës.


Në vitin 2013, u zgjodh në mënyrë të papritur Jorge Mario Bergoglio.

Konklava që do të zgjedhë Papën e ri nuk pritet të fillojë para datës 6 maj, por tashmë dy emra përmenden më shpesh se të tjerët.

Ata janë kardinali italian Pietro Parolin, sekretari i shtetit të Vatikanit, dhe kardinali filipinas, Luis Antonio Tagle, i njohur për afërsinë e tij me drejtimin reformues të Papës Françesku.

Sipas bastores britanike “William Hill”, Parolin dhe Tagle janë të barabartë me kuotën 2.75, ndërsa kandidatët e tjerë kanë kuota dukshëm më të larta, pra më pak gjasa sipas vlerësimeve të tregut.

Sipas Polymarket, Parolin është favorit me 37 për qind ndërsa Tagle ka 26 për qind.

Edward Pentin, ekspert për Vatikanin dhe autor i librit “The Next Pope: The Leading Cardinal Candidates”, tha për The Telegraph se Parolin “pesë ose gjashtë vjet më parë, ai ishte favoriti i Papës Françesku për ta pasuar. Ai është në krye të një super-dikasteri të ri dhe të rëndësishëm për ungjillizimin. Është një kandidat mjaft i fortë. Dhe ende është relativisht i ri”.

Sipas vlerësimit të analistit vatikanas Massimo Faggioli, Tagle është “një bari shpirtëror dhe ndërtues urash”, i aftë të vazhdojë reformat e Françeskut, por me një theks edhe më të madh mbi mëshirën, dialogun dhe drejtësinë sociale. /Telegrafi/