LAJMI I FUNDIT:

Kush ishte Helmut Kohl, një burrë i madh i shtetit gjerman

Kush ishte Helmut Kohl, një burrë i madh i shtetit gjerman

Ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Ai udhëhoqi Gjermaninë për 16 vite, duke u bërë kancelari më jetëgjatë pas Bismarckut, ndërkohë që do të kujtohet përgjithnjë si arkitekti i ribashkimit të Gjermanisë, sikurse edhe për kontributin e jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik në integrimin e Europës.

Ai i dha emrin e tij një brezi të tërë, e njohur si “gjenerata Kohl”. Ai rezultoi tejet i përkrahur nga të rinjtë që u rritën gjatë epokës së tij.

Helmut Josef Michael Kohl u lind në Ludwigshafen më 3 prill të vitit 1930. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur iu bashkua konservatorëve të Unionit Kristian-Demokrat (CDU), ndërsa ishte aktiv në këtë parti gjatë kohës që studionte për Histori, Ligj dhe Qeverisje, si dhe Politika Publike.


Kohl u zgjodh kryeministër i Rhineland-Palatinate në vitin 1969. Në moshën 39-vjeçare, ai u bë personi më i ri që mbante këtë post. Në vitin 1976, CDU-ja dhe partia e saj simotër bavareze, Unioni Kristian-Social (CSU) e zgjodhën atë si kandidatin e tyre për Kancelar në zgjedhjet parlamentare. Ai fitoi 48.6 për qind të votave, por ato sërish nuk ishin të mjaftueshme për të larguar nga pushteti socialdemokratët e Helmut Schmidt, në koalicion me liberalët e Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

U deshën edhe 6 vite të tjera, deri më 1 tetor 1982, kur Kohl do të arrinte përfundimisht objektivin e tij.

Udhëheqësi i opozitës u zgjodh Kancelar, duke rrëmbyer edhe numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin gjerman.

Ajo ishte njëkohësisht edhe një lloj vote mosbesimi ndaj socialdemokratëve të Kancelarit Schmidt, e Kohl erdhi në pushtet pas korrjes së suksesit për ndarjen e Hans-Dietrich Genscher, udhëheqës i “FDP”-së, nga Schmidt.

Kohl formoi aleancë me “FDP”-në dhe u bë kreu i qeverisë. Në një lëvizje të debatueshme, vetëm pak muaj më vonë ai propozoi një tjetër votëbesim që sollën zgjedhje të reja, të cilat ai i fitoi bindshëm.

Gjatë viteve të para të qeverisjes së Kohl pati pakënaqësi. Ai fitoi reputacion jo vetëm për zgjidhjen e problemeve të brendshme, por edhe për pakësimin e tyre. Ai iu kundërpërgjigj kritikave duke riformatuar vazhdimisht kabinetin. Vizita e tij në varrezat e qytetit gjerman, Bitburg, së bashku me presidentin amerikan Ronald Reagan në vitin 1985 nxiti debat, pasi aty ishin varrosur edhe pjesëtarë të “Waffen SS”, organizatës paraushtarake naziste, së bashku me ushtarë amerikanë.

Në një tjetër rast, ai krahasoi kreun e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, me ministrin nazist të Propagandës, Joseph Goebbels. Por ishin pikërisht politikat e Gorbachevit, të njohura si “glasnost” dhe “peretroika”, që i sollën më shumë përfitime Kohlit.

Në qershor të vitit 1989, Kohl mirëpriti udhëheqësin sovjetik në Bonn. Në atë kohë, askush nuk e mendonte rënien e Murit të Berlinit, që do të ndodhte vetëm pak muaj më vonë. Kohl e përshëndeti Gorbachevin me fjalët: Shumë njerëz i mbështesin shpresat e tyre në vizitën tuaj këtu. Njerëz nga vendi juaj dhe nga vendi ynë.

Situata pati një ecuri shumë më të shpejtë nga sa pritej dhe kur Muri i Berlinit ra, Kohl u kap në befasi. Ai ndodhej në udhëtim në Poloni, kur qytetarët e Gjermanisë Lindore mësynë kufirin e brendshëm gjerman dhe rojet e Gjermanisë Lindore i lanë ata të lirë. Edhe pse Kohl u kthye menjëherë në vendlindje, ai nuk arriti të ishte i pari politikan i Gjermanisë Perëndimore për t’iu adresuar popullit gjerman në “Portën e Brandenburgut”. Ishin pikërisht fjalët e presidentit të Gjermanisë Perëndimore, Richard von Weizsacker, që u dëgjuan nga populli atë natë.

Kohl, gjithsesi, ishte i shpejtë në marrjen e nismës për të lançuar një plan prej 10 pikash, me synimin për të ribashkuar dy shtetet gjermane sa më shpejt që të ishte e mundur. Ai u përpoq të zmbrapste frikën e vendeve të tjera mbi ribashkimin e Gjermanisë, pasi mund të bëhej shumë i fuqishëm dhe nacionalist.

“Ne, gjermanët, kemi mësuar nga historia jonë”, tha ai në atë kohë. “Ne jemi paqedashës, popull liridashës. Për ne, dashuria ndaj vendit tonë, ndaj lirisë, dhe shpirti për të qenë fqinj të mirë do të jenë gjithmonë bashkë”.

Kohl arriti kulmin e karrierës së tij politike në vitet 1989-1990. Ai u shpall si një yll i Gjermanisë Lindore.

E pavarësisht futjes së taksës së solidaritetit për të ndihmuar në zhvillimin e ish-Gjermanisë Lindore, ribashkimi nuk mund të sillte “mrekullira” dhe Kohl nuk pati sukses në rritjen e standardit të jetesës në qytetet lindore. Shumë gjermano-lindorë që humbën vendet e tyre të punës, dështuan të gjenin punonjës të rinj dhe u detyruan të transferoheshin në Perëndim.

Pakënaqësia me sistemin e Kohl u rrit më tej mes gjermanëve, shumica e të cilëve konsideronin se kancelari ishte i interesuar vetëm për ruajtjen e pushtetit. Në tetor të vitit 1998, një koalicion i SDP-së dhe “të gjelbërve” fitoi zgjedhjet parlamentare dhe, pas 16 vitesh, Helmut Kohl u kthye sërish të ishte anëtar i opozitës parlamentare.

Në korrik të vitit 2001, bashkëshortja e tij Hannelore do të vetëvritej me një mbidozë ilaçesh gjumi. Ajo vuante nga “photodermatitis”, një formë alergjie nga dielli.

Kohl fitoi gjithsesi mirënjohjen e partisë së tij, kryesisht nën drejtimin e Kancelares aktuale dhe ish-të përkëdhelurës së tij, Angela Merkel, sikurse edhe mes komunitetit ndërkombëtar.

Në moshën 78-vjeçare Kohl u martua me Maike Richter, dikur shoqe fëmijërie.

Si një burrë shteti i madh, Kohl vijoi të shtonte mirënjohjet. Në maj të vitit 2011, ai u nderua me çmimin “Henry Kissinger”, për kontributin e jashtëzakonshëm në marrëdhëniet transatlantike.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton e quajti atë “burrin më të rëndësishëm europian të shtetit, që prej Luftës së Dytë Botërore”.

Vetëm pak përpara vdekjes, Kohl mori edhe një nderim të madh nga Republika Federale e Gjermanisë, që publikoi një pullë speciale në nder të tij.

Në të shfaqet fytyra e Kohl në një sipërfaqe prej 12 cm katrorë, shoqëruar nga fjalët “Kancelari i ribashkimit, qytetar nderi i Europës”. /tch/

Në trend Botë

Më shumë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Amerika
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Evropa
Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Evropa
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon  Trump

Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump

Amerika
Kalo në kategori