Kush është Sllovakia, kundërshtari i Kosovës në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it për Kupën e Botës?

Kombëtarja e Kosovës do të ndeshet me atë të Sllovakisë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it për një vend në finalen për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026.
Sot (e enjte), 20 nëntor 2025, është hedhur shorti i ndeshjeve të “play-off”-it evropian dhe ndërkontinental për gjashtë vendet e mbetura për Kupën e Botës 2026, ku të gjitha ekipet kombëtare kanë mësuar kundërshtarët.
Ky short i hedhur në Cyrih të Zvicrës ka parë që Kosova të këtë si kundërshtar Sllovakinë në gjysmëfinale, ndërsa fituesi i këtyre dy kombëtareve e pret vendas në finale fituesin e takimit mes Turqisë dhe Rumanisë.
Por, kush është Sllovakia?
Kombëtarja e Sllovakisë është një ekip me histori interesante dhe momente të spikatura në arenën ndërkombëtare. Që nga pavarësimi i vendit në vitin 1993, Sllovakia ka bërë hapa mjaft të rëndësishëm në futbollin evropian dhe botëror.
Sllovakia është kualifikuar një herë në Kampionatin Botëror në vitin 2010, ku arriti deri në fazën e 1/8-tës, pas një fitores të famshme 3–2 ndaj Italisë.

Sa i përket Kampionateve Evropiane, si shtet i pavarur Sllovakia ka marrë pjesë tre herë: në Euro 2016, Euro 2020, dhe Euro 2024.
Në renditjen e FIFA-s, Sllovakia luhatet mjaft shumë – sipas të dhënave të fundit nga FIFA, në nëntor 2025 ajo renditen e 45-ta.
Pikërisht, kjo renditje reflekton zhvillimet pozitive që kanë pasur skuadrat e mesme evropiane në vitet e fundit.
Kualifikueset për Kupën e Botës
Në kualifikueset e fundit për Kampionatin Botërori, Sllovakia përfundoi e dyta në Grupin A me 12 pikë, duke regjistruar katër fitore dhe dy humbje.
Megjithatë, Sllovakia pati një golaverazh negativ, pasi shënoi gjashtë gola dhe pranoi tetë sosh.
Vlera e ekipit dhe lojtarët kryesor
Vlera e përgjithshme e kombëtares sllovake sipas faqes së specializuar të transferimeve dhe statistikave Transfermarkt është rreth 138 milionë euro.
Kjo vlerë është vetëm për 7 milionë euro më e larta se ajo e Kombëtares së Kosovës, e cila ka vlerë prej 131 milionë eurosh.

Lojtarët më të vlefshëm dhe më kryesor të ekipit janë David Hancko (Atletico Madrid), Stanislav Lobotka (Napoli) dhe Milan Skriniar (Fenerbahce).
Hanco ka një vlerë prej 30 milionë eurosh, Lobotka vlerë prej 25 milionë eurosh, Skrianiar me vlerë 12 milionë euro dhe David Strelec me vlerë 8 milionë euro.
Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë pritet të zhvillohet në Bratisllavë me datë 26 mars 2026. /Telegrafi/

/Telegrafi/



















































