Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari –Lila ka zhvilluar një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Kusari-Lila përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në takim ka theksuar nevojën për ngritjen e standardeve të prodhimit dhe shërbimeve, si dhe përgjegjësinë që bizneset kanë për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e sigurisë në punë.


“Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi standarde të larta dhe besim. Bashkë me kryetarin e Odës, diskutuam për lehtësimin e regjistrimit të bizneseve, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e rolit të grave në sektorin privat. Barazia dhe formalizimi janë thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm”, ka shkruar Kusari-Lila.

Tutje ajo ka shkruar se në fokus ishte edhe Plani i Rritjes dhe hapat konkretë që na presin, përfshirë Ligjin për Inovacion.

“Trajtuam po ashtu çështjen e përdorimit të barkodeve ndërkombëtare për Kosovën nga viti 2026, proces për të cilin është angazhuar Oda Ekonomike e Kosovës, me ç’rast e falënderova për angazhimin. Biseduam gjithashtu për funksionimin e shoqatës së grave në biznes dhe bashkëorganizimin e forumeve me përfshirjen aktive të diasporës dhe ambasadave të Republikës sonë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka shkruar se në javët në vijim do të nisin konsultimet e përbashkëta për ligjet e agjendës legjislative, me transparencë të plotë dhe përfshirje të gjerë. /Telegrafi/