Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku zhvilloi një sërë takimesh me liderë botërorë.
Ai e ka cilësuar këtë ngjarje si një mundësi të rëndësishme për “takime, biseda, shkëmbime e vrojtime”, duke theksuar se siguria ishte “kryefjala, madje edhe kur nuk përmendej”.
Në një postim në Facebook, Kurti ka publikuar dhjetëra fotografi nga takimet e tij, por njëra prej tyre ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik: ajo ku ai shihet përkrah kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Marrëdhëniet mes dy liderëve kanë qenë të ftohta në vitet e fundit, me mospajtime të theksuara për çështje kyçe të politikës rajonale.
Një nga momentet më të tensionuara mes tyre ishte qasja ndaj Ballkanit të Hapur, një iniciativë e mbështetur fuqishëm nga Rama, por e kundërshtuar nga Kurti, i cili e ka parë si një projekt që favorizon Serbinë në dëm të Kosovës.
Gjithashtu, Rama dhe Kurti kanë pasur qëndrime të ndryshme për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri shqiptar ka kërkuar një qasje më pragmatike dhe fleksibile, duke inkurajuar një marrëveshje me njohje të ndërsjellë, ndërsa Kurti ka qenë më i kujdesshëm dhe shpeshherë kritik ndaj presionit ndërkombëtar për kompromise që, sipas tij, mund të dëmtojnë Kosovën.
Ndërhyrja e Ramës në vitin 2023 për të propozuar një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka qenë një tjetër pikë përplasjeje.
Kurti e ka parë këtë si një veprim të pamatur dhe të panevojshëm, duke theksuar se qeveria e tij nuk do të pranonte zgjidhje që mund të komprometojnë sovranitetin e Kosovës.
Edhe pse Kurti nuk e ka përmendur takimin me Ramën në postimin e tij, fotografia e tyre në Mynih ka ngjallur diskutime mbi raportet e tyre. Në imazh, të dy duken të relaksuar, një ndryshim i dukshëm nga polemikat e mëparshme publike.
Mospajtimet e dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik të 2023-ës kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë./Telegrafi/